Pa dinjitet, s’ka demokraci

491
Edmond Arizaj
Credits: Edmond Arizaj

A jam vallë vetëm unë që më duket i pabesueshëm emërimi i ish-Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës? A nuk i bën më askujt përshtypje rrëshqitja e çdo vlere njerëzore në llumin e hipokrizisë dhe interesit? Endriti është thjesht një nga të shumtët. Një simptomë e radhës e kancerit që po e ha vendin tonë nga brenda – dhe që nuk ka të bëjë aspak me ngjyra partish.

Kemi përballë një mekanizëm ku ka rënë çdo ideal, ku karakteri përthyhet pa reflektim, dhe kushdo që di të bëjë kërcimin akrobatik nga një sofër në tjetrën, shpërblehet. Edhe nëse më parë ka pështyrë mbi të. A nuk ju vjen dhe juve turp psh kur shihni videon e Frrok Çupit që fillimisht e quan Ramën injorant të pashkollë (kur ky ishte opozitë) dhe pastaj talent e me origjinë fisnike (kur ishte në pushtet)? Po a nuk ndiheni vetë në siklet kur shihni ish-personazhe të opozitës, që papritmas shfaqen si zv/ministra të pushtetit? Nuk keni vallë asnjë reagim për dhjetëra emra e fytyra që i shihni në ekranet tuaja prej vitesh e vitesh të lodhshme, teksa i ndërrojnë dyert nga java në javë pa asnjë problem. 

Ja si funskionon: hyjnë nga një derë, gjuajnë me baltë derën përballë, e sapo përzihen nga e para, trokasin në të dytën. Ose ofertohen, kjo është më normalja me ç’duket. Aty i pret jo ndëshkimi, por fshirja e baltës dhe një vend bosh në cep të tavolinës. Dhe pastaj? I shihni përditë në televizione, në media, në podkaste. Të njëjtët njerëz që s’kanë as turp, as ngjyrë në faqe, as fije ndërgjegjeje për fjalët që kanë thënë dikur, qëndrimet që kanë mbajtur. Videot dhe memet që i nxjerrin zbuluar nuk u bëjnë përshtypje, sepse nuk kanë më as fytyrë për t’u skuqur. Për çfarë vlerash thirren përnatë përpara njerëzve?! (Më duket se moderatorët e shumtë televizivë, podkaste, portale etj, luajnë rolin e drejtuesve të cirqeve në Missisipin e largët, kur në lojëra poshtërimi publik, merrnin skllevërit me ngjyrë, ua nxirrnin kokën në një beze të bardhë dhe publiku paguante për të kënaqur urrejtjen e tyre, duke u hedhur pisllëqe e ushqime në formë argëtimi. Sot moderatorët i ftojnë e publikojnë këta tipa si ofertë që publiku të nxjerrë mllefin jo me domate e me vezë, por me sharje, e mallkime, që gjithsesi përkthehen në pagesë në formën e klikimeve). 

Por në një vend normal, njerëz të tillë nuk do të pranoheshin në asnjë formë përfaqësimi publik për dy-tri breza. Sepse mungesa e dinjitetit është kërcënim për vetë demokracinë. Dhe problemi nuk është një emër. Nuk është Endriti. Është sistemi që funksionon me pazare, me heshtje të planifikuar, dhe me shpërblim për “guximin” për t’u shitur.

Këta janë “modelet” që na serviren prej kaq kohësh e që “tifozët” e partive i pranojnë thjesht me një koment të tillë: Shyqyr që e kuptove dhe bëre kthesë! Po çfarë mund t’i thuash një të riu me diplomë, por pa të njohur, e jo i gatshwm për t’u shitur? Apo një gruaje që punon ditë-natë për të rritur fëmijët me ndershmëri? Të jesh i ndershëm në një realitet të tillë të pistë është çmenduri. Pyetja që rëndon është: Më mirë i çmendur me ndërgjegje të pastër, apo “i arsyeshëm” brenda sistemit të kalbur?

Edmond Arizaj
+ posts

Arizaj është gazetar me një eksperiencë të gjatë në median shqiptare.
Ai ka drejtuar një sërë gazetash të përditshme dhe së fundi i fokusuar në zhanrin e analizave.
Edmond Arizaj është diplomuar pranë Universitetit të Tiranës në degën Gazetari.