Që kur Edi Rama erdhi në pushtet në vitin 2013, bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë janë përballur me drejtësinë, shumë prej tyre të dënuar me vendim gjykate. Ish-ministra, kryetarë bashkish nga i gjithë vendi dhe deputetë socialistë apo në koalicion me të majtën qeverisëse u futën në listat e kandidatëve pavarësisht të shkuarës së errët të tyre. Në 11 vite qeverisje, katër ministra, dhjetëra kryebashkiakë dhe anëtarë të Parlamentit janë përballur me drejtësinë, e shumë të tjerë thirren në ambientet e SPAK-ut në cilësinë e personave që kanë dijeni për hetimin. Deri më sot, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është i vetmi që u ka “shpëtuar” prangave dhe rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Vjedhje shumëmilionëshe e fondeve të BE-së
Mëngjesin e 4 korrikut 2024 ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj hyri në ambientet e policisë së Tiranës me pranga në duar, për t’u transferuar më pas në qelitë e paraburgimit, ku do të përballet me drejtësinë në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij për korrupsion madhor me fondet e Bashkimit Europian.
Beqaj, një ndër figurat e rëndësishme politike të Partisë Socialiste dhe bashkëpunëtori i ngushtë i kryeministrit Rama që nga ardhja në pushtet e Partisë Socialiste në vitin 2013, iu shtua listës së gjatë të politikanëve të majtë, të cilët nga marrja e pushtetit në 2013 e deri më sot vijojnë të akuzohen, arrestohen, shpallen në kërkim ndërkombëtar dhe dënohen.
Zanafilla e hetimeve që përfundoi me akuza të rënda ndaj Beqajt – korrupsion dhe mosdeklarim i të ardhurave – ishte 6 shtatori i vitit të kaluar, kur ndaj krahut të djathtë të tij, Ermal Kurtulaj, u regjistrua procedim penal. Kurtulaj mbante postin e koordinatorit të EUSAIR-it, projekt i mbështetetur nga BE-ja dhe që menaxhohej nga SASPAC (Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës), drejtor i së cilës ishte Beqaj.
Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar gjatë hetimeve mundën të provonin se Beqaj në bashkëpunim me Kurtulajn urdhëronin kompani të ndryshme që të realizonin procedura fiktive prokurimi me vlerë miliona euro për shërbime që nuk kryheshin, paratë e të cilave përfundonin tek restorant “Gzona” në kryeqytet, pronare e së cilit ishte bashkëshortja e Ilir Beqajt.
Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetëisë po hetohet nga SPAK-u edhe për koncensionin e sterilizimit.

Afera e inceneratorëve
Ish-zëvendëskryeministri shqiptar Arben Ahmetaj ka statusin e të kërkuarit ndërkombëtar që prej 24 korrikut 2023. Ahmetaj, i cili ka mbajtur disa poste të rëndësishme në 10 vitet e para të qeverisjes socialiste, akuzohet se është personi kyç në aferën e inceneratorëve, një ndër më të mëdhatë në historinë e Shqipërisë së pas ’90-s.
Ai akuzohet nga SPAK-u për “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Nga hetimet e dosjes së inceneratorëve, dëmi financiar i të cilave ka shkuar në rreth 200 milionë euro, u arrit në konkluzionin se Ahmetaj ka ndikuar përmes veprimeve ose mosveprimeve të tij në biznesin “fantazmë” të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit, pronarë në letra të inceneratorëve të Fierit, Tiranës dhe Elbasanit. Nga arratia në daljet e tij publike Ahmetaj ka deklaruar se “nëse SPAK-u do të hetonte siç duhet inceneratorin e Tiranës, do të zbuloheshin të vërteta të llahtarshme”, duke shenjestruar në këtë mënyrë kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, një tjetër bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Rama, pjesë e hetimeve të dosjes së inceneratorëve, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të qeverisë, Engjëll Agaçi.
Për inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, pesha më e madhe ligjore ra mbi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili u dënua me 5 vite e 8 muaj për korrupsion dhe pastrim parash dhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike. Ish-Sekretari i Përgjithshëm i së njëjtës ministri, Alqi Bllako, u shpall i pafajshëm nga gjykata.
