Kreshnik Budlla alias Farruku dhe Erneo Farruku, të shpallur në kërkim ndërkombëtar për shkak të veprimtarisë së tyre kriminale në disa vende të Europës, u vetëdorëzuan në komisariatin e policisë së Durrësit.
Të shoqëruar nga avokati i tyre mbrojtës, Farrukët u paraqitën para uniformave blu mbrëmjen e 6 janarit 2025.
“Konfirmojmë se shtetasit Kreshnik dhe Erneo Farruku janë vetëdorëzuar në ambientet e komisariatit”, informon policia e Durrësit në një komunikim për “shteg.org”.
Dy vëllezërit janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për veprat penale “Organizata Kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Autoritetet shqiptare po bashkëpunojnë me Interpol Roma në plotësimin e procedurave për ekstradimin e tyre në drejtim të Italisë.
Dorëzimi i vëllezërve Farruku vjen pas një operacioni të dështuar për lokalizimin dhe arrestimin e Kreshnikut me kërkesë të autoriteteve italiane. Uniformat blu kontrolluan 21 banesa në Gjirin e Lalzit në shtator të 2024 për të kapur 51-vjeçarin, por pa rezultat.
Prokuroria e Breshias bashkëpunoi me SPAK për të shkatërruar grupin kriminal të Farrukëve dhe kërkoi arrestimin e 11 anëtarëve të tij. Në pranga ranë vetëm Arjanit Maloku dhe Jurgen Kaçurri.
Kreshnik dhe Erneo Farruku, si drejtues të grupit me të njëjtin emër, kishin krijuar kushtet e trafikimit të qindra kilogramëve me kokainë, heroinë dhe hashash në disa qytete të Italisë dhe shtete si Spanja, Holanda, Shqipëria, Brazili, etj.
Dy vëllezërit ishin drejtuesit dhe organizatorët e të gjithë veprimtarisë sipas dokumenteve që autoritetet italiane u kanë dorëzuar organeve të drejtësisë shqiptare.
Veprimtaria e kriminale e familjes Farruku është e njohur për autoritetet tona dhe ato Europiane. Ata kanë pasur disa episode me drejtësinë në Shqipëri dhe në Spanjë.
Kapitulli i fundit i përballjes me drejtësinë shqiptare ishte për sekuestrimin e pasurive në Gjykatën e Posaçme. Vëllezërve iu rikthyen 40 pasuri të sekuestruara më parë dhe iu konfiskuan 27 pasuri të tjera.
Eraldo Harlicaj aktualisht punon si gazetar në emision televiziv “Inside Story” në Top Channel. Ai ka një eksperiencë të mëparshme si gazetar në disa media shqiptare.
Ka mbaruar studimet në Universitetin Barleti me degën Marketing dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.