Plaurent Dervishaj, njeriu që për 25 vite sfidoi drejtësinë shqiptare

I akuzuar për vrasjen e nëntë personave, pjesëmarrjen në organizatë kriminale, atentate dhe korruptimin e njerëzve të sistemit ligjor, për herë të parë Dervishaj po përballet me drejtësinë. Nëse gjendet fajtor, do të dënohet me burgim të përjetshëm.

2180
Plaurent Dervishaj
Credit: shteg.org

Gjetjet kryesore

  • Historia e një djali durrsak i cili ia kishte dalë shkallëve të gjyqësorit jo vetëm që të rrëzonte një dënim me burg të përjetshëm, por dhe të shpallej i pafajshëm si autor i dyshuar për 5 vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
  • Historia e një prej personave më të kërkuar që nuk u arrestua kurrë dhe që nga arratia iu gëzua mbylljes së çështjeve nga Gjykata e Lartë, për t’u rikthyer sërish në Shqipëri me pozita të forta dhe sukses në biznes me bare, restorante dhe kompani ndërtimi.
  • Historia e një burri 52-vjeçar ndaj të cilit autoritetet dështuan ta ndëshkojnë për akuzat e vrasjeve të ndodhura gjatë viteve 1998-1999, dhe po provojnë ta dënojnë për vrasje të tjera të kryera ndërmjet viteve 2005-2019.
  • Historia e një prej shqiptarëve më të kërkuar në botë teksa fotoja e tij u botua në rrjetin e Interpolit dhe FBI-së.

Mëngjesin e 14 gushtit një avion i kompanisë “Flydubai” u ul në pistën e Rinasit. Në bordin e tij mes dhjetëra pasagjereve që ktheheshin nga Dubai, ndodhej njeriu që për 25 vite ia kishte dalë t’i shpëtonte drejtësisë shqiptare, edhe pse i akuzuar për nëntë vrasje, organizimin e atentateve dhe krijimin e një prej organizatave kriminale më famëkeqe në vend. 

Pamjet e serviruara nga Policia e Shtetit tregonin një burrë të mpaktë, të veshur me fanellë blu, pantallona të shkurtra të kuqe dhe shapka të bardha, i mbërthyer nga forcat speciale.

Vetëm një tatu, një tigër në këmbën e majtë, dukej se ishte gjithë sa kishte mbetur nga emri Plaurent Dervishaj.

Pas tentativave të dështuara për ekstradimin e tij në janar të vitin 2021, Policia e Shtetit ia doli të sillte në Shqipëri Devishajn, pas akuzave që Prokuroria e Posaçme ngriti për përfshirjen e tij në vrasjen e një biznesmeni si dhe atentatit për ekzekutimin e ish-prokurorit të rrethit të Durrësit.

Për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, përballja e Dervishajt për herë të parë me drejtësinë erdhi si rrjedhojë e “angazhimit profesional” të forcave që ai drejton, ndërsa avokati i Dervishajt pretendoi se arrestimi ishte kryer në shkelje procedurash dhe ligjesh ndërkombëtare.

Por, përtej akuzave, Plaurent Dervishajt ia kishte dalë shkallëve të gjyqësorit jo vetëm që të rrëzonte një dënim me burg të përjetshëm, por dhe të shpallej i pafajshëm si autor i dyshuar për pesë vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Një prej personave më të kërkuar që nuk u arrestua kurrë dhe që nga arratia iu gëzua mbylljes së çështjeve nga Gjykata e Lartë, për t’u rikthyer sërish në Shqipëri me pozita të forta në biznes, si kulinari dhe ndërtimi.

Historia e tij është ajo e një burri ndaj të cilit autoritetet dështuan ta ndëshkojnë për vrasjet e viteve 1998-1999, dhe po provojnë ta dënojnë për vrasje të tjera.

Dokumentet e disponuara nga SHTEG-u tregojnë historinë e plotë kriminale për të cilat akuzohet Dervishaj, që nga akuzat për vrasje, rolin e tij në Bandën e Durrësit dhe mënyra si i shpëtoi ai drejtësisë duke rekrutuar edhe njerëzit e zbatimit të ligjit.

