Një ndërhyrje e befasishme e Policisë së Shtetit në orët e para të mëngjesit të së shtunës ka ndërprerë transmetimin e News 24 dhe ka bllokuar ambientet e Focus Media News dhe Panorama Group.
Sipas dëshmitarëve, rreth orës 07:00, një grup efektivësh policie të pajisur dhe të uniformuar ka hyrë në oborrin e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë, ku prej vitesh ndodhen zyrat e televizonit News 24. Pak minuta më vonë, energjia elektrike u ndërpre, serverët u shuan dhe në orën 07:36 sinjali televiziv u fik, duke lënë në ekran vetëm një sfond të zi.
Panorama, pjesë e të njëjtit grup mediatik, raportoi se policia po bllokonte hyrjen e gazetarëve dhe po lironte ambientet për t’ia dorëzuar kompanisë shtetërore “KAYO”, një shoqëri e krijuar në vitin 2024 për prodhimin e armëve. Sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të 12 marsit 2025, një pjesë e ish-Uzinës i është kaluar “KAYO”-s, por Panorama Group sh.a., që ka kontratë qiraje deri në vitin 2033, këmbëngul se godina e saj nuk përfshihet në vendim.
Pas disa orësh uzurpim të ambienteve të Focus Media News dhe Panorama Group, Policia e Shtetit u tërhoq nga godina, por jo për t’ia kthyer stafit.
Menjëherë pas largimit të policisë, ndërtesat u ‘pushtuan’ nga trupa të Policisë Ushtarake. I gjithë stafi, teknikët, kameramanët, gazetarët dhe drejtuesit, nuk lejohen të hyjnë në punë.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e ka dënuar ashpër ndërhyrjen, duke e cilësuar “shkelje flagrante të parimeve themelore të demokracisë dhe lirisë së shprehjes” dhe “presion të hapur ndaj medias së lirë”.
Në deklaratën zyrtare kërkohet që institucionet “të ndalojnë menjëherë këtë veprim dhe t’u garantojnë gazetarëve qasje në vendin e punës”.
Raportet ndërkombëtare kanë ngritur prej vitesh shqetësime për klimën e medias në Shqipëri. Departamenti i Shtetit i SHBA ka theksuar se pronarët e disa mediave private përdorin platformat e tyre për të mbrojtur interesa të tjera biznesore, ndërsa institucionet publike shpesh akuzohen për ushtrim presioni dhe kontroll selektiv ndaj zërave kritikë.
Nga privilegjet tek përplasja

Marrëdhënia mes pronarit të Focus Media Group, Irfan Hysenbelliu, dhe pushtetit nuk ka qenë gjithmonë konfliktuale. Përkundrazi.
Hysenbelliut me firmën e Edi Ramës iu dha një leje ndërtimi në plazhin e Golemit për projektin Prestige Resort, një hotel luksoz i ngritur mbi rërën e plazhit, duke kufizuar kalimin e lirë të qytetarëve dhe duke prishur një kondicion urbanistik të ruajtur për dekada, që ndalonte ngritjen e ndërtimeve mbi lartësinë e pishave karakteristike të zonës.
Ky ishte i njëjti vend ku, vite më parë, fotografitë e publikuara treguan një drekë luksoze mes kryeministrit Rama dhe Hysenbelliut. Në atë kohë, shkeljet e lejes së ndërtimit, shmangia e taksave apo zaptimi i hapësirave publike dukeshin detaje të parëndësishme, për sa kohë që News 24, Panorama dhe BalkanWeb nuk i krijonin “shqetësim” qeverisë.
Më pas u pretendua se kompania kishte shkelur kondicionet e lejes së ndërtimit dhe ishin shmangur taksat, ndaj Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit shembi dy pishinat që zyrtarisht u tha se ishin “ndërtime pa leje mbi tokë shtetërore”.
Por shenjat e prishjes së marrëdhënieve nisën disa muaj më parë, kur mediat e Hysenbelliut rritën tonin kritik ndaj qeverisë, ndaj dhe pronarët i lidhën aksionet me presionin ndaj linjës editoriale kritike.
“Ky është një plan i Edi Ramës,” deklaroi publikisht Fabiola Hysenbelliu, nënkryetare e grupit të kompanive.
“Ka tentuar të negociojë linjën editoriale të News 24 dhe Panorama. Ne nuk do të ndryshojmë. Çfarë po bën nuk do të na nënshtrojë.”
Aso kohe qeveria e hodhi poshtë akuzën. Ministria e Brendshme tha se ndërhyrja ishte pjesë e një fushate të gjerë kundër ndërtimeve pa leje dhe e akuzoi median e Hysenbelliut për “lojën e viktimës” për të mbuluar shkelje ligjore.
Në maj 2025, kompania “Birra Tirana”, po në pronësi të Hysenbelliut, u vu nën sekuestro nga Drejtoria e Tatimeve, pas një hetimi që përfundoi me akuza për evazion fiskal. Hetimi erdhi vetëm pak javë pasi media e tij kishte akuzuar publikisht drejtorin e tatimeve për korrupsion.
Ndërhyrja e së shtunës në News 24 shënon kulmin e këtij konflikti, ndërkohë, politikanë të opozitës kanë denoncuar hapur çështjen e fundit, duke pretenduar se një nga mediat e fundit kritike në vend po shënjestrohet nga qeveria.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.