Policia nën shënjestrën e krimit

Të blerë nga krimi, ose në shënjestrën e krimit. Duket se të jesh punonjës policie në Shkodër, nuk ke rrugë të mesme. E nëse kategoria e parë rrezikon në rastin më të keq burgun dhe përjashtimin nga radhët e policisë, policët e ndershëm e paguajnë haraçin me gjënë më të shtrenjtë: jetën.

1002
Efektivë policie në një vendngjarje kriminale në Shkodër
Credit: LSA

12 marsin e këtij viti, polici Gjergj Ndërshtiqaj, puna e së cilit kohët e fundit kish qenë kontrolli dhe asgjësimi i parcelave të mbjella me hashash në zonën e Shoshit në Shkodër, pa vdekjen t’i kalonte para syve. Automjeti në të cilin po udhëtonte sëbashku me kunatin e tij, Gjon L., u bë shoshë nga 106 plumba, por burrat mundën të shpëtonin mrekullisht. Ata sapo kishin dalë nga një lokal në Grudë të Re në orët e mbrëmjes, kur nga pas u ndoqën nga një makinë e panjohur, për rreth 3 kilometër. Tre autorët pritën sa polici të ndalonte dhe qëlluan me breshëri kallashnikovësh në drejtim të tij dhe familjarit.

Furia e plumbave bëri që automjeti i tyre të shpërthejë dhe atentatorët të largohen, me mendimin se e kryen misionin për të cilin ishin nisur. Por polici 30-vjeçar dhe kunati i tij shpëtuan mrekullisht. Ndërshtiqaj mori tri plumba dhe Gjon L. u plagos me 2. Hetimet nuk mundën të zbardhnin kurrë as porositësit dhe as autorët, por motivi i ngjarjes ishte profesioni i të riut, i cili kish mbuluar deri në atë kohë një zonë të vështirë, ku “ligjin” e bënte hashashi. 

“Ky është një ndër atentatet më të rënda që na është bërë ndonjëherë ne policëve” – thotë në kushtet e anonimatit një koleg i Ndërshtiqajt. Dhe doza e ankthit shtohet kur duhet të pranojë një të vërtetë të hidhur. “Atentatet bëhen sepse shiten policët. Atentatorët diku marrin informacion, sepse është e pamundur që ata t’i njohin të gjithë policët. Dikush i shet policët” – thotë efektivi i policisë së Shkodrës. 

Statistikat tregojnë se në katër vitet e fundit, 13 atentate janë kryer ndaj punonjësve të Policisë në Qarkut të Shkodrës, dhe se hetimet tregojnë se policët janë shndërruar në shënjestra për shak të ushtrimit të detyrës së tyre.  

Shifrat tregojnë se policët janë shtresa më e sulmuar në radhët e drejtësisë. Askush nga institucionet e tjera, as prokuroria e as sistemi gjyqësor nuk ka pasur kaq sulme sa kanë ndodhur me uniformat blu. 

Nga përballja me krimin, në tri dekadat e fundit, 229 policë kanë humbur jetën në detyrë.

Eksplozivi, ‘i preferuari’ i atentatorëve

Prelë Milani, punonës policie në Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër
Credit: Eraldo Harlicaj
Prelë Milani, punonës policie në Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër

Mbrëmjen e 4 janarit 2020, salla operative e policisë së Shkodrës mori njoftimin për një shpërthim me eksploziv. Shënjestra ishte banesa e kolegut të tyre, Prelë Milani. Në derën e pasme të shtëpisë së tij, në lagjen “Guerile”, sasia e tritolit që shpërtheu, fatmirësisht nuk shkaktoi viktima por dukshëm përçoi një mesazh tek i zoti i shtëpisë. 

“Mbaj mend se sapo dola nga shtëpia për të shkuar në punë, kur më merr gruaja në telefon shumë e shqetësuar dhe më thotë se ka ndodhur një shpërthim. Kthehem me vrap në shtëpi dhe konstatoj se na ishte vënë tritol ne derën e banesës sonë, në oborr. Familja ishte trembur shumë nga ky shpërthim dhe unë nuk e dija nga vinte” – thotë agjenti i krimeve në Shkodër, Prelë Milani, i cili gjithashtu në të shkuarën kish mbajtur pozicionin e shefit të policisë së Thethit, një tjetër zonë e mbjellë masivisht me kanabis.