Rikthimi i Lentit

Plaurent Dervishaj dhe Julian Mecaj
Credit: shteg.org / Plaurent Dervishaj dhe Julian Mecaj

Mesditën e 20 qershorit 2019 rrethinat e Shijakut u tronditën nga breshëritë e automatikëve. Dy persona të paidentifikuar hapën zjarr pranë ambulancës së fshatit Koxhas në drejtim të një fuoristrade të zezë në të cilën po lëviznin Plaurent Dervishaj, Julian Meçaj dhe Bashkim Haxhija. Autorët zbrazën mbi 40 plumba drejt makinës, por plagosën vetëm Meçajn në këmbë. Ata po inspektonin punimet për një ndërtim pranë zonës ku ndodhi prita.

Që kur ia doli të rrëzojë vendimet e gjykatave me burgim të përjetshëm, emri i Plaurent Dervishajt nuk ishte dëgjuar më. Asokohe ai ishte kthyer në biznesmen. Një lokal dhe restorant me emrin Zodiac në qendër të qytetit bregdetar ishte i tiji. Ortak në biznes kishte Julian Meçajn, ku bashkërisht zotëronin kompaninë “New Zodiac” me aktivitet të gjithanshëm nga ndërtimet publike dhe private të import-eksportit të mallrave industriale, ndërmjetësimin e sigurimeve, konsulencë ligjore etj.

Fakti që makina me të cilën u larguan autorët humbi gjurmë pranë një lokali të familjes së Pëllumb Muharremit, njohur me disa emra dhe nofkën “Rrumi”, mjaftoi që Dervishaj të shpallte atë armik.

Hetimet e prokurorisë tregojnë se Dervishaj u angazhua me të gjitha mënyrat për të marrë hak për atë që duket si konflikt për influenca, interesa pronash dhe ndërtimi në Gjirin e Lalëzit.

Me porosi të Dervishajt u vunë nën vëzhgim ish-prokurori Ndoja, Rrumi dhe më vonë Maneci, nipi i Kapeles, Aldo Avdyli dhe babai i të ndjerit Andi Maloku, Genci.

Të paktën shtatë persona ndiqnin dhe i jepnin Dervishajt informacione për Ndojën dhe Rrumin. Mes tyre ishin Amar Shkëmbi, Bledar Polovina, Endrit Sinani, Redjan Rraja e Julian Meçaj. Për të garantuar se nuk do të përgjoheshin nga autoritetet, të gjithë ishin pajisur me telefona të komunikimit të enkriptuar me Sky ECC.

Hakmarrja

Makina e Prokurorit Ardian Ndoja e goditur nga plumbat, ku gjeti vdekjen shoferi i tij
Credit: shteg.org / Makina e Prokurorit Ardian Ndoja e goditur nga plumbat, ku gjeti vdekjen shoferi i tij

Zbardhja e bisedave të bëra në aplikacionin Sky ECC mes tyre tregoi se në fund të muajit gusht 2019 grupi i Dervishajt kishte nën vëzhgim lëvizjet e ish-prokurorit Ndoja, familjarëve të tij, po ashtu dhe të miqve me të cilët shoqërohej.

Dy muaj më vonë, më 1 nëntor 2019, njerëzit e rekrutuar nga Dervishi realizojnë atentatin ku mbeti i plagosur rëndë prokurori Arjan Ndoja, miku i tij Rrumi dhe gjeti vdekjen shoferi i tij, Andi Maloku. Të tre udhëtonin në një fuoristradë, e cila u qëllua pranë mbikalimit të Shkozetit me drejtim Tiranën nga një veturë tip Mercedes Benz “E Class”.

Policia e gjeti makinën që u përdor nga atentatorët të braktisur rreth 25 kilometra larg vendngjarjes, në fshatin Shkafanë të Ishmit. Në të u gjetën veshje, dy automatikë dhe një pistoletë me zhurmëshues, të cilat më vonë u provua se ishin përdorur në atentat. Pikërisht mënyra se si u la makina me plot prova komprometuese rezultoi vendimtare për fatet e grupit të Dervishajt.

