Profesionistët e lirë arritën të fitojnë betejën me qeverinë për ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, e konsideruar si antikushtetuese nga Gjykata.
Konflikti mes 27 mijë të vetëpunësuarve dhe qeverisë nisi verën e kaluar, kur Ministria e Financave hodhi për diskutim publik rikthimin e tatimit mbi fitimin. Vetëm 7 ditë para se ligji të hynte në fuqi, qeveria shpalli dhe listën e profesioneve të lira që do të rifuteshin në skemën tatimore.
1 korriku 2024 ishte afati i fundit që të vetëpunësuarit duhet të paguanin 15% tatim mbi fitimin e parashikuar nëse do të kishin të ardhura nën 14 milionë lekë në vit dhe mbi këtë shumë do të paguanin 23%. Shumat që profesionet e lira duhet të paguanin ishin përllogaritur bazuar në fitimin e deklaruar për vitin 2023.
Ligji u kundërshtua nga profesionistët e lirë, të cilët në shkurt të 2024-s iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese. Ekspertët kundërshtuan mënyrën se si qeveria vendosi t’i përfshinte në skemën tatimore, me parapagim, duke iu referuar bilanceve tatimore të vitit paraardhës.
Ankesës së tyre iu bashkua edhe opozita politike, dhe në një padi prej 42 mijë fjalësh iu kërkua Gjykatës Kushtetuese pezullimi i Ligjit për Tatimin mbi të Ardhurat që parashikonte vendosjen e një tatimi me dy shkallë progresive për të gjithë të vetëpunësuarit si Profesionistë të Lirë.
“Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat prek tre tema kushtetuese në lidhje me sigurinë juridike të pronës dhe cenimin e barazisë përpara ligjit”, deklaroi deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, në seancën e parë publike të zhvilluar në mesin e qershorit 2024.
Ndërsa relatori i qeverisë, Niko Lera, argumentoi se ligji mbi taksimin e profesionistëve të lirë ishte hartuar në bazë të rekomandimeve të FMN-së dhe Bankës Botërore. “Gjykata Kushtetuese nuk mund të shprehet në lidhje me politikat fiskale të qeverisë, pasi këto janë atribut vetëm i qeverisë”, deklaroi në seancë Niko Lera.
Përtej kontestimeve të qeverisë, Gjykata Kushtetuese vendosi pranimin e kërkesë-padisë së katër grupeve të interesit dhe Grupit Parlamentar të PD-së, vendim ky që u konsiderua nga të gjithë si një fitore. Por, edhe pse Gjykata foli, drejtoritë e tatimeve vijuan përmes e-maileve t’u kujtojnë subjekteve detyrimin që duhet të shlyejnë sipas ligjit të miratuar nga qeveria.
Profesionet e lira shpëtojnë nga barra tatimore
Ndërsa Gjykata Kushtetuese kishte shpallur seancën e dëgjesës publike në 18 qershor 2024, Drejtoria e Tatim-Taksave kishte nisur thirrjet për zbatimin e Ligjit mbi Tatimin e të Ardhurave. Në mes të këtij nxitimi nga ana e qeverisë, përfaqësuesit e palës paditëse i kërkuan Gjykatës Kushtetuese që të pezullonte zbatimin e ligjit në fjalë, kërkesë që u rrëzua nga trupa e gjykatës e rrëzoi. Gjithsesi, pasditen e 27 qershorit 2024, tre ditë përpara afatit përfundimtar të vendosur nga tatimet për pagesën e këstit të parë, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese u shpreh për anti-kushtetutshmërinë e ligjit.
Gjykata duke njohur të drejtën e ligjvënësit për të aplikuar politikat fiskale vlerësoi ndryshimet e bëra nga qeveria si veprime që “cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike dhe parimit të proporcionalitetit.
“Fakti që detyrimi tatimor prej 15% ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre të përshtateshin me skemën e re tatimore” u konsiderua nga Gjykata si cenim i lirisë së veprimtarisë ekomomike.
