Prokuroria kërkon dënimin e Behar Bajrit me 15 vite burg

Prokuroria kërkon mbi 70 vite burg për shtatë të pandehur, mes tyre biznesmenë dhe ish-zyrtarë të drejtësisë, të akuzuar për atentate të planifikuara, korrupsion dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

284
Metamorfoza
Credits: shteg.org - Metamorfoza

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme pretencën për shtatë të pandehur në kuadër të dosjes së njohur si “Metamorfoza”. Të hetuar për vepra të rënda penale, përfshirë organizim atentatesh, pjesëmarrje në grupe kriminale dhe korrupsion ndaj zyrtarëve të drejtësisë, të pandehurit rrezikojnë dënime të rënda me burg.

Në qendër të akuzave qëndron Behar Brajoviq, për të cilin Prokuroria kërkoi 15 vite burg. Brajoviq konsiderohet si një ndër organizatorët kryesorë të urdhërimit të disa vrasjeve të mbetura në tentativë ndaj shtetasve Kleant Musabelliu, Dorian Duli, Genc Tafili dhe Ibrahim Lici. Ai akuzohet gjithashtu për mbajtje pa leje të armëve, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe korrupsion aktiv ndaj funksionarëve të lartