Prokuroria e Posaçme tregon arritjet e 5-vjeçarit

61 zyrtarë të lartë janë proceduar penalisht për korrupsion, ndërkohë që 955 persona janë proceduar për përfshirjen në organizata kriminale. Amerikanët kërkojnë kandidimin e prokurorëve për një mandat të dytë.

725
Altin Dumani në ceremoninë e 5-vjetorit të krijimit të Prokurorisë së Posaçme
Credit: LSA

61 zyrtarë të lartë të administratës shtetërore janë proceduar penalisht për akuzën e korrupsionit ndërsa 955 shtetas të tjerë janë hetuar si të dyshuar për përfshirjen e tyre në organizata kriminale.

Këto janë statistikat që kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani prezantoi gjatë një ceremonie që përkonte me 5-vjetorin e krijimit të këtij institucioni.

Dumani u shpreh se me ngritjen e SPAK shoqëria shqiptare hodhi një hap vendimtar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe si provë e këtij suksesi ai tha se janë sekuestruar dhe konfiskuar mbi 180 milionë euro asete të siguruara përmes veprimtarive të jashtëligjshme.

Për të kremtuar 5-vjetorin e krijimit të SPAK kishte mbërritur enkas nga Uashingtoni edhe zv/sekretari amerikan i shtetit, Alexander Kasanof si dhe Silvio Gonzato, Ambasadori i Delegacionit të BE-së.

Diplomatët e huaj në deklaratat e tyre theksuan se pavarësia e Prokurorisë së Posaçme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është thelbësore për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Kasanof deklaroi se për të siguruar vazhdimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet që prokurorët të aplikojnë edhe pas mbarimit të mandatit.

“Për t’u siguruar që SPAK të vazhdojë pandërprerë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ne besojmë se prokurorët e SPAK-ut duhet të lejohen të aplikojnë për të shërbyer sërish pas përfundimit të mandatit të tyre aktual. Dështimi për të realizuar këtë mund të ndërpresë përpjekjen më të suksesshme kundër krimit në historinë shqiptare dhe rrezikon humbjen e profesionistëve tuaj më me përvojë” – tha zëvendës/ndihmësi i Sekretarit Amerikan për Ballkanin Perëndimor.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, e ndryshuar për t’i hapur rrugën reformës radikale në drejtësi, prokurorët e SPAK-ut kanë një mandat të kufizuar.

Neni 148/d i saj si dhe ligji “për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin e krimin e organizuar”,  parashikon se prokurorët e Prokurorisë së Posaçme emërohen në detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një mandat 9-vjeçar.

Në fakt, teza e hedhur nga diplomati amerikan Alexander Kasanof, nuk është e re.

Në maj 2024, gjatë një raportimi të bërë në Kuvend kreu i SPAK-ut argumentoi nevojën për ri-kandidimin e prokurorëve të posaçëm.

“Kudo që ka mandat nuk ka liri, qëndrueshmëri në rezultate” u tha Dumani deputetëve duke shtuar se nuk ka kuptim që “një prokurori që është në mes të një hetimi të rëndësishëm t’i ndërpritet puna në mes me mbarimin e mandatit”.

Përveç Kasanos, fjalën në ceremoni e mori dhe Silvio Gonzato, ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ai u shpreh se për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin është e rëndësishme bashkëpunimi midis të gjitha institucioneve të drejtësisë.

“Ripërforcimi i bashkëpunimit mes të gjitha institucioneve të drejtësisë është kyç për të forcuar besimin e publikut te sundimi i ligjit dhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të qëndrueshëm”, – deklaroi Gonzato.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.