Ish-prokurori i Sarandës Sali Hasa do të rikthehet në burg. Apeli i GJKKO la në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me 2 vite e 4 muaj burg për ish magjistratin e akuzuar për korrupsion, por me ndryshimin që pjesën e mbetur të dënimit ta vuajë në qeli dhe jo në shërbim prove.
Gjykata e Shkallës së Parë, në maj të vitit 2022 e dënoi Sali Hasën me 28 muaj, por ai kishte qëndruar një vit në paraburgim dhe pjesa e mbetur iu la 4 vite shërbim prove.
Pas vendimit të Apelit, ish-prokurori do të kthehet në burg për të vuajtur thuajse 10 muajt e tjerë të mbetur. Ai u hetua edhe për fshehje pasurie por u shpall, i pafajshëm.
Në vendimin e trupës gjykuese të kryesuar nga Engert Pëllumbi, me anëtarë Igerta Hysi dhe Iliriana Olldashin, konfiskohen në favor të shtetit 1,000 euro, ndërsa i kthehen paratë e tjera të sekuestruara ish-prokurorit Hasi 10 milionë lekë dhe 1000 euro.
Hasa u arrestua në qershor 2021 pasi ishte përfshirë në një rast korrupsioni pasi ka pushuar një procedim penal kundrejt marrjes së parave për një të pandehur të përfshirë në organizatë kriminale.
Ish-magjistrati, u prangos për korrupsion, pasi nga hetimet e SPAK rezulton se ka pushuar një procedim penal kundrejt marrjes së parave dhe bashkë me të u arrestuan edhe 5 persona të tjerë me akuzën e korrupsionit.
Pas arrestimit dhe dënimit, në korrik 2023 Hasa u shkarkua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndërsa u largua përfundimisht nga sistemi për shkak të vetingut.
Prokurori u vlerësua vetëm sa i përket pasurisë dhe KPK e shkarkoi për probleme në këtë kriter. Dy vjet pas këtij vendimi me kërkesë të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi shkarkimin e Hasës nga sistemi i drejtësisë.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.