Ngjarja e pati një autor, Dedë Nikën, i cili u akuzua për “kanosje për shkak të detyrës” ndaj Milanit, “shkatërrim të pronës me eksploziv” dhe “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”. Ai u dënua nga gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër me 5 vite e 6 muaj burgim. Nika nuk e pranoi kurrë fajësinë e ngjarjes. 

Karriera prej më shumë se 20 vitesh në polici e ka “veshur” Prelë Milanin me nuhatjen për ta kuptuar lehtësisht burimin e rrezikut. “Atentatet ndodhin zakonisht për shkak të fjalëve. Ta bëri ky, e ta bëri ai. Shtyjnë njeri-tjetrin për shkak të punës dhe ndodh e keqja. Kryesisht për shkak të aksioneve që kemi bërë në Dukagjin dhe në zonat e thella malore” – thotë Prelë Milani.  

Ai e ka marrë mesazhin e tritolit, e megjithatë, duket se me rrezikun është mësuar. 

“Është e vërtetë që atentatet ndikojnë për keq tek të gjithë oficerët e policisë, por nuk duhet të na ndalojnë së bëri punën tonë. Të mos harrojmë që personat që punojnë në Policinë e Shtetit kanë përgatitjen e duhur fizike, teknike dhe psikologjike për t’iu bërë ballë sfidave të tilla, prandaj ngjarje të tilla nuk duhet të na stepin aspak” – shprehet Milani. 

E ndërsa mesazhi dërgohet i fuqishëm tek shënjestrat, për hetuesit eksplozivi është shumë i vështirë për t’u dokumentuar. “Kjo lidhet me një arsye të thjeshtë, sepse sulme të tilla janë shumë të vështira për t’u zbuluar, pasi nuk lënë gjurmë” – thotë kreu i policisë së Shkodrës, Sulaj.

Shumë raste, pak zbulueshmëri

Edmond Sulaj, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër
Credit: Eraldo Harlicaj
Edmond Sulaj, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër

Por këto dy atentate nuk janë të vetmet, edhe pse më seriozet. Sipas statistikave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, 13 ngjarje kriminale janë shënuar nga 2020-2024, ndaj vetë atyre që kanë për detyrë të ruajnë rendin dhe sigurinë publike.

“8 vepra janë kryer ndaj punonjësve të Komisariatit të Policisë Shkodër, 1 ndaj punonjësit të Policisë Pukë dhe 4 ndaj punonjësve të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër” – konfirmojnë burime zyrtare të policisë. Sulmet janë kryer kryesisht ndaj policëve të terrenit, atyre të patrullimit dhe forcave “Shqiponja”, efektivëve të policisë rrugore apo oficerëve të policisë gjyqësore. 

Nga 13 atentatet e kryera, burime policore konfirmojnë se vetëm 3 prej tyre janë zbardhur. “Tre nga këto raste janë zbardhur dhe në 1 rast autori është arrestuar në flagrancë” – pranon drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj. 

Rastet e zbardhura lidhen me sulmet ndaj efektivit të policisë Milani, ish-kreut të Policisë Bashkiake në Malësinë e Madhe, Mentor Hasanaj si dhe ndaj efektivit Admir Okaj. 

Atentati ndaj Mentor Hasanajt, i ndodhur në 11 tetor 2020 në rrethrrotullimin e “5 heronjve të Vigut”, kishte si autor Ilirjan Hasanaj. Autori 19-vjeçar qëlloi me armë zjarri babë e bir, Mentor dhe Xhelal Hasanaj, të cilët morën plagë në kokë dhe në trup. Ndaj tyre u qëllua me 8 plumba kallashnikovi. Për ironi të fatit, autori ishte djali i një ish-polici, i cili e bindi të birin që të vetëdorëzohej gjatë negociatave me policinë. Motivi i plagosjes së dyfishtë nuk u zbulua kurrë. 