Hetimet provuan se Ariol Halilaj mori autorët në Ishëm dhe se njëri prej tyre ishte “në mënyrë absolute” Redjan Rraja, gjurmët gjenetike të të cilit u gjetën në veshjet e lëna në makinën e braktisur. Rraja u arrestua në Shkodër katër ditë pas atentatit, ndërsa Halilaj gjashtë muaj më vonë.

Pavarësisht se arrestimi i Rrajës dhe Halilajt u kushtëzoi planet, Dervishaj nuk u dekurajua për të larë hesapet me kundërshtarët e tij, pasi për një periudhë u interesua të angazhojë dhe vrasës me pagesë. Po ashtu u interesua të “shpëtonte” nga burgu të arrestuarit duke u gjetur avokatë përmes të cilëve u çonte porosi apo duke u dërguar para të afërmve të tyre.

Bisedat me grupin tregojnë për lidhje me “një të madh në shtet” dhe 300 mijë euro ryshfet për të zhbërë ekspertizën e ADN-së ndaj Rrajës. Flitet për “angazhim të miqve” nga radhët e policisë, ku njëri prej tyre u jepte garanci dhe udhëzime se si të pushonin hetimet. Ky oficer i policisë citohet t’i ketë thënë grupit se “prokurorët nuk kanë prova për bashkëpunëtorin tjetër në vrasje” dhe se “për punë dy vitesh Redjan Rraja del nga burgu nëse nuk kapet njeri tjetër”.

Oficeri thuhet të jetë takuar me Plaurent Dervishajn dhe një person tjetër të njohur me nofkën “Dulla” të cilëve u ka raportuar për ecurinë e hetimeve.

Për këtë angazhim, një nga grupi i Dervishajt diskuton për blerjen e një makine të shtrenjtë për zyrtarin pasi “duhej mbajtur mik”.

“T’ia blej një makinë se na duhet, është mik i mirë shumë për Zotin, të më kishit thënë që në fillim mua, tha, i kisha zhdukur të gjitha [provat] tha,” lexohet mes transkriptimeve të bisedave në lidhje me oficerin e dyshuar bashkëpunëtor.

Krahas korruptimit të njerëzve të organeve ligj zbatuese, Dervishaj dhe veprimet e viktimave të tij.

Genci Maloku, babai i të ndjerit Andi Maloku, shoferit 24-vjeçar që mbeti i vrarë në atentatin ndaj ish-prokurorit Ndoja, nuk u pajtua me ecurinë e hetimeve dhe nisi të kërkonte vetë informacione se kush qëndronte pas Redjan Rrajës në ekzekutim.

Pikërisht ky interesim i tij e ktheu atë në objektiv për t’u eliminuar nga grupi i Dervishajt.

Në biseda me Meçajn dhe një numër të paidentifikuar, Dervishaj pretendon t’i ketë çuar fjalë përmes personave të tretë ish-prokurorit Ndoja se atentati ishte nga dora e tij.

“Me i çuar haber atij Arjanit që e keni prej meje, fjalë për fjalë […] nuk ka më radhë, babën, vëllai, kush t’më dalë në rrugë […] E dija se kush ishte në makinë dhe doja t’i kapja të dy, po nuk ishte e shkruar sepse u bllokua arma e parë dhe u dha mundësi për t’u shmangur,” lexohet mes transkriptimeve të ketë thënë Dervishaj.

Pikërisht vrasja e Andi Malokut dhe orvatja për të eliminuar Pëllumb Muharremin, Arian Ndojën, dhe më vonë Arben Mërkurin e Genci Malokun janë akuzat kryesore ndaj ish-numrit dy të Bandës së Durrësit, i cili tashmë do të japë llogari përpara drejtësisë.

Zyrtarisht për atentatin e 1 nëntorit 2019 Prokuroria e Posaçme ka akuzuar 11 persona: Plaurent Dervishajn, Julian Meçajn, Julian Pjetrin, Arjol Halilajn, Amar Shkëmbin, Bashkim Haxhijan, Bledar Polovinën, Endrit Sinanin, Genti Nderjakun, Ramazan Rrajën e Redjan Rrajën.

