Dy të vrarë dhe dy të plagosur është bilanci i atentatit që tronditi Shkodrën mëngjesin e kësaj të hënë, 8 shtator 2025, në një lokal pranë Bashkisë së qytetit. Mes të plagosurve është edhe një vajzë 25-vjeçare, punonjëse e lokalit ku ndodhi ngjarja, e cila konsiderohet si e dyta me përmasa tragjike brënda pak ditëve në Shkodër.
Autoritetet lokale besojnë se në shënjestër të atentatit ishte shtetasi Erogen Brajoviç, alias Vaso, një person i skeduar dhe me lidhje të afërta me grupet kriminale që veprojnë në qytet.

Pak minuta pas ngjarjes, policia arrestoi autorin e dyshuar të vrasjeve, ndërkohë që masakra ka shkaktuar pasiguri në qytet.
Vetëm pak ditë më parë, po në një lokal në lagjen “Vasil Shanto” të Shkodrës, u ekzekutua 34-vjeçari Kristian Kola, por policia lokale, përveç bilancit të viktimave, nuk ka dalë ende me një deklaratë të plotë mbi ngjarjen që ka shkaktuar reagimin e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës.
Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, kryebashkiaku ka kërkuar reagim të menjëhershëm të autoriteteve ligj-zbatuese në emër të sigurisë së qytetarëve ndërsa ekspertë vlerësojnë se hallkat e sistemit të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar nuk kanë funksionuar si duhet për të garantuar rendin dhe sigurinë.
Statistikat tregojnë se Shkodra është një nga qytetet me numrin më të lartë të viktimave të pafajshme si pasojë e ngjarjeve kriminale. Në katër vitet e fundit, 10 qytetarë kanë gjetur vdekjen në atentate të ndodhura në ambiente publike, ku i vetmi “faj” i tyre ishte se ishin punonjës lokalesh ose kalimtarë rastësorë.
Atentati ndaj Brajoviç
Si çdo ditë, Erogen Brajoviç, i shoqëruar nga Armando Pali, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak, dhe Liridon Kraja, truproja e tij, po pinte kafen e mëngjesit në lokalin poshtë shtëpisë dhe vetëm pak metra larg Bashkisë së qytetit të Shkodrës.
Në një nga zonat më të populluara të qytetit, lokali konsiderohej si një ndër më të sigurtët, edhe për shkak të prezencës së policisë. Mëngjesi i së hënës, 8 shtator 2025, rrëzoi edhe këtë mit.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 08:50, një person i ri, pasi la motorin ndezur përballë lokalit, hyri brenda dhe hapi zjarr me breshëri në drejtim të tavolinës ku ishte ulur 43-vjeçari Brajoviç.
Si pasojë e plagëve të marra nga plumbat, humbi jetën menjëherë Armando Pali, ndërsa 31-vjeçari Liridon Kraja ndërroi jetë më vonë në Spitalin Rajonal Shkodër.
Burime zyrtare thanë se të plagosur mbetën Erogen Brajoviç dhe punonjësja 25-vjeçare e lokalit, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Të dhënat paraprake tregojnë se Brajoviç u qëllua me tre plumba që i prekën arteriet kryesore të zemrës. Policia ka identifikuar si autor të ngjarjes një tjetër person të skeduar, me precedentë të rëndë penalë në Shkodër.
Vetëm 50 minuta pas ngjarjes, Policia Lokale tha se arrestoi, në tentativë për t’u arratisur, 29-vjeçarin Ragip Gila, i cili fillimisht tentoi të largohej me një automjet tip BMW.
Ragip Gila rezulton person me precedentë penalë dhe ishte liruar nga burgu në mars të vitit 2025.
Megjithëse i arrestuar në dhjetor 2023 për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, ai kreu vetëm 15 muaj burg për t’u liruar më pas me vendim gjykate.
Në dhjetor 2023, Policia deklaroi se kishte vënë në pranga një eksponent të rëndësishëm të grupeve kriminale, pasi në banesën e Gilës u gjetën sende që përdoreshin për vepra të ndryshme kriminale në Shkodër, si dhe sasi lënde narkotike.
I skeduar nga autoritetet është edhe vetë objektivi i masakrës së së hënës, Erogen Vaso alias Erogen Brajoviç.
Në vitin 2007, ai është akuzuar për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim pasurie”, ndërsa në qershor të vitit 2020 ishte subjekt i OFL-së për justifikimin e pasurisë.
Në atë kohë, Gjykata e Lartë e Podgoricës në Mal të Zi i kishte caktuar masën “arrest në burg” për veprat penale “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe eksplozivëve”.
“shteg.org” nuk mundi të saktësojë fatin juridik të këtyre akuzave në shtetin fqinjë, por burimet zyrtare thanë se ndaj 43 vjeçarit në Shqipëri nuk ka asnjë akuzë penale.
Ndërsa vëllai i tij, Denis Bajri (Brajoviç), u arrestua në shkurt 2024, pasi ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, dhe u ekstradua nga Dubai drejt Shqipërisë më 23 korrik 2025. Ai akuzohet se vrau mikun e tij, Gjin Boriçi (Ndoji), në Vau Dejës më 9 gusht 2020 për llogari të Ervis Martinajt.
Policia lokale, përveç bilancit të viktimave, nuk ka dalë ende me një deklaratë të plotë mbi ngjarjen që ka shkaktuar reagimin e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës.
Benet Beci, në një postim në rrjetin e tij social Facebook, ka kërkuar reagim të menjëhershëm të autoriteteve ligjzbatuese në emër të sigurisë së qytetarëve.
“Kam kontaktuar me Ministrin e Brendshëm dhe me të gjitha strukturat që luftojnë krimin, në emër të jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk meritojnë të përballen me skena të tilla”, shkruan Beci.
Sipas ish-ekspertëve të sigurisë, atentati ndaj Brajoviç është tregues i dështimit të strukturave për të garantuar jetën e qytetarëve në luftën kundër krimit të organizuar.
“Fakti që arrestimi apo goditja e grupeve të krimit të organizuar nuk ka sjellë stabilizim të situatës në Shkodër, tregon se shteti duhet të koordinojë të gjitha strukturat e tij për të mbajtur minimalisht nën kontroll sigurinë e jetës. Është e pamjaftueshme që organet ligj-zbatuese të organizojnë vetëm aksione të herëpashershme.
Shkodra ka një veçori. Krimi i organizuar po shfrytëzon ashpërsinë dhe deformimin e traditës së kanunit duke sjellë agresivitet në krim. Dhe për pasojë ka edhe viktima që s’kanë lidhje me veprimtarinë kriminale. Siç u organizuan të gjitha llojet e policive për të shkulur disa kioska në Theth, le të koordinohen dhe të marrin masa që njerëzit të mos bien pre e plumbave të krimit të organizuar apo gjakmarrjes”, tha për “shteg.org”, ish-prokurori Eugen Beci.
*Ndihmoi redaksinë për realizimin e këtij shkrimi gazetari i qytetit të Shkodrës, Ergys Kavaja.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.