Pas 5 vitesh hetim, SPAK çon për gjykim një çështje të korrupsionit zgjedhor

Hetimet flasin për një skemë të organizuar të blerjes së votës në Sauk, ku zyrtarë dhe ndërmjetës premtuan legalizime dhe punësime në këmbim të mbështetjes për Partinë Socialiste e cila garonte e vetme në zgjedhjet vendore te 2019.

406
Korrupsioni Zgjedhor
Credits: shteg.org

Pas gati pesë vitesh nga nisja e hetimeve për një çështje korrupsioni zgjedhor, Prokuroria e Posaçme ka vendosur ta çojë për gjykim çështjen, vetëm një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të 2025.

Hetimet, të regjistruara në mars 2020, janë finalizuar pas gati gjashtë vitesh nga ngjarjet, ndërsa procesi penal ndaj të pandehurve është ndarë nga veprimtari të tjera të ngjashme që mbeten në hetim.

Sipas SPAK, rasti lidhet me një skemë të organizuar të blerjes së votës në zonën e Saukut në Tiranë, ku zyrtarë lokalë dhe ndërmjetës kanë premtuar favore konkrete si legalizime ndërtimesh dhe vende pune në këmbim të votave për Partinë Socialiste.

Bëhet fjalë për zgjedhjet e 2019, kur 3 ish-zyrtarët e pandehur në bashkëpunim premtonin leje legalizimi në zonën e Saukut në Tiranë, ku Partia Socialiste garonte e vetme në garën e njësive vendore, për shkak të bojkotit të opozitës, çka e bën edhe më domethënës përdorimin e favoreve shtetërore për të siguruar mbështetje elektorale.

Prokuroria thotë se, përmes përgjimeve, është provuar se të pandehurit kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të të paktën katër personave, si dhe kanë ushtruar presion për votë përmes premtimeve për punësim dhe përfitime të tjera.

Sipas SPAK, Dritan Stoka, ish-zyrtar i Kadastrës, Agim Osma, kryeplak në Sauk, Alqi Hajdini, ish-jurist, dhe Ylli Baruti, ndërmjetës, janë përfshirë në një skemë ku ofroheshin legalizime dhe vende pune në këmbim të votave për Partinë Socialiste.

Nga hetimet dhe përgjimet e kryera, SPAK ka dokumentuar se në këmbim të parave dhe ndikimit të ushtruar në institucione, të paktën katër persona janë pajisur me leje legalizimi për ndërtimet e tyre informale. Këto leje janë përdorur si mjet për të siguruar mbështetje elektorale.

Dritan Stoka dhe Agim Osma kanë luajtur rol kyç në drejtimin e këtij aktiviteti, duke kërkuar që persona të caktuar të hartonin lista votuesish dhe të ushtronin presion mbi ta, duke u premtuar mbajtje në punë ose legalizim ndërtimesh si shpërblim për votën.

Ndërkohë, Alqi Hajdini dhe Ylli Baruti, përmes funksioneve të tyre si jurist dhe ndërmjetës, kanë ndihmuar në procesin e legalizimit për disa shtetas të tjerë, duke kontribuar në skemën e përfitimit elektoral përmes favoreve të paligjshme.

Të katërtit akuzohen për disa vepra penale: “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (dënueshëm nga 2 deri në 8 vite burg), “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” (nga 6 muaj deri në 3 vite burg), dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” (dënueshëm deri në 3 vite burg).

Për të parandaluar fenomenin e blerjes së votave, SPAK ka miratuar një plan masash për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Plani parashikon ngritjen e një strukture të posaçme qendrore, si dhe krijimin e grupeve hetimore në terren që do të veprojnë në të gjitha bashkitë dhe qarqet e vendit. Grupi qendror do të drejtohet kryeprokurori Altin Dumani dhe do të përbëhet nga prokurorë të SPAK, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), hetues financiarë, ekspertë ligjorë dhe staf mbështetës.

Në terren, pritet që këto struktura të kenë si qëllim monitorimin, mbledhjen e provave, dhe veprimet hetimore të shpejta në rast të denoncimeve për shitblerje vote, presione politike apo përdorim të burimeve shtetërore për fushatë.

Megjithatë, ekspertë të fushës dhe analistë politikë kanë shprehur skepticizëm për efektivitetin e planit, duke kujtuar se edhe në të kaluarën janë ndërmarrë masa të ngjashme, por pa ndikim real në frenimin e krimeve zgjedhore. Ata kërkojnë veprime konkrete dhe ndëshkime të shpejta për të ndërtuar besim tek drejtësia dhe integriteti i zgjedhjeve.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.