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 35 vite burg Arjol Halilajn dhe burgim të përjetshëm Redjan Rrajën. Të tjerët presin të gjykohen.

Lufta mes bandave

Të akuzuarit si anëtar të "Bandës së Durrësit"
Credit: shteg.org / Të akuzuarit si anëtar të “Bandës së Durrësit”

Një vajzë simpatike në plazhin e “Pistës Iliria” tërhoqi vëmendjen e një prej “të fortëve” të Durrësit, Marsel Sotira, më 18 gusht të vitit 1999. Shikimet e vazhdueshme e nxitën t’i prezantohej dhe t’i ofronte diçka për të pirë. Takimi i la mbresa.

Sotira këmbënguli të kishte shoqërinë e vajzës dhe në mbrëmje. Por, ajo që po ngjante si nisja e një dashurie vere, pati tjetër rrjedhë kur mbrëmjen e 22 gushtit Marsel Sotira u qëllua për vdekje nga një breshëri prej rreth 130 plumbash që iu zbrazën në trup pak pasi përcolli vajzën që po njihte prej katër ditësh.

Sotira kishte reputacion si një prej të fortëve të Durrësit. Pavarësisht se ishte oficer i antikontrabandës ai kishte lidhje me krimin e organizuar. Një vit më parë i kishte mbijetuar një atentati në të cilin kishin humbur jetën dy miqtë e tij, Viron Curri e Arjan Paja.

Prej katër javësh ai ishte ngujuar në zonën pranë plazhit pasi i druhej një atentati. Druajtja vinte prej faktit se më 5 korrik ishte vrarë miku tjetër i tij, Eduard Ongari. Prandaj ai qarkullonte i armatosur dhe me makinë të blinduar.

Mënyra se si u vra ish-oficeri i antikontrabandës tregoi për nivelin e lartë të organizimit që kishin arritur rivalët e tij, e ashtuquajtura “Banda e Durrësit”.

Hetimet provuan se vajza që joshi Sotirën, ishte e dashura e Klodjan Saliut dhe se vrasja u krye nga banda ku bënin pjesë si krerë të saj Lulzim Berisha e Plaurent Dervishaj. Prej 10 muajsh ata ishin në luftë me grupin e Sotirës dhe të dyja palët deri në atë moment numëronin plot atentate dhe të paktën shtatë të vrarë.

Pas këtyre vrasjeve grupi largohet përkohësisht nga Shqipëria. Berisha, Dervishaj, Coli e Saliu largohen drejt Italisë.

Për të shmangur një dënim të mundshëm edhe për vrasjen e Sotirës, grupi merr peng vajzën që u përdor në ekzekutim pasi ajo ishte dëshmitarja e vetme. Fillimisht u dërgua në Itali. Më pas u mbajt për rreth 18 muaj deri në qershor 2002, e izoluar në një shtëpi në Spitallë ku u dhunua sistematikisht nga anëtarët e bandës.

Në këtë periudhë autoritetet italiane kishin ndaluar Berishën për llogari të homologëve gjermanë, të cilët kishin ngritur akuza për trafik droge. Dervishaj dhe të tjerët angazhohen për lirimin e tij dhe të Saliut.

Një dëshmitar i tha më vonë prokurorisë se grupi pagoi rreth 200 mijë euro për ta nxjerrë Saliun të pafajshëm për atentatin e parë ndaj Sotirës ku mbetën të vrarë Curri e Paja, si dhe vrasjen e Dishës. Dëshmia në fjalë shtoi dyshimet se banda ishte përgjegjëse për zhdukjen nga magazinat e Policisë së Durrësit të një prej armëve të krimit.

Zhdukja e provave apo konsiderimi i një pjese të tyre të papërdorshme në gjykim rezultoi vendimtare për proceset ndaj Saliut, i cili qëndroi në paraburgim për një vit e gjysmë.

“Blerja” e pafajësisë së Saliut tregoi rritjen absolute të fuqisë së bandës. Grupi nuk njihte më rivalë dhe po gëzonte suksese në sipërmarrje të ligjshme me bare, restorante, hotele dhe kompani ndërtimi.

