I gjendur i uritur dhe vendosur përballë zgjedhjes mes një pjate të bollshme frutash të pjekura e të shijshme dhe një pjate me patate të paziera sigurisht që do të zgjidhje frutat për të shuar urinë dhe kënaqur veten.
Por nëse alternativa do të ishte patate të paziera ose fruta të kalbura, këtu lind dilema dhe me siguri në fund do të fitonte patatja e pazier e cila duket si variant më i shëndetshëm për të shuar urinë.
Nëse do të duhet të zgjidhje mes Edi Ramës dhe Sali Berishës me siguri do të zgjidhje Edi Ramën sa herë kjo dilemë të paraqitej e nëse do të duhet të zgjidhje mes Edi Ramës e Irfan Hysenbelliut sërish do të preferoje patatet e paziera.
Strategjia politike e Edi Ramës mund të përmblidhet në këtë fabul. Ai ka bërë gjithçka duhej bërë që përballjet e tij të mbeten gjithnjë mes tij dhe një të keqeje më të madhe apo më të shëmtuar se ai.
Kjo strategji i ka dhënë gjithnjë përparësi në opinionin publik edhe kur ka ndërmarrë veprime arbitrare, kur ka shkelur kushtetutën, kur ka kapërcyer ligjet e kur ka injoruar çdo rregull shtet-bërës.
Sepse përballë ka vendosur përsonazhe të cilët këto mëkate i kanë konsumuar edhe më shumë se sa ai vetë.
Nëse ti nuk i paguan taksat është vështirë të kesh moral për të folur mbi respektimin e kontratave. Nëse ti përfiton hapësira publike me kushte favorizuese për shkak se je pronar mediaje, është vështirë të jesh i besueshëm kur flet për cënimin e pavarësisë së medias. Nëse ti censuron lajme në favor të një apo disa politikanëve është vështirë të krijosh valë solidariteti kur censura bie mbi ty.
Ndaj është e vështirë e do të jetë e vështirë të krijohet solidaritet me ngjarjen ndaj News 24 këto ditë gushti e për rrjedhojë situata do të mbyllet në favor të Ramës, ose duke marrë godinën ose duke marrë një marrveshje afatgjatë me Irfanin.
Me gjasa ka për të ndodhur kjo e dyta e kur të ndodhë, të gjithë ata që bërtitën e ulëritën për lirinë e medias dhe për parimet e demokracisë do të mbesin me gishtin në gojë e nëse Rama do ti shtojë edhe pak sens ironie gjithë skenës, këta të fundit do të mbesin edhe të censuruar nga i njëjti Tv të cilin kërkuan të mbronin.
Dhe mirë do t’ju bëhet sepse nuk mundet të mbrosh simbole të cilat përfaqësojnë të kundërtën e asaj që ti propagandon. Media të lirë e cila godinën e merr falas nga qeveria nuk ka. Media të lirë e cila paguhet me para që vijnë prej favoreve qeveritare nuk ka.
Sepse kur bie fasada e shpërthen balta me të cilën janë ngritur realisht muret e këtyre institucioneve, bëhen pis të gjithë ata që i rrinë rrotull, kush më shumë e kush më pak.
Ndërkohë njerëzit do të duhet të përtypin pataten e pazier edhe një herë tjetër.
Ky skenar do të vazhdojë deri kur në skenën politike shqiptare të kemi aktorë publikë, qofshin këta politikanë, pronarë mediash, gazetarë e analistë, të cilët nuk mbajnë qëndrime sipas interesit të ngushtë të ditës apo muajit por në bazë të një shporte parimesh të cilën e kanë mbledhur me kujdes përgjatë eksperiencës së tyre e për të cilën janë të gatshëm të luftojnë dhe sakrifikojnë gjithçka për ta mbrojtur.
Për këto parime ata nuk pyesin nëse janë duke goditur median që i ka favorizuar një përiudhë të caktuar apo biznesin i cili i ka ndihmuar gjatë fushatës.
Për këto parime ata nuk pyesin nëse i janë vënë përballë Kryeministrit apo edhe familjes së tyre.
Nëse ky lloj aktori publik do të lulëzojë në skenën shqiptare, dhe unë kam besimin se të tillë janë duke u farkëtuar edhe pse ende në brishtësi, atëherë zgjedhja për qytetarët do të bëhet shumë më ë thjeshtë dhe patatja e pazier do të përfundojë në kosh pasi shumica do ta refuzojë konsumin e saj duke patur zgjedhje më të mira.
Besjan Pesha është një studiues i shkencave politike dhe njohës i mirë i politikës në rajonin e Ballkanit. Ai ka mbaruar Masterin për Shkenca Politike pranë Universitetit të Tiranës dhe ka një eksperiencë të gjatë si aktivist i shoqërisë civile, duke filluar me themelimin e Lëvizjes Mjaft e më pas me themelimin e Nismës Thurje.
Besjani gjithashtu ka një eksperiencë në politikën aktive si edhe në qeverisje ku ka shërbyer në disa pozicione të rëndësishme përgjatë viteve 2007-2013.
Së fundmi ai punon si konsulent politik në rajon dhe gjatë kohës së lirë kontribuon për shteg.org.