Më i thjeshtë për t’u zbuluar rezultoi të ishte sulmi ndaj efektivit të policisë, Admir Okajt, mbase sepse shkak i ngjarjes ishin motivet banale dhe jo parcelat e kanabisit. Më 28 mars 2024, ai u qëllua nga mbrapa me sende të forta, në mes të tregut të Zdrales. 49-vjeçari u godit nga fqinji i tij Ormir Gucia, i cili pas plagosjes u vetëdorëzua në komisariat.

Autorët e drejtimeve të paditura

Fatmirësisht, asnjë prej 13 atentateve të viteve të fundit, nuk kanë prodhuar viktima. Kryesisht, atentatorët kanë synuar të japin mesazhe paralajmëruese. Pavarësisht zbulueshmërisë së ulët, drejtori i Policisë së Shkodrës, Edmond Sulaj, është ende optimist për zbardhjen e tyre. 

“Fakti që janë mbyllur hetimet nga Prokuroria dhe më pas janë kthyer në Policinë e Shkodrës nuk do të thotë se çështjet do të përfundojnë të pazbardhura. Ne po punojmë me të gjitha kapacitetet në mënyrë që të kemi zbardhje të këtyre ngjarjeve” – thotë Sulaj.

Por jo kaq besimplotë sa Sulaj është ish-kolegu i tij, Sadedin Fishta, i cili prej vitesh drejton Sindikatën e Policisë. Ai thotë se këto ngjarje zbehin tek të rinjtë dëshirën për t’u bërë pjesë e policisë. “Situata në radhët e policisë nuk është aspak pozitive. Çdo vit ka largime në masë. Pasi bëjnë 3 vite në detyrë, policët ikin duke braktisur uniformën blu. Pamë pak ditë më parë se 400 studentë të dalë nga Akademia e Policisë morën detyrën, por numri i përgjithshëm nuk ka ndryshuar. Pra, janë thjesht mbulime për largimet në masë që janë bërë” – argumenton Sulaj.

Policët tradhtarë

Sky Serbia
Credit: James O’Brien/OCCRP

Zbardhja e përgjimeve të bisedave në aplikacionin SKY ECC ka nxjerrë zbuluar lidhjet e drejtuesve të Policisë së Shtetit me bandat, deri në dekonspirim aksionesh, devijim hetimesh, apo dhënie informacionesh për të nxjerrë në pritë kundërshtarët e tyre. Një ndër rastet më të paprecedenta të zbuluara deri tani mbetet ai i arrestimit të Oltion Bistrit, ish-Shefit të Operacionales, i cili raportonte në detaje tek biznesmeni Pëllumb Gjoka, gjithashtu i arrestuar, si biznesmen i kazinove të paligjshme dhe porositës vrasjesh për kundërshtarët e tij të trafiqeve të paligjshme. 

Një tjetër emër i kësaj dosjeje, që përfundoi gjithashtu pas hekurave ishte dhe ai ish-drejtorit të policisë së Lezhës, Henerigert Mitri. Ky i fundit dyshohet se kishte marrë përsipër të mbronte një kazino të paligjshme të Gjokës në Lezhë, por nuk ia kishte dalë mbanë. Madje, i ishin hapur dhe probleme pasi nuk kishte mbajtur fjalën e dhënë. 

Një tjetër “ushtar” me uniformë policie që i jepte informacione Pëllumb Gjokës dhe lidhjeve të tij kriminale, ishte shefi i krimeve, Ardit Hasanbegaj. Ai e informonte biznesmenin për hetimet e vrasjes së Gjin Boriçit, dhe Gjoka i kërkonte devijimin e hetimeve. 

Episode të tilla ngrenë pikëpyetje të mëdha edhe për serinë e atentateve ndaj policëve. Zbardhjet e përgjimeve të SKY ECC forcojnë dyshimet se persona brenda radhëve të policisë janë informatorët që nuk kursejnë as kolegët e tyre. 

Ky shkrim është marrë me shkurtime nga Insight Story.

Eraldo Harlicaj
+ posts

Eraldo Harlicaj aktualisht punon si gazetar në emision televiziv “Inside Story” në Top Channel. Ai ka një eksperiencë të mëparshme si gazetar në disa media shqiptare.

Ka mbaruar studimet në Universitetin Barleti me degën Marketing dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.