Prokuroria e Posaçme ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të ish-drejtorëve të bashkisë Tiranës duke ngritur ndaj tyre akuza që nisin nga mos deklarimi i të ardhurave, korrupsioni e deri tek pastrimi i parave.
Në një njoftim për mediat, SPAK sqaron se nga veprimet hetimore janë mbledhur provat dhe është provuar fakti se, i pandehuri Redi Molla në cilësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, si dhe i pandehuri Mariglen Qato në cilësinë e ish-Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a dhe ish-Kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë, kanë qenë pronarë “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k.
Të pandehurit e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, si ortakë fiktivë në aktet e regjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe miqësore.
Shoqëria ka marrë pjesë në tendera të organizuar nga UKT, Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”, duke u favorizuar nga të pandehurit që ushtronin funksione publike. Përfitimet monetare janë përdorur për blerjen e pasurive dhe financimin e kompanive fiktive.
Të akuzuarit janë pjesë e dosjes për të cilën SPAK-u ka nisur hetimet në prill 2023 për veprat penale për të cilat nëse gjykata i gjen fajtorë rrezikojnë dënimin deri në 15 vjet heqje lirie.
Krijimi dhe ngritja e “5D”-së

Kompania “5D” u krijua në janar të vitit 2016 nga një mik i vëllezërve Qato, i quajtur Eduard Meta, elektricist, i cili vijoi punët private dhe u shkëput shpejt nga sipërmarrja.
Për gjashtë vite, deri në nëntor 2022, “5D” do të shpallej fituese në të paktën 32 tendera publike me një vlerë mbi 2.8 miliardë lekë (27 milionë euro). Në hetimet paraprake, SPAK-u ka gjetur shkelje në thuajse gjysmën e këtyre tenderave.
“5D” në shumicën e rasteve nuk plotësonte kushtet për të marrë pjesë në garë. Sidoqoftë, ajo shpallej fituese si bashkim operatorësh me kompani të tjera. Pjesa kryesore e tenderave jepej nga Bashkia Tiranë, institucion ky në të cilin Qato dhe Molla kishin kontakte të forta, siç dëshmojnë lidhjet me ish-drejtuesit: Taulant Tusha i Punëve Publike, Enton Punavija i Transportit apo Eglantina Zere e Tirana Parkingut.
Nga 32 tendera ku u shpall fitues “5D”, 27 ishin në bashkëpunim me 20 kompani të tjera. Ajo bashkëpunoi më së shumti me “Kola Invest” (7 raste) me pronarë sipërmarrësit Jani dhe Sofokli Kola, si dhe “Rroku Guest” (4 raste) që zotërohet nga Vera Gega, bashkëshorte e Rrok Gegës, i dënuar për skemë mashtrimi me faturat tatimore.
Por “5D” pati bashkëpunime dhe me kompani të mëdha për nga volumi i punëve publike, si: “Fusha” apo “Mane TCI” i sipërmarrësve të njohur Shkëlqim Fusha e Samir Mane.
Pesë tenderat ku “5D” mori pjesë e vetme në garë patën një vlerë relativisht të ulët investimi prej vetëm 88 milionë lekësh (850 mijë euro). Nga këto, tenderi me vlerën më të madhe ishte ai për ndërtimin e një shëtitoreje me korsi biçikletash në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë gjatë vitit 2021.
SPAK-u dyshon se paratë e fituara nga tenderat publikë prej “5D”-së u nxorën më pas nga kompania për të ushqyer si kapitale investimi sipërmarrje të tjera. Dyshohet gjithashtu se një pjesë e xhiros u nxor jashtë sistemit bankar përmes skemës së pagesave për punë fiktike.
“5D” u regjistrua si biznes pak javë përpara se Mariglen Qato dhe shoku i tij, Redi Molla, të emëroheshin drejtues në Ujësjellës Kanalizimet Tiranë (UKT).
Molla u emërua drejtor i Përgjithshëm në shkurt 2016, ndërsa Qato, drejtor i Departamentit Mbështetës mesin e muajit mars. Të dy qenë njohur gjatë kohës që punonin në Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në Bashkinë Tiranë.
Pa bërë gjashtë muaj nga krijimi, në maj të vitit 2016, “5D” fitoi tenderin e parë, pikërisht nga UKT. Ajo u shpall fituese në bashkëpunim me kompaninë “Kola Invest” për ndërtimin e një depoje uji, megjithëse nuk plotësonte kushtet.