Ish-ministri “kampion” i trafikut ndërkombëtar të drogës
Saimir Tahiri është ish-ministri më jetëgjatë në drejtimin e një prej dikastereve më të rëndësishme në vend: Punëve të Brendshme. Tahiri, gjithashtu një prej figurave të rëndësishme të Partisë Socialiste, u dënua më 4 shkurt të vitit 2022 për “shpërdorim detyre” nga Gjykata e Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai u vu nën hetim në vitin 2017 nën akuzën se, duke qenë në postin e ministrit të Brendshëm, kishte ndihmuar klanin “Habilaj” në Vlorë, me të cilët kishte lidhje të largëta familjare, për të vijuar “të qetë” trafikun ndërkombëtar të drogës mes Italisë dhe Shqipërisë.
Pjesa më e madhe e hetimeve ndaj Tahirit dhe Habilajve u krye nga prokuroria italiane, në dosjen e së cilës përmendeshin të paktën katër episode të trafikimit të drogës kundrejt Italisë, episode në të cilat dyshohej se ishte përfshirë dhe ministri i Brendshëm i kohës. Një nga episodet më të përfolura dhe më flagrante ishte shitja e makinës “Audi A8” nga Tahiri tek njëri prej vëllezërve Habilaj, automjet i cili përdorej nga këta të fundit për trafikun e drogës mes dy shteteve. Prokuroria kërkoi 12 vite heqje lirie në ngarkim të Tahirit, por gjykata nuk gjeti prova.
Tahiri është një nga bashkëpunëtorët, të cilët kryetari i PS-së, njëkohësisht kryeministër, e ka mbrojtur më së shumti publikisht dhe e pati konsideruar kampion në drejtimin e Ministrisë së Brendshme. “Qysh se u bëra kryeministër, kam komunikuar me Saimir Tahirin më shumë se me tim bir. I dhashë besimin si gjithë të tjerëve, por siç tregoi koha, atij iu desh më shumë se të tjerëve. A është i pafajshëm Saimir Tahirit?? Kësaj pyetjeje nuk i iki asnjëherë. Boll e kam bërë avokatin e Saimir Tahirit në gjyqet e sheshit tonë mediatik dhe politik. E kam bërë pa ma kërkuar asnjëherë, dhe më vjen mirë që nuk ma ka kërkuar as këtë herë. Unë e dua Saimirin, por sot dua më shumë drejtësinë të më tregojë të vërtetën”, deklaronte kreu i qeverisë në pikun e skandalit.
Kryebashkiakët e korruptuar
Një numër i konsiderueshëm kryetarë bashkish apo komunash në vend janë përballur me akuza për korrupsion e shpërdorim detyre që prej vitit 2013. Ndër arrestimet më të rëndësishme mbetet ai i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, i votuar që nga viti 2007 dhe drejtues i qytetit bregdetar për 3 mandate. Dako u arrestua në qershor të vitit 2023 me akuzën e shpërdorimit të detyrës, së bashku me pesë zyrtarë të bashkisë dhe një ndërtues. Ai u hetua për dy çështje të ndara nga njëra-tjetra: e para kishte të bënte me tenderin e ndërtimit të një shëtitoreje dhe e dyta me dhënien e lejes së ndërtimit për një pallat. Bashkia që ai drejtonte ka qenë vazhdimisht pjesë e shkeljeve të gjetura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku dëmet arrinin shumën e qindra miliona lekëve. Më herët, Vangjush Dako ishte shpallur “person i padëshirueshëm” nga Departamenti Amerikan i Shtetit për shkak të “korrupsionit madhor”. Dako ishte një figurë thelbësore politike e PS-së në qarkun e Durrësit, shpeshherë i lakuar për lidhjet e tij me bandat kriminale të Shijakut, me të cilat dyshohej se bashkëpunonte gjatë fushatave zgjedhore.
Pjesë e listës së gjatë të të zgjedhurve vendorë të hetuar dhe dënuar janë edhe ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, i cili në këmbim të favoreve seksuale në zyrën e tij premtonte dhënie tenderi për qentë endacake të qytetit; ish-kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, për shkelje të barazisë në tendera; ish-kryebashkiaku i Lushnjës, Fatos Tushe, i arrestuar në zyrën e tij pas hetimeve se kish shkelur barazinë në tendera; ish-kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, dënuar për shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim, si dhe një sërë kryebashkiakësh të tjerë, ndaj të cilëve vazhdojnë hetimet.
