SPAK ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme kërkesën për dërgimin në gjykim çështjen ndaj katër shtetasve të akuzuar për korrupsion aktiv e pasiv në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Raste të krimit zgjedhor të mandatit të shkuar duket që nuk janë zgjidhur ende pasi tashmë pas thuajse 3 muajsh nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Në njoftim bëhet me dije se të pandehurit Ndoc Guri dhe Arben Kolaj akuzohen për “korrupsion pasiv në zgjedhje”, ndërsa Ndrekë Lera dhe Ilir Sokoli për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Sipas SPAK, nga hetimi 4 vjeçar i kësaj çështjeje rezulton se gjatë zgjedhjeve parlamentare të datës 25 prill 2021, është konstatuar një skemë e qartë e korrupsionit zgjedhor, e cila përfshinte ofrimin e shpërblimeve monetare në këmbim të votës.
Sipas prokuroria individët që në këtë rast konsistojnë Ndrekë Lera dhe Ilir Sokoli ishin të lidhur me një forcë politike, të cilët ofronin nga 5000 lekë për votë për qytetarë të ndryshëm, me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale.
Kjo është realizuar ose përmes dhënies së drejtpërdrejtë të parave për votën e vet, ose përmes angazhimit të personave të tretë për të ndikuar te zgjedhës të tjerë.
Nga hetimet me metoda speciale është konstatuar se i pandehuri Ndrekë Lera ka pasur një rol qendror në këtë aktivitet kriminal, duke u përfshirë drejtpërdrejt në biseda që lidhen me premtimin dhe organizimin e pagesave për vota në favor të një subjekti politik, që nuk u identifikua nga ana e SPAK.
Prokuroria sqaron se të pandehurit Ndrekë Lera dhe Ilir Sokol, akuzohen se u kanë dhënë para dy të pandehurive të tjerë, Ndoc Guri e Arben Kolaj.
Ky nuk është rasti i vetëm me vite hetimi pasi në prill të këtij viti SPAK njoftoi një tjetër kërkesë për gjykim në GJKKO për rastet e krimit zgjedhor të vitit 2019.
Hetimet flasin për një skemë të organizuar të blerjes së votës në Sauk, ku zyrtarë dhe ndërmjetës premtuan legalizime dhe punësime në këmbim të mbështetjes për Partinë Socialiste e cila garonte e vetme në zgjedhjet vendore te 2019.
Prokuroria thotë se, përmes përgjimeve, është provuar se të pandehurit kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të të paktën katër personave, si dhe kanë ushtruar presion për votë përmes premtimeve për punësim dhe përfitime të tjera.
Sipas SPAK, Dritan Stoka, ish-zyrtar i Kadastrës, Agim Osma, kryeplak në Sauk, Alqi Hajdini, ish-jurist, dhe Ylli Baruti, ndërmjetës, janë përfshirë në një skemë ku ofroheshin legalizime dhe vende pune në këmbim të votave për Partinë Socialiste.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 u shoqëruan me masa parandaluese ndaj krimit zgjedhor.
3 muaj më parë për të parandaluar fenomenin e blerjes së votave, SPAK miratoi një plan masash për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Plani parashikoi ngritjen e një strukture të posaçme qendrore, si dhe krijimin e grupeve hetimore në terren që do të vepronin në të gjitha bashkitë dhe qarqet e vendit.
Pavarësisht akuzave mes lëvizjeve të reja politike e jo vetëm si dhe denoncimeve të shumta deri më tani ka vetëm katër të arrestuar dhe proceduar për krime zgjedhore, dy në Kukës, një në Fier dhe një në Lushnje.
Fenomeni i krimit zgjedhor dukshëm duket se e shoqëroi Shqipërinë dhe në këto zgjedhje parlamentare të fundit, ku rinumërimi i votave ndryshoi rezultatin për disa kandidatë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.