“Mezi pres që t’i japim Tiranës një piramidë, t’ja rikthejmë qytetit” – u shpreh në vitin 2016 Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj gjatë realizimit të një takimi me mësuesit, pasi Piramida e Tiranës kaloi në pronësi nga Ministria e Kulturës tek Bashkia Tiranë.
Kryebashkiaku kujtoi se si vite më parë kjo godinë gëlonte nga aktivitetet e të rinjve dhe nga Tirana Art Fest.
Ndërsa 7 vite më vonë, kur më 11 Maj organizoi një tjetër event për inagurimin e saj, Veliaj tha se çelja e Piramidës shoqërohej dhe me hapjen e dyerve për qendrën më të madhe digjitale në Ballkan.
“Sot ne nuk hapim vetëm një ndërtesë, një stoli, apo një pikë observimi dhe një vend për t’u “instagramuar”, por hapim njëkohësisht dhe qendrën më të madhe digjitale në Ballkan për të rinjtë dhe të rejat e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë,” deklaroi vitin e kaluar Veliaj.
Sot, një vit pas ceremonisë, Piramida e Tiranës, e prezantuar si qendër inovacioni për të rinjtë, është e rrethuar nga dhjetra biznese.
1800 nxënësit që marrin pjesë në sesionet e qendrës së inovacionit TUMO ndodhen në ambjentet e Piramidës vetëm dy herë në javë, ose ndryshe, 3 orë në javë.
Sipas të dhënave zyrtare, 35 biznese kanë nënshkruar kontratën e qirasë me qendrën “Piramida”, ndër të cilat 11 kafe, restorante dhe 14 dyqane.
“Piramida” qendra shumëfunksionale me biznese

Sipas të dhënave që Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) ka vendosur në dispozicion të “shteg.org”, rezulton se në hapësirën e Piramidës ushtrojnë veprimtarinë ekonomike 25 subjekte.
“Subjekte që ushtrojnë veprimtarinë e tyre si lokale, restorante janë 11, ndërsa si dyqane janë 14 subjekte”, – ka sqaruar QKB-ja.
Ndërsa, Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës “Piramida”, Shqipe Berisha tha për “shteg.org” se në ambientet e Piramidës ushtrojnë veprimtarinë e tyre 35 qiramarrës të fushave të ndryshme, ku fusha e teknologjisë zë 63% të hapësirës.
Sipas të dhënave që Berisha ka vendosur në dispozicion, rezulton se hapësirat e dhëna me qira në funksion të artit dhe të kulturës përbëjnë 8% të sipërfaqes, ndërkohë dyqanet zënë 5% të hapësirës; baret, kafenetë dhe restorantet 11% të hapësirës; ambientet e dhëna me qira në funksion të edukimit zënë vetëm 4% të hapësirës, ndërkohë që zyrat qeveritare përbëjnë 4% të hapësirës së marrë me qira.
Çmimi i hapësirave që bizneset kanë marrë me qira varjojnë nga 15 euro për metër katror në 45 euro për metër katrorë.
“Modeli operacional i Piramidës fokusohet në mbulimin e shpenzimeve të TUMO Tirana. Të gjitha të ardhurat e grumbulluara nga qiradhënia mundësojne ofrimin e kurseve të TUMOs pa pagesë tek të gjithë fëmijët” – thotë Shqipe Berisha.
Ndërkohë, hapësira që zë kjo qendër inovacioni është 48% e sipërfaqes së godinës, sipas një interviste që Drejtoresha Ekzekutive, Shqipe Berisha ka dhënë vitin e kaluar për ACQJ.
Krijimi i qendrës “Piramida”
Ndryshimi i pronësisë së godinës së Piramidës, dikur momument i dedikuar ish-diktatorit Enver Hoxha, i hapi rrugë nënshkrimit të marrëveshjes midis Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) dhe Bashkisë Tiranë për të krijuar qendrën “Piramida”, një organizatë jofitimprurëse e cila do të administronte të gjithë hapësirën e Piramidës dhe qendrën e inovacionit në brendësi të saj, TUMO. Hapësira e administruar nga kjo organizatë jofitimprurëse përfshin sipërfaqen prej 120 000 metrash katrore, në të cilat përfshihet edhe godina me katër kate dhe një kat “-1” .