Edhe tatimi prej 15% nuk e kalonte testin e proporcionalitetit dhe gjykata e vlerësoi atë si një masë të papërshtatshme në kushtet kur masat e tjera alternative nuk janë marrë parasysh.
Bazuar mbi këto argumente, Gjykata Kushtetuese vendosi shtyrjen e pagesës së taksës për profesionet e lira në janar 2030, një vendim i rrallë në llojin e vet kur trupa gjykuese kushtetuese ndërhyn në politikat fiskale të qeverisë.
Ky vendim pritet të jetë një pikë kthese për të trajtuar çështjet e politikave fiskale nën prizmin e parimeve kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u komentua si një rrëzim i argumentit të qeverisë se profesionet e lira kishin qenë ndër ato grupe që i ishin shmangur pagimit të taksave.
Si erdhën deri këtu?
Gjatë fushatës elektorale të vitit 2021 një nga temat më të nxehta ishte taksimi i bizneseve të vogla. Partia Demokratike propozoi vendosjen e një takse në 2.5% të xhiros për bizneset e vogla deri në 14 milionë lekë të ardhura, ndërkohë që propozimi i kryeministrit socialist Rama ishte ajo e 0 taksave për biznesin e vogël. Pas fitores së zgjedhjeve të 25 prillit 2021, kryeministri organizoi një tur dëgjesash dhe më pas në dhjetorin e atij viti deklaroi se Shqipëria do të kishte taksën 0% mbi gjithë bizneset e vogla deri në fund të vitit 2029. Ndërkohë, një raport i publikuar në media nga FMN mbi Strategjinë afatmesme i këshillonte qeverisë jo vetëm që mos të çedukonte tatimpaguesit përmes përjashtimeve nga taksat, por njëkohësisht edhe vendosjen e një taksimi mbi xhiron. Thirrjet e FMN-së kaluan në veshin e shurdhët, ndërsa Kryeministri i ftoi bizneset e vogla të gëzonin taksën 0%.
Sipas FMN-së, një nga problemet më të theksuara të sistemit tatimor shqiptar ka qenë krijimi i përjashtimeve fiskale që kanë ndikuar negativisht në edukimin fiskal të tatimpaguesve. Në raportin mbi Strategjinë Afatmesme të Politikave Fiskale, ky institucion ndërkombëtar e ka këshilluar qeverinë shqiptare që të heqë dorë nga përjashtimi me taksat dhe të vendosë një politikë fiskale taksimi për të gjithë qytetarët duke shmangur sa më shumë përjashtimet tatimore. Sugjerime të ngjashme pati dhe Banka Botërore.
Gjendur përballë presionit ndërkombëtar të FMN-së dhe Bankës Botërore, qeveria nisi të përgatiste një propozim ligjor që do të rregullonte politikën fiskale vetëm për një grup të caktuar tek biznesi i vogël: Profesionistët e Lirë, që sipas Administratës tatimore janë 27,000 në gjithë Shqipërinë.
Në tetor 2022, dhjetë muaj pas hyrjes në fuqi të taksës 0% për bizneset e vogla, qeveria depozitoi në kuvend një propozim ligjor për ndryshimin e Ligjit “Për Tatimin mbi të Ardhurat” që do të përfshinte në një skemë taksimi progresiv 0-14 milionë lekë me normën 15%, ndërkohë që mbi 14 milionë lekë të ardhura me një tatim 23%.
Në mars të vitit 2023 në sallën e kuvendit vetëm 12 votuan kundër propozimit të qeverisë, ndërkohë që 69 vota pro të socialistëve mundën të kalojnë propozimin ligjor për taksimin e Profesionistëve të Lirë.
Mirilda Tili është gazetare i Rrjetit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri. Ajo ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Tili ka punuar që nga viti 2005 në media, shtyp të shkruar dhe televizion, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe në 10 vitete e fundit fokus ka qenë ekonomia. Në këtë të fundit, buxheti i shtetit, tatimet dhe taksat, aviacioni, bujqësia, transporti, energjia kanë qenë prioritet.