Sipas dosjes hetimore, Dervishaj dyshohet të ketë marrë pjesë në mënyrë direkte edhe në atentatin e parë ndaj Marsel Sotirës ku u vranë Curri e Paja më 29 tetor 1998 dhe po kështu në vrasjen e Ongarit më 5 korrik 1999. Dëshmitë e siguruara nga prokuroria e kohës e përshkruajnë si ndër më të rrezikshmit e grupit pasi bashkë me Berishën e Saliun konsiderohej ekzekutor direkt edhe i Dritan Sallakut më 17 tetor 1998, tjetër mik i ngushtë i Sotirës.

Pushteti i krimit

Zanafilla ka mesin e viteve ‘90 me aktivitet kryesor prostitucionin, narkotrafikun dhe gjobëvëniet. Falë lëvizjeve drejt Italisë, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ai dhe grupi zgjeruan lidhjet dhe fuqinë ekonomike duke fituar reputacion, aq sa në vitin 1998 nga bashkimi i dy fraksioneve, njëri i qendrës së Durrësit me në krye Lulzim Berishën dhe tjetri i Spitallës me në krye Klodjan Saliun do të formohej ajo që më pas u quajt rëndom si “Banda e Durrësit”.

Për të paktën katër vite deri në ndarjen e tyre në vitin 2003, banda kreu një seri vrasjesh dhe atentatesh të dhunshme në qytet duke përhapur terror. Autoritetet i atribuojnë 16 vrasje, 12 atentate përplasjes me grupet kundërshtare e më vonë konflikteve mes njëri-tjetrit.

Por vetëm pas disa ekzekutimesh të vitit 2005 autoritetet shqiptare lëvizën fort drejt kapjes së anëtarëve të kësaj bande që kishte nisur një luftë mes vetes.

Policia ia doli të arrestojë shtatë persona të dyshuar për lidhje me bandën. Njëri prej tyre, Adriatik Coli. Ish anëtari i banës vendosi të dëshmojë kundër grupit duke bërë që më 15 mars 2006 policia të shpallte në kërkim edhe nëntë të tjerë, mes të cilëve Paurent Dervishaj dhe Lulzim Berisha.

Dervishaj i shpëtoi arrestimit duke u larguar në SHBA. Ai u shndërrua në një prej shqiptarëve më të kërkuar në botë teksa fotoja e tij u botua në rrjetin e Interpolit dhe FBI-së.

Në SHBA gjeti strehë te familjarët që ishin vendosur në Queens, New York. Prezenca e tij i nxiti aspirata kriminale vëllait, i cili nuk kishte si t’i shpëtonte drejtësisë amerikane.

Redinel Dervishaj do të dënohej me 57 vite burg për krijimin e një grupi gjobëvënës në zonën e Astorias. Mediat lokale raportuan se Redi shfrytëzonte lidhjet e Plaurentit për të ngjallur respekt. Ai u dënua maksimalisht pasi rezultonte i përfshirë dhe në një vrasje në Staten Island.

Ndryshe, për aq kohë sa qëndroi në SHBA Plaurenti mbajti profil të ulët duke mos pasur probleme me autoritetet. Por kunati i tij, Lulzim Berisha, nuk pati sukses të ngjashëm. Arratia e tij zgjati vetëm tre javë. Autoritetet e arrestuan më 6 prill 2006 në Maqedoni të Veriut ku ishte futur me pasaportë false.

Të lirë, me vendim gjykate

Anëtarët kryesor të "Bandës së Durrësit
Credit: shteg.org / Anëtarët kryesor të “Bandës së Durrësit

Pas një kalavari të gjatë prej 203 seancash gjyqësore, prej të cilave mbi 180 seanca të shtyra, në janar të 2012  Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda shpalli fajtorë 16 anëtarët e “Bandës së Durrësit”.

Emri i Dervishajt do të përmendej krah Lulëzim Berishës, Indrit Dokles dhe Indrit Taullait, si drejtues të grupit, për të cilët prokuroria kërkoi burgim të përjetshëm.