Në komisionin e vlerësimit të ofertave ishte Mariglen Qato, Durim Mustafa dhe Manjola Bunguri, kjo e fundit më vonë do të punësohej në “5D”, ndërsa Mustafa do të përfshihej në marrëdhënie sipërmarrjeje me një ish-drejtor tjetër për ndërtimin e një hoteli në jug. I njëjti komision do ta shpallte fituese kompaninë e kamufluar në të paktën dy tendera të tjerë për ndërtim rrjeti ujësjellësi dhe rikonstruksion kolektori.
Tenderat e parë ishin në vlera relativisht të vogla, 5-14 milionë lekë, dhe “5D” u fut në bashkëpunim me “Kola Invest” dhe “Rej” të Luan Kaprit, kushëri i ish-kryebashkiakut të Pogradecit Eduart Kapri. SPAK-u ka vënë re se në këto tendera pjesa kryesore e punimeve merrej përsipër nga kompanitë bashkëpunëtore, jo nga “5D”.
Në vitin 2018 sipërmarrja i kaloi për 100 lekë Muhamet Petritit, vjehrrit të vëllait të Mariglen Qatos. Ndërkohë, administrator u vendos Nestor Muhametllari, mik i Redi Mollës. Të dy qenë njohur kur punonin në kompaninë “Gener 2” në vitet 2013-2015.
Pas ndryshimeve, ku secili nga drejtorët duket se vendosi njerëz të afërt në drejtimin e kompanisë, brenda muajit gusht 2018, “5D” u shpall fitues nga UKT në tre tendera të tjerë. Në dy prej këtyre tenderave, kompania sërish ishte në bashkëpunim me “Kola Invest”. Vlerat e tyre ishin deri katër herë më të larta se të mëparshmet.
Pesë ditë pas tenderit të fundit në UKT, më 25 gusht 2018, Mariglen Qato u zhvendos me detyrë duke kaluar drejtor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Tiranë.
Por do të ishte viti 2019 ai që do të sillte horizonte të reja. “5D” u shpall fituese në katër bashkëpunime me “Rroku Guest”, dy prej të cilave në Bashkinë Shkodër. Si e vetme fitoi një tender në UKT dhe dy tendera të tjerë nga “Tirana Parking”. Në dy nga këta tendera SPAK-u ka gjetur shkelje ndërsa në njërin prej tyre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave ishin ish-drejtorët Taulant Tusha dhe Enton Punavija. Ndërkohë, vendimtare në tenderat e “Tirana Parking” dyshohet të ketë qenë ndërhyrja e ish-drejtoreshës Eglantina Zere.
Gjatë kësaj periudhe në llogarinë e Muhamet Petritit alokohen mbi 34 milionë lekë të ardhura si fitim dividendi, të cilat ai i nxjerr nga banka duke kryer tërheqje të njëpasnjëshme deri në tetorin e vitit 2020. Prokuroria dyshon se këto para iu kaluan Qatos dhe Mollës.
Në vitin 2020 Molla largohet nga UKT duke kaluar drejtues i një kompanie publike ndërtimi të ngritur nga Bashkia Tiranë të quajtur “Tirana DC”. Megjithatë, kjo nuk i zbehu sukseset e “5D”-së, përkundrazi.
Në mars 2021, përmes një shitjeje fiktive, “5D” i kaloi në zotërim mikut të Mollës, Nestor Muhametllarit. Mbetet e paqartë nëse me largimin e Muhamet Petritit përfunduan interesat apo lidhjet e Qatos me “5D”-në.
Pasi mori në zotërim kuotat e Muhamet Petritit në kompani, Muhametllari tërhoqi dividendin e pashpërndarë për vitet e shkuara në vlerë 31.5 milionë lekë (rreth 300 mijë euro). Prokuroria dyshon se këto para iu kaluan Mollës.
Pas këtyre lëvizjeve “5D” zgjeroi kapacitetin duke u shpallur fituese në 8 tendera gjatë vitit 2021, katër prej tyre tenderave ishin nga programi i rindërtimit ku parashikohej shembja e 22 pallateve dhe ndërtimi i dy shkollave 9-vjeçare “Dritas” dhe “Hasan Vogli”.
Shembja e pallateve në periferi të Tiranës u shoqërua me akuza të forta nga opozita për manipulime me vlerësimet teknike pas së cilave, sipas opozitës, fshiheshin synime klienteliste ndërtimi.
Pikërisht në këtë periudhë “5D” u hodh në sektorin e ndërtimit duke marrë lejen e parë për zhvillimin e një pallati 9-katësh në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Për dy vite me radhë, deri në vitin 2023, “5D” do të merrte edhe tre leje të tjera ndërtimi në kryeqytet.
Aktualisht, prej 9 korrikut 2024, “5D” dhe projektet e saj janë vënë nën sekuestro nën dyshimin se kompania u përdor për përvetësim fondesh dhe pastrim parash.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.