Prokuroria e Posaçme ka zbutuar kërkesën për dënimin e ish-gjyqtarit Fatos Lulo duke kërkuar gjykatës masën e dënimit në një vit burg të konvertuar në 2 vite shërbim prove. Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetueses, akuzohet për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë, vlerë të cilën institucionet ligj zbatuese e kanë përllogaritur në rreth rreth 600 mijë eurove.
Më 7 Maj të vitit 2020, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për veprën penale të refuzimit, fshehjes së deklarimit të pasurisë ose deklarimin e rremë, pasi nga hetimi i kryer rezultoi se ish-gjyqtari kishte në pronësi prona të paluajtshme, të cilat nuk mund t’i justifikonte me burime të ligjshme të të ardhurave.
Ish gjyqtari nuk ka arritur të justifikojë të ardhurat për blerjen e një apartamenti dhe një zyre/dyqan në zonën e “Rrugës së Durrësit”. Lulo pretendon se dyqani i tij, me vlerë 120 mijë euro, dhe një shumë prej 100 mijë dollarësh i janë dhuruar nga motra e tij. Të motrës, ish gjyqtari ka deklaruar se i ka marrë hua edhe 480 mijë dollarë, e cila sipas komisionit të Vetting-ut, nuk ka pasur të ardhura të ligjshme financiare për të blerë godinën e dyqanit dhe për t’ia dhuruar.
Për këtë arsye, SPAK paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për sekuestrim të dyqanit të ish-gjyqtarit. Kjo kërkesë u pranua nga GJKKO-ja më 20 prill të 2021-shit.
Vepra penale e fshehjes së pasurisë parashikohet në nenin 257 të Kodit Penal, ku saktësohet se fshehja apo deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese ishte i pari magjistrat që iu nënshtrua procesit të vetting-ut, duke u kthyer në të parin magjistrat të larguar nga sistemi i Drejtësisë më 23 mars të 2018-s, pas vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK-së) se pasuria e tij prej qindra mijra eurosh nuk justifikohej me burime të ligjshme të të ardhurave. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Kolegji I Posaçëm i Apelit më 17 korrik të vitit 2018.
Sipas Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), Lulo ka kryer deklarim të rremë të pasurisë. Ndërkohë që ishte pjesë e sistemit të Drejtësisë, më vitin 2017, pasuria e tij shkonte në vlerën e 78 milionë lekëve, ndërkohë që të ardhura të ligjshme të deklaruara nga ish-gjyqtari ndër vite shkonin në 30.100.635 lekë.
Vlera totale e përllogaritjeve nga Komisioni përfshin apartamentin e ish-gjyqtarit në Tiranë, që më vlerë monetare shkon në 9.3 milionë lekë; apartament banimi në Kanada, që shkon në vlerë monrtare në 14.200.222 lekë. Gjithashtu, Komisioni ka përllogaritur edhe vlerën monetare të një zyre me sipërfaqe 74 metrakatrorës, paratë cash të dhuruara nga e motra, 100 mije dollarë amerikanë, dhe 400 mijë dollarë kanadez të depozituara në Kanada.
Ish-gjyqtari Fatos Lulo nisi karrierën e tij një vit pas përfundimit të studimeve për Drejtësi, më vitin 1989 ku ka punuar pranë Këshillit të Ministrave, ndërkohë që në vitet 1994-2004 ka punuar si avokat. Ai ka qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2013 deri në vitin 2018.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.