Prokuroria nuk formuloi akuza për trafik droge, gjobëvënie apo dhunë, por i akuzoi si autorë apo dhe organizator të vrasjeve që ndodhën mes Tiranës dhe Durrësit. Sipas prokurorisë, grupi prej 16 anëtarësh vepronin si “organizatë kriminale”, por gjykata arsyetoi se akuza nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar funksionimin e grupit si organizatë kriminale, çka solli rrëzimin e kësaj akuze.  

Megjithatë Dervishaj, Berisha, Dokle dhe Taullaji u dënuan me burgim të përjetshëm ndërsa të tjetër patën dënime më të lehta.

Vendimi u ankimua nga të gjithë të akuzuarit në Gjykatën e Apelit, me pretendimin se gjyqtari i Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, Gurali Brahimllari, nuk duhej të ishte pjesë e trupës gjykuese për sa kohë familjarë të tij kishin ngritur kallëzim për kërcënime të dyshuara se vinin nga anëtarë të bandës.

Dervishaj pretendonte përmes avokatit se dëshmitari kryesor, Adriatik Coli, kishte gënjyer dhe transformuar dëshmitë e tij. Dervishaj pretendonte se gjykata vendosi ta burgosë përjetë pa pasur prova shteruese dhe se ai u dënua vetëm se ishte kunati i Lulzim Berishës.

Por përtej pretendimeve të të akuzuarve, gjashtë muaj më vonë Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda la në fuqi vendimin e shkallës së parë dukë dënuar përfundimisht drejtuesit e tjerë të bandës me burgim të përjetshëm.

Kjo gjykatë dha 250 vite burg për 12 anëtarët e tjerë të bandës. I vetmi që nuk u përball me drejtësinë ishte Plaurent Dervishaj, procesi i tij gjyqësor u zhvillua në mungesë pasi policia nuk mundi ta arrestojë kurrë.

Por, çështja ndaj “Bandës së Durrësit” u shkërmoq përfundimisht nga Gjykata e Lartë.

Më 16 korrik 2014 tre nga pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë – Andi Çeliku, Shkëlzen Selimi e Artan Zeneli, – rrëzuan dënimet e përjetshme. Treshja e gjyqtarëve arsyetoi se meqenëse akuza e “pjesëmarrjes në organizatë kriminale” kishte rënë në gjykatat e faktit, bashkë me këtë akuzë kishte rënë edhe rrethana rënduese e “vrasjes në bashkëpunim”. Duke qenë se prokuroria nuk kishte ngritur akuza për “rrethana të tjera cilësuese” anëtarët e bandës nuk mund të dënoheshin maksimalisht. 

Në këtë mënyrë, Berisha, Dokle dhe Taullaji i “shpëtuan” dënimit me burgim të përjetshëm, ndërsa për Dervishajn pati tjetër zhvillim, që do e çonte atë drejt “pafajësisë”.

Gjykata e Lartë e dërgoi për rigjykim nën argumentin se Prokuroria i kishte bazuar akuzat vetëm te deklarimet e Colit, pa shoqëruar prova direkte apo indirekte që vërtetonin dëshminë e tij, për akuzat e ngritura nga Dervishajt.

Më 27 prill 2015, në një seancë që zgjati vetëm një orë e gjysmë, prokuroria parashtroi të njëjtat prova me të cilat e njëjta gjykatë e kishte dënuar më parë Dervishajn.

Pa prova të reja Gjykata e Apelit vendosi të prishë dënimet e mëparshme dhe ta pushojë çështjen ndaj Dervishajt.

Prokuroria bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila më 28 janar 2016 vendosi refuzimin e shqyrtimit të çeshtjes. Në këtë mënyrë të gjitha akuzat e ngritura ndaj Dervishajt, qofshin edhe ato të vrasjeve të Sallakut, Currit, Pajës, Ongarit dhe Sotirës, ngjarje këto të ndodhura gjatë viteve 1998-1999, u rrëzuan. Pas janarit të 2016 ai ishte një njeri i lirë.

