Tiranë – Një operacion policor ka zbuluar një rrjet kriminal që shpërndante drogë pranë shkollave, lokaleve dhe qendrave rinore në kryeqytet. Operacioni i koduar “Blic 34”, i realizuar nga Policia e Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë, ka çuar në arrestimin e 27 personave dhe shpalljen në kërkim të 7 të tjerëve.
Sipas hetimeve disa mujore, të kryera me metoda speciale të ndjekjes dhe përgjimeve, është dokumentuar aktiviteti kriminal i grupit, i cili operonte në mënyrë të organizuar duke përdorur komunikime të koduara dhe shpërndarës të shumtë të drogës nëpër lagje të ndryshme të qytetit.
Hetimet kanë zbuluar se ky rrjet kriminal kishte si synim kryesor shpërndarjen e drogave të forta pranë gjimnazeve, shkollave 9-vjeçare dhe universiteteve të Tiranës.
Sipas deklaratës së Drejtorit të Policisë Vendore të Tiranës, Elton Alushi, ky operacion është rezultat i një pune të gjatë hetimore, e cila ka nisur në fillim të vitit 2025. Hetimet kanë përfshirë përdorimin e metodave speciale të ndjekjes dhe mbledhjes së provave, duke mundësuar dokumentimin e veprimtarisë kriminale të grupit.
Në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, janë ekzekutuar 34 masa sigurie “Arrest me Burg”, të urdhëruara nga Prokuroria. Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për të arrestuar personat e tjerë të përfshirë.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, të cilat ishin destinuar për tregun e brendshëm, kryesisht për t’u shpërndarë pranë shkollave dhe qendrave rinore. Sipas Policisë, gjatë këtij operacioni janë sekuestruar, 3.4 kilogramë kokainë, 150 doza heroinë, 500 doza ekstazi, 12 kg kanabis sativa. Policia sekuestori 26 telefona celularë të përdorur për komunikim të koduar dhe 10 automjete të ndryshme të përdorura për transportin e drogës.
Sipas hetimeve paraprake, këta persona vepronin individualisht, të shpërndarë në të gjithë territorin e Tiranës, duke përdorur metoda të ndryshme për të shmangur kontrollin e policisë. Ata përdornin aplikacione të koduara për të komunikuar dhe transportonin drogën nëpër qytet përmes mjeteve motorike, duke e shpërndarë në lokalet e natës dhe pranë shkollave.
Në një raport të më hershëm “shteg.org” zbuloi se gjatë vitit 2024 Policia e Shtetit ka proceduar penalisht 2300 persona ndërsa ekspertët ngrënë shqetësime për rritjen e konsumimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike në vend.
Ekspertët ngrenë shqetësimin se Shqipëria është kthyer edhe në vend konsumator ndërsa statistikat tregojnë se grupet kriminale kanë rrjete të gjera shpërndarësish në të gjithë vendin.
Raporti i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi përdorimin e substancave të palejuara mes adoleshentëve tregon për rritje nga 7% (2015) në 11% (2022) të numrit të minoreneve në Shqipëri, të cilët thonë se e kanë provuar së paku një herë kanabisin.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.