Trafikantët në Parlament dhe Bashki
Në mandatin e parë socialist, në Parlament dhe në bashkitë e vendit hynë në listat e kandidatëve, për herë të parë, edhe persona me precedentë të rrezikshëm penalë, siç ishte vrasja, trafiku ndërkombëtar i drogës, i qenieve njerëzore, pjesëmarrje në organizata kriminale, vjedhje dhe akuza të tjera të rënda. Tomë Doshi, Arben Ndoka, Mark Frroku dhe Armando Prenga, që të gjithë me dosje voluminoze penale nga e shkuara, u bënë pjesë e parlamentit shqiptar.
Korrikun e një viti më parë, një investigim i OCCRP – Organizata për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – zbuloi se deputeti Tomë Doshi, biznesmen dhe politikan i fuqishëm shqiptar i lidhur me kryeministrin e vendit, drejton një grup të organizuar kriminal të përfshirë në pastrim parash, trafik droge dhe veprave të tjera penale në Australi. Investigimi iu referua raporteve konfidenciale të shërbimeve secrete, të cilët kanë të dhëna se klani i Doshit, baza e të cilit është në Shkodër, ka abuzuar sistematikisht me sistemin e emigracionit të Australisë, duke ndërtuar “një strukturë të tërë kriminale shqiptare të krimit të organizuar” në të gjithë Australinë e Jugut. Sipas inteligjencës australiane, klanet shqiptare, duke nisur nga viti 2000, kanë përdorur identitete të rreme dhe lidhje të afërta me agjentët e migracionit për të dërguar njerëzit e tyre në Australi e më pas atje ngritën celulat në Adelaide, Melburn, Perth dhe vende të tjera. Në dosje, Doshi përshkruhet si “koka” e një grupi “që përbëhet kryesisht nga familja e tij e madhe”. (Vendosni me linked shkrimin origjinal: https://www.occrp.org/en/investigations/influential-albanian-politician-led-organized-crime-group-in-australia-intelligence-reports-claim)
Emri i Arben Ndokës dhe pjesëmarrja e tij në organizatë kriminale, si dhe porositja e vrasjeve me pagesë doli në përgjimet e fundit të “Sky Ecc” në dosjen “Metamorfoza”. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej majit të këtij viti. Mark Frroku ka qenë një tjetër deputet i inkriminuar, i ulur në Parlamentin shqiptar. I akuzuar për shumë vepra të rënda penale në Belgjikë, mes të cilave vrasje dhe trafikim qeniesh njerëzore, Frroku ia doli të hynte në politikën shqiptare. Pak muaj më parë ai u vu në pranga për një pronë në Kepin e Rodonit, ku pati një përplasje me armë mes një grupi prej 8 personash, dhe u la i lirë vetëm pak ditë më pas. Armando Prenga hyri gjithashtu në Parlament edhe pse ndaj tij kishte një dënim në Itali për vjedhje dhe falsifikim dokumentesh. Ai u përfshi në një konflikt mes dy familjesh për prona në Lagunën e Patokut gjatë kohës që ushtronte detyrën si deputet, kur u vu nën akuzë për “plagosje të lehtë me dashje”, “mbajtje e armëve dhe municione luftarake” dhe “kanosje”.
Valdrin Pjetri, ish-kandidati i PS-së për bashkinë Shkodër, dha dorëheqjen pasi kishte falsifikuar formularin e dekriminalizimit. Pjetri ishte dënuar në Itali në vitin 2003 për trafik droge. Një tjetër emër është edhe ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, i prangosur nga policia italiane në maj të vitit 2022 me 20 kilogramë kokainë të fshehura në vazo me lule.
Pak kohë më parë, kryebashkiaku i bashkisë së Libohovës, Leonard Hida, u vu nën akuzë për “shpërdorim detyre”, pasi gjatë kohës që ka qenë shef i krimeve në komisariatin e Gjirokastrës, dyshohet se ka favorizuar kultivimin e lëndëve narkotike në disa fshatra të qarkut kundrejt marrjes së rryshfetit.