Elbasan – Në çastin kur vendos të garojë për kreun e Policisë së Shtetit, agjentët e SPAK i sekuestrojnë telefonin drejtorit të policisë së Elbasanit Ilir Proda, nën dyshimet se ka dekonspiruar operacionin policor për kapjen e grupit kriminal Çopja. Në lupën e SPAK, sëbashku me Prodën, janë vënë edhe disa policë të tjerë dhe agjentë të BKH-së, Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Burime të besueshme pranë SPAK thonë për Shteg se dyshimet lindën pas operacionit që përfundoi me vetëm 13 të arrestuar nga 33 në total, ku qëllimi kryesor ishte vënia në pranga e vëllëzërve nga Elbasani, Hajdar dhe Franc Çopja. Nxjerrja e sekretit hetimor dyshohet se nuk është bërë vetëm nga Proda por edhe nga agjentë policorë dhe ata të BKH-së, të cilët ditën e fundit të muajit korrik ishin në terren për ekzekutimin e urdhër-arresteve. Krerët e grupit kriminal Çopja mbeten ende në arrati dhe dyshimet për konspiracion nga vetë njerëzit me uniforma policie që duhet t’i arrestonin, kanë bërë që ata ta kenë terrenin e lirë për t’u shpëtuar sërish hesapeve me drejtësinë. Paralelisht me sekuestrimin e telefonave celularë të Prodës dhe të tjerëve, ku hetuesit mund të gjejnë prova të rënda kompromentuese, të tjerë drejtues të lartë policorë që kanë qenë në dijeni të operacionit, janë objekt hetimi.
Ditët e fundit, Proda vendosi të konkurrojë për të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit, për të zëvendësuar kështu Muhamet Rrumbullakun, ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë të dorëhequr pak kohë më parë. Ishte pikërisht Rrumbullaku i cili i besoi Prodës në 8 mars të vitit 2023 drejtimin e një prej drejtorive më të rëndësishme por edhe sfiduese të policisë, për shkak të grupeve kriminale të qytetit, fuqia e të cilëve shkon përtej kufijve shqiptarë.
Një vit pas marrjes së detyrës, në 8 mars të këtij viti, drejtori i policisë së Elbasanit kaloi me sukses procesin e vettingut, proces i cili skanon kryepolicët në tri aspekte: nga aftësitë profesionale, në vlerësimin e kontrollin e figurës si dhe pasurinë. Ai u vlerësua i besueshëm në të gjitha kriteret, por dyshimet e fundit të SPAK mund ta ndryshojnë situatën.
Cili është grupi kriminal Çopja?
Vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja, ende në kërkim policor, janë nën akuzë për drejtimin e një grupi kriminal që drejton një prej rrjeteve më të mëdha të kokainës në Europë. Me qëllim mbizotërimin në tregun kriminal, ata dyshohet se kanë porositur një sërë vrasjesh kundrejt grupeve kriminale rivale. Ata u vunë zyrtarisht nën hetim nga SPAK rreth dy vite më parë, pas dëshmive të dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë Nuredin Dumani dhe Erion Alibej, ky i fundit një prej armiqve të përbetuar të fisit Çopja.
Në gushtin e këtij viti, me anë të një njoftimi zyrtar për mediat, SPAK bëri të ditur përfundimin e hetimeve ndaj dy vëllezërve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Sipas provave dhe dëshmive të mbledhura, ka rezultuar se Hajdar dhe Franc Çopja, të fuqizuar nga paratë e fituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës, pastronin paratë në sektorin e ndërtimit dhe kishin mundur që në qytetin e Elbasanit të korruptonin njerëz të policisë dhe gjyqësorit, nga nivelet më të ulëta e deri tek ato më të lartat.
Veprimtaria kriminale e fisit Çopja daton në vitet 2006-2007 dhe e ka zanafillën në shtetin Italian, ku nisën për herë të parë shpërndarjen e kokainës. Me kalimin e viteve pushteti I tyre kriminal u fuqizua dhe ata e shtrinë trafikun në shtete të ndryshme europiane. Për këtë qëllim, në vitin 2018 ata nisën financimin e vrasjeve me pagesë për eleminimin e kundërshtarëve, mes të cilëve vrasjen e trefishtë në Bradashesh të Elbasanit, ku mbeti i vrarë rivali i tyre Endrit Alibej.
Paratë e përftuara nga më shumë se një dekadë krim, Çopjat i investuan në sektorin e pasurive të paluajtshme në qytetet Elbasan, Tiranë dhe Durrës.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.