Sipas memorandumit të mirëkuptimit, të nënshkruar midis Bashkisë Tiranë dhe AADF-së në vitin 2018, të dyja palët do të angazhoheshin për të rijetësuar Piramidën e Tiranës nga një godinë e degraduar në një qëndër shumëfunksionale për promovimin e sipërmarrjes, teknologjisë, artit dhe kulturës.
Anëtarë të bordit janë 7 persona, 4 prej të cilëve janë persona të përzgjedhur nga Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit dhe 3 të tjerë të përzgjedhur nga Bashkia e Tiranës, që njëkohësisht përzgjedh dhe kryetarin.
Në dy vitet e para pas rijetësimit të piramidës dhe dorëzimit të saj në favor të qendrës “Piramida” Bashkia e Tiranës dhe AADF-ja, si dy bashkëthemelues, do të mbështesin financiarisht qendrën dhe TUMO-n në rast se qendra “Piramida” nuk do të mundësojë gjenerimin e të ardhurave nga aktivitetet ekomomike (bizneset) që ushtrojnë veprimtarinë në ambjentet e saj.
Gjatë vitit të parë, 2021, Bashkia Tiranë dhe AADF-ja kanë kontriubuar secila me 50% të fondit mbështetës, ndërsa vitin e dytë, 2022, Bashkia Tiranë mbështeti qendrën “Piramida” me 70% të buxhetit të nevojshëm dhe pjesa tjetër u mundësua nga AADF-ja.
Në përgjigjen zyrtare që AADF ka dhënë për “shteg.org”, bën të ditur se për shndërrimin e godinës së Piramidës në një hapësirë gjithëpërfshirëse të inovacionit dhe edukimit ka miratura buxhetin me vlerën prej 8,520,000 dollarësh.
Sipas të dhënave të bëra publike në Open Procurment Albania, për realizimin e punimeve të rijetësimit të Piramidës janë financuar nga të ardhurat e buxhetit të shtetit, të vendosura në dispozicion nga Ministria e Kulturës, nga të ardhurat e buxhetit të Bashkisë Tiranë dhe nga AADF-ja. Fitues të tenderit për rijetëzimin e Piramidës u shpallën Fusha shpk & EDIL-AL-IT.
Fondi limit i tenderit të parë, të hapur më 3 gusht të vitit 2020 shkonte deri më 1.69 miliardë lekë. Pjesëmarrës në tender ishin 8 operatorë ekonomikë, ndërkohë që fitues u shpall “Fusha” shpk & EDIL-IT-AL.
Vlera e fondit fitues shkon në 1.46 miliardë lekë. Marrëveshja me këtë operator ekonomik u nënshkrua më 2 dhjetor të vitit 2020 dhe ishte parashikuar zgjatja e tij për 24 muaj.
Pra, punimet do të vazhdonin deri më 2022, megjithatë më 29 gusht të vitit 2022, “Fusha” shpk & EDIL-IT-AL arritën të merrnin tenderin e dytë për vazhdimin e punimeve në Piramidën e Tiranës. Tenderi i dytë nuk u njoftua dhe u zhvillua pa garë me kompanitë e tjera.
Piramida, që nuk është më “piramidë”

Arkitektja Doriana Musai gjatë intervistës për “shteg.org” tregon se pas zbatimit të projektit për rijetësimin e Piramidës, ky objek ndaloi së vizualizuari ngjashmërinë me trupin gjeometrik.
“Projekti nuk solli një identitet të ri, duke iu atashuar Piramidës si koncept edhe pse nuk zhvillon një të tillë si formë. Projekti ka tentuar ta shformojë piramidën si “formë e koracuar” dhe e ngurtë, duke patur si qasje hapjen dhe transparencës, një retorikë kjo për kundërshti të izolimit dhe censurës që ofronte diktatura”, – tha Musai duke theksuar më pas se sot godina e njohur si Piramida ka një formë të shformuar nga ajo që cilësohet si piramidale.
“Çfarë ka mbetur nga piramida nuk është më një piramidë”, – përfundon Musai.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.