Pasuria e një diplomati të lartë të shtetit shqiptar është vendosur nën sekuestro preventive, pasi hetimet zbuluan se një pjesë e mirë e saj ishte e pajustifikuar dhe e padeklaruar. Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar disa prona dhe llogari bankare në emër të ish-ambasadorit Edmond Çaça dhe bashkëshortes së tij, në kuadër të një procedimi pasuror të nisur mbi dyshime për deklarime të rreme dhe pastrim parash.
Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, hetimet ndaj Çaçës nisën në vitin 2019, pas një kallëzimi nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPI), për veprat penale të “fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”, të parashikuara nga nenet 257/a-2 dhe 287 të Kodit Penal.
Sipas dokumentit zyrtar të Prokurorisë, Edmond Çaça ka qenë subjekt deklarimi për pasuritë e tij gjatë periudhës 2014–2017, kohë gjatë së cilës ka ushtruar funksione të larta në shërbimin diplomatik. Por gjatë kontrollit u evidentuan mospërputhje mes pasurive të deklaruara dhe atyre realisht në pronësi të tij dhe të bashkëshortes. Në analizën financiare të kryer nga një auditues ligjor u konstatua se disa pasuri nuk justifikohen me burime të ligjshme.
Në dokumentin zyrtar të Prokurorisë, theksohet se është regjistruar procedimi pasuror nr. 07/R, viti 2025, në bazë të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”. Gjatë hetimit, një analizë financiare e thelluar nxori se të ardhurat e familjes Çaça nuk përputhen me vlerën e pasurive në pronësi të tyre.
Për pasojë, Gjykata e Tiranës, me vendimin nr. 6047 akti, datë 24.07.2025, pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi sekuestro ndaj këtyre pasurive, një truall me sipërfaqe 8,250 m², tre prona pyjore në zona të ndryshme me një sipërfaqe totale mbi 10,800 m² si dhe dy apartamente me sipërfaqe rreth 118.13m² dhe 52.63 m² si dhe një sasi prej prej 90,093.76 euro në emër të bashkëshortes.
Hetuesit dyshojnë se këto pasuri janë përfituar në mënyrë të paligjshme dhe nuk janë deklaruar sipas ligjit, ndërkohë që familja Çaça ka qenë për vite të tëra në shërbim diplomatik jashtë vendit.
“Pas hetimit pasuror të kryer dhe bazuar në analizën financiare të realizuar nga audituesi ligjor, është arritur në konkluzionin se subjekti i hetimit pasuror E.Ç. dhe personi i lidhur, nuk justifikojnë me burime të ligjshme të ardhurash, disa pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, në vlerë të konsiderueshme” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Karriera diplomatike e Edmond Çaçës ka nisur në vitin 2006, kur ai është emëruar Sekretar i Parë në Ambasadën e Shqipërisë në Riad, Arabinë Saudite, me përgjegjësi për vendet e Gjirit Persik. Në vitin 2010, iu ngarkua detyra e hapjes dhe themelimit të Ambasadës Shqiptare në Kuvajt, ku për tre vite me radhë shërbeu si Shef i Misionit Diplomatik, me gradën Ministër Këshilltar.
Në nëntor 2013, me vendim të qeverisë shqiptare, Çaça u emërua Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Katar, ku përfundoi një mandat të plotë diplomatik. Më 30 tetor 2017, presidenti Ilir Meta dekretoi lirimin e tij nga detyra. Po atë vit, ai u transferua në Ambasadën Shqiptare në Londër si Sekretar i Parë për çështje ekonomike, funksion që e mbajti deri në vitin 2018, kur u lirua nga detyra.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.