Në një shoqëri ku trysnia sociale, lodhja psikologjike dhe frustrimet e përditshme gjejnë gjithnjë e më pak rrugëdalje të shëndetshme, është bërë zakon që çdo e keqe të projektohet mbi Policinë e Shtetit. Nga vonesat në trafik te konfliktet mes qytetarëve, nga aksidentet fatale te krimet e rënda në mënyrë thuajse instinktive, reagimi i parë i opinionit publik është: “Ku është policia?” Ose më keq: “Faji është i policisë.”
Ky lloj reagimi është kthyer në një refleks social të dëmshëm. Njëlloj si rrufepritësi që përthith gjithçka nga qielli, Policia e Shtetit është shndërruar në një shënjestër ku derdhen mllefi, zhgënjimi dhe frakturat emocionale të një shoqërie që shpesh nuk arrin të përballojë problemet e veta. Fajin e kërkojmë gjithmonë diku jashtë vetes, dhe polici, i veshur me autoritetin e shtetit, bëhet figura ideale për këtë projektim kolektiv.
Sigurisht, askush nuk pretendon se policia është e përkryer. Përkundrazi. Janë të njohura rastet kur policia ka dështuar në etikë, në profesionalizëm, në reagim apo në ndjeshmëri njerëzore. Ka punonjës që abuzojnë me detyrën, që e shkelin ligjin që janë thirrur të mbrojnë, që sillen me arrogancë në vend të përulësisë që kërkon uniforma. Por as kjo nuk justifikon denigrimin total të institucionit. Sepse të kërkosh përmirësim është një gjë, të fajësosh verbërisht është një tjetër.
Problemet e shoqërisë shqiptare janë të thella dhe komplekse si, mungesë edukate qytetare, mosrespektim i rregullave, kulturë e dobët komunikimi, mungesë përgjegjësie individuale dhe shpesh një farë tolerance për kaosin. Të gjitha këto nuk janë krijuar nga policia, dhe nuk mund të zgjidhen vetëm prej saj. Përkundrazi, ajo përballet çdo ditë me pasojat e tyre.
Në këtë kontekst, ne duhet të kuptojmë se Policia e Shtetit është një strukturë që operon në kushte reale, shpesh të vështira, me burime të kufizuara dhe nën trysni të vazhdueshme politike, mediatike dhe qytetare. Në vend që ta mbështesim në përmirësim, shumë shpesh i kërkojmë të jetë gjithçka gjykatës, psikolog, zjarrfikës, topograf, inxhinier, ndërmjetës, ekspert trafiku, reagues për çdo situatë, dhe mbi të gjitha, pa gabime. Ndërsa vetë nuk respektojmë rregullin më elementar.
Një polici e dekurajuar, e përqeshur publikisht, e akuzuar pa drejtësi për çdo incident, nuk mund të jetë në gjendje të funksionojë me përkushtim dhe efikasitet. Çdo punonjës policie që niset drejt detyrës me frikën se do të shpallet fajtor, çfarëdo që të ndodhë, nuk mund të jetë një garant i sigurisë për askënd. Dhe ky nuk është vetëm dëm për uniformën, por për të gjithë ne.
Ne duhet të ngremë pritshmëritë tona ndaj policisë, por njëkohësisht duhet të rrisim edhe respektin. Nuk mund të kërkosh një polici moderne, të aftë dhe të përgjegjshme, ndërsa e paragjykon, e linçon dhe e konsideron si “shërbëtore të pushtetit” apo “armike të qytetarit”. Sepse rendi nuk është i njëanshëm, është një produkt kolektiv, dhe pa bashkëpunimin e ndërsjellë midis policisë dhe shoqërisë, ai nuk mund të garantohet.
Duhet të mësojmë të ndajmë përgjegjësinë. Të kritikojmë me arsye, jo me mllef. Të gjykojmë me fakte, jo me emocione të pakontrolluara. Të kërkojmë llogari me dinjitet, jo me urrejtje. Sepse edhe vetë polici, pas uniformës, është qytetar. Është biri apo bija e një familjeje, është prind, është fqinj, është pjesë e kësaj shoqërie, që vuan të njëjtat probleme si çdo qytetar tjetër.
Dhe nëse duam një polici më të mirë, më njerëzore, më të drejtë dhe më të aftë, nuk mund ta shajmë për çdo gjë që shkon keq. Përkundrazi, duhet ta sfidojmë me kritika të ndershme, ta vlerësojmë kur vepron me profesionalizëm, dhe ta mbështesim në përpjekjet e saj për t’u përmirësuar. Sepse vetëm atëherë, edhe Policia e Shtetit do të jetë pasqyrë e një shoqërie që po rritet, jo rrufepritëse e dështimeve tona kolektive.
Pedagog në Akademinë e Sigurisë, me mbi 20 vite përvojë në strukturat e Policisë së Shtetit. Gjatë karrierës së tij, ai ka mbajtur funksione drejtuese në disa prej drejtorive vendore të policisë në qytete të ndryshme të vendit, ku është dalluar për menaxhimin efektiv të rendit publik dhe forcimin e kapaciteteve operacionale të strukturave policore. Përkushtimi i tij ndaj profesionalizmit dhe etikës në shërbim e ka bërë një prej figurave më të respektuara në radhët e Policisë.
Në vazhdën e zhvillimit të tij profesional, Agim Basha ka ndjekur një sërë trajnimesh të specializuara brenda dhe jashtë vendit. Ai është trajnuar nga programe të mbështetura nga ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnimin në Hetimet Penale të Departamentit Amerikan të Drejtësisë), PAMECA (Asistenca e Bashkimit Evropian për Reformën në Sektorin e Sigurisë) dhe institucione të tjera ndërkombëtare të fushës së rendit dhe sigurisë. Aktualisht, në rolin e pedagogut, ai kontribuon në formimin profesional të brezave të rinj të oficerëve, duke sjellë në auditor përvojën e tij të gjatë dhe njohuritë e përfituara në nivel ndërkombëtar.