Pas vrasjes së Martin Canit, qytetarët lajmërojnë protestë

Martin Cani, nxënës i shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” humbi jetën si pasojë e plagosjes me thikë nga një bashkëmoshatar 14-vjeçar. Statistikat zyrtare tregojnë se pasiguria në shkolla është një realitet i njohur prej kohësh, çka dëshmohet nga qindra konflikte fizike midis nxënësve.

904
MARTIN CANI - HOMAZHE
Credit: shteg.org

18 nëntori ishte dita e fundit e jetës për 14-vjeçarin Martin Cani. Nxënësi i shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” humbi jetën si rezultat i plagosjes me thikë nga një tjetër bashkëmoshatar, konflikti me të cilin kishte nisur për arsye banale brenda mjedisit të shkollës.

Një ditë pas ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë 14-vjeçari Martin Cani, policia njofton se ka arrestuar bashkëmoshatarin e tij që i nguli thikën.

I mituri u arrestua për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Ky shtetas, ditën e djeshme, në afërsi të shkollës “Fan Noli”, për motive të dobëta thotë policia, është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ata me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit, ndërsa ngjarja ka ngjallur reagimin e qytetarëve.

Një marshim-protestë do të mbahet ditën e enjte, në orën 11:00, për të kërkuar drejtësi dhe masa më të forta sigurie në shkolla pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij në ambientet pranë shkollës “Fan Noli” në kryeqytet.

Thirrja për protesta në rrjetet sociale
Credit: Facebook – Thirrja për protesta në rrjetet sociale

Marshimi do të nisë nga shkolla “Fan Noli” dhe do të përfundojë përpara Ministrisë së Arsimit.

Prindër, mësues dhe qytetarë janë ftuar të bashkohen nën moton: “Prindërit në protestë për jetën, sigurinë dhe arsimin e fëmijëve!”.

Prindërit dhe qytetarët nga reagimet, kanë kërkuar dhe kanë bërë thirrje që ngjarje të tilla të mos përsëriten, duke theksuar nevojën për masa urgjente që rrisin sigurinë dhe parandalojnë dhunën në shkolla.

Problematikat që lidhen me sigurinë e nxënësve në shkolla dhe konfliktet e dhunshme mes tyre nuk janë një e vërtetë e panjohur për arsimin shqiptar, pasi ndër vite konfliktet fizike mes nxënësve janë shoqëruar me ndërhyrjen e policisë.

“Shteg.org” publikoi pak ditë më parë artikullin “Arsim dhe dhunë në shkollat shqiptare”, ku nga të dhënat e Policisë së Shtetit, dhe qëndrimet e ekspertëve me përvojë në fushën e arsimit, rezultoi se këto problematika nuk janë të panjohura apo të rralla në të gjitha shkollat në vend.

Sipas të dhënave që Policia e Shtetit ka vendosur në dispozicion të “Shteg.org” rezulton se gjatë dy viteve të fundit shkollore, 2022-2023 dhe 2023-2024, në të gjithë vendin janë regjistruar 703 konflikte fizike midis nxënësve në ambiente e shkollës.

Shifrat nuk janë të larta vetëm në qarqet kryesore të vendit, por edhe në qarqet si Kukësi, Lezha, Dibra dhe Gjirokastra të cilat ndër vite kanë mbyllur dyert e shkollave për shkak të mungesës së nxënësve.

Vetëm në vitin shkollor 2022-2023 në Policinë e Shtetit janë regjistruar 509 konflikte fizike midis nxënësve në të gjitha mjediset shkollore të vendit. 198 konflikte kanë ndodhur midis nxënësve të shkollave të kryeqytetit, 47 raste në shkollat e Kukësit, 51 raste janë regjistruar në Durrës, 34 në Korçë, po aq sa në Fier, ndërsa në shkollat e Beratit janë regjistruar 23 konflikte fizike midis nxënësve dhe 19 në Gjirokastër.

Ndërkohë, gjatë vitit të kaluar konfliktet fizike kanë njohur ulje, megjithatë mbeten të larta. Gjatë vitit shkollor 2023-2024 janë regjistruar 194 konflikte fizike midis nxënësve, 67 prej të cilave kanë ndodhur në shkollat e Tiranës, 28 në Shkollat e Elbasanit, 22 në shkollat e Vlorës, 21 në institucionet arsimore të Fierit dhe 17 në ato të Lezhës.

Pavarësisht se që nga viti 2018, kur u shpalos projekti për “Oficerët e Sigurisë në Shkolla”, numri i oficerëve të sigurisë është rritur ndër vite, angazhimi i tyre nuk është reflektuar në ruajtjen e qetësisë dhe sigurimit në shkolla.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.