Drejt lirisë ishte edhe Lulzim Berisha. Ish-kreu i bandës fitoi liri me kusht dhjetë muaj më vonë, në dhjetor 2016 duke përfituar nga “sjellja e mirë” dhe “përkrahja” e Bashkisë Durrës e cila garantoi angazhimin e tij në punë komunitare. Zyrtarisht Berisha kishte dhe të paktën gjashtë vite për të shlyer.

Pak muaj më vonë doli nga burgu dhe Indrit Taullai, i cili përfitoi nga një situatë shëndetësore, ndërsa në vitin 2020 u lirua edhe Indrit Dokle.

Asgjë nuk harrohet

Bisnesmeni i vrarë, Vajdin Lamaj
Credit: shteg.org / Bisnesmeni i vrarë, Vajdin Lamaj

Dy atentate makabre brenda 24 orëve tronditën Shqipërinë në fund të muajit shkurt 2005. Fillimisht u vra Klodjan Saliu pasi u qëllua me armë teksa po lëvizte me makinë në Durrës. Të nesërmen u vranë me eksploziv Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi teksa ishin në ashensorin e një pallati në Tiranë.

Atentatet kishin prapavijë fraksionin e Berishës në “Bandën e Durrësit”, i cili synonte të lante hesapet me krahun tjetër të drejtuar nga Saliu. Në këtë nismë Berisha rezulton se bashkëpunoi me ish-kundërshtarin Viktor Imeri, ndryshe Tori i Xhihanes, krah i djathtë i Gazment Brakës njohur si Gaxhai në Vlorë. Braka dhe Imeri qenë dënuar me burg për jetë për organizimin e atentatit të dështuar, porosi e Marsel Sotirës, ndaj Berishës në vitin 1999, në këtë atentat mbetën të vrarë dy miqtë e Saliut, Ilir Xhunga e Arben Paja, të cilët drejtonin atë ditë makinën e tij.

Saliu, ish-krahu i djathtë i Berishës deri në vitin 2002 ishte prishur me të për pazar droge duke dalë më pas në grup më vete me lidhje të forta kryesisht vëllezërit e tij Ndriçim (2007) dhe Arian Saliu (2008), Indrit Doklen dhe Adriatik Colin.

Nga ana tjetër Berisha vijonte aktivitetin bashkë me Dervishajn e Indrit Taullain. Të dyja fraksionet ishin me nam për dhunë, shantazh dhe luftë territoresh në Durrës.

Pesëmbëdhjetë vite më vonë Prokuroria e Posaçme rihapi hetimet pasi siguroi dëshminë e Luftar Reçit, bashkëpunëtor në të dyja atentatet. Ky ka deklaruar se ka qenë drejtues i makinës nga ku u qëllua Saliu në 2005-n dhe po kështu personi që siguroi minën me telekomandë të përdorur për ekzekutimin e Lamajt.

Me të tillë përfshirje në atentate, Reçi ka përmendur si organizatorë në vrasjen e Saliut Berishën, Dervishajn, Taullain dhe Indrit Rusin. Ndërsa për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe mikut të tij Artan Arsi ka përmendur dyshen Berisha-Dervishaj, Imerin dhe Emiliano Shullazin.

Imeri dhe Shullazi janë aktualisht në burg për çështje të tjera.

Në dhjetor 2020 SPAK-u shpalli në kërkim sipas operacionit të koduar “Asgjë nuk harrohet” Berishën, Dervishajn, Taullain dhe Rusin. Dy të fundit ishin arrestuar prej kohësh, ndërsa Berisha qe ndaluar në Spanjë dhjetorin e vitit 2023. I vetmi që po sfidonte drejtësinë ishte  Plaurent Dervishaj i cili strehohej në Dubai. 

Më 14 gusht të vitit 2024, Dervishaj depërtohet në Shqipëri i prangosur për herë të parë në jetën e tij, edhe pse për më shumë se 25 vjet emri i tij do të ishte ndër më të përfolurit në rekordet e Policisë së Shtetit.

Erblin Vukaj
Gazetar |  + posts

Erblin Vukaj është gazetar i Rrjetit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri. Ai ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Vukaj ka punuar që nga viti 2012 në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ai ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.