Përtej manifestimit të Ramës në Sheshin Skënderbej

Kryeministri organizon një “takim” me administratën e tij prej së cilës gjatë 2024 u hetuan nga SPAK 629 persona për korrupsionin dhe përfshirje në krimin e organizuar.

557
Edi Rama Sheshi Skenderbeu
Credits: shteg.org

Kryeministri Edi Rama organizoi një manifestim, në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha më 20 shkurt, me pjesëmarrjen e administratës së Bashkisë së Tiranës. 

Të “thirrur” në Sheshin Skënderbej, sa u pa nga pamjet e transmetuar me regji po të kontrolluar nga qeveria ishin dhe punonjës të administratës shtetërore, për të cilën hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se një numër i lartë i tyre është përfshirë në afera korruptive.

Sipas raportit të SPAK, gjatë vitit 2024 janë proceduar 629 persona, kryesisht zyrtarë të lartë, për vepra penale të lidhura me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Thirrja e Ramës për t’i folur administratës shtetërore në Sheshin Skënderbej erdhi pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për korrupsion dhe fshehje pasurie, ndërsa aktiviteti i kontrolluar krejtësisht nga qeveria ka sjellë akuza për keqpërdorim të burimeve publike dhe shkelje të Kodit Zgjedhor.

Opozita dhe organizatat e shoqërisë civile e konsideruan ngjarjen një përpjekje të Ramës për të uzurpuar postin e kryebashkiakut pas arrestimit të Erion Veliajt.

Gjatë fjalimit të tij, Rama nuk i kurseu sulmet ndaj kritikëve dhe opozitës, duke e cilësuar takimin si një “takim pune” dhe jo si miting elektoral, për të shmangur ndalimet e Kodit Zgjedhor mbi përdorimin e administratës publike. Ai u shpreh se e kishte thirrur administratën për të motivuar punëtorët pas arrestimit të Veliajt, duke pretenduar se “Erion Veliaj është arrestuar pa gjyq” dhe duke theksuar se “gabimet e drejtësisë janë më të rënda se ato të politikanëve.”.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi Ramën se “takimi” i tij ishte një antimiting i organizuar qëllimisht në ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Ai kërcënoi pjesëmarrësit duke deklaruar se “do ju regjistroj emër për emër” dhe se “pjesëmarrja në atë miting përbën krim elektoral.”.

Gjithashtu, organizata “Qëndresa Qytetare” denoncoi aktivitetin si shkelje të ligjit zgjedhor dhe i bëri kërkesë Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për ndalimin e aktivitetit. Sipas tyre, mitingu ishte raportuar si aktivitet kulturor, por pavarësisht kësaj, ai duhej të ishte njoftuar pesë ditë më parë në KQZ.

Ndërsa Rama u mundua të paraqiste një imazh të suksesit me një video promovuese të punëve të tij dhe të Veliajt, fjalimi i tij u shoqërua me fyerje ndaj kritikëve, të cilët i quajti “anti-urban”, “anti-evropian”, “dele që bën be-be-ba” dhe “mutëri”. Ai gjithashtu ironizoi kundërshtarët me një barsoletë për erën e keqe, duke aluduar se ajo vinte nga kundërshtarët e tij dhe jo nga problemet reale që ai po përballet.

Përpos fjalimit të tij të gjatë, ndërsa errësira po binte mbi Sheshin Skënderbej, punonjësit e administratës filluan të largoheshin, të dukshëm të përqendruar më shumë në daljen nga rrethimi sesa në fjalimin e kryeministrit.

Gazetarët nuk u lejuan të bënin xhirime të pavarura të aktivitetit, dhe kur një prej tyre tentoi të fotografonte pajisjet e kontrollit, një punonjës i Gardës e ndaloi duke thënë se “nuk lejohen celularët”, pa dhënë ndonjë shpjegim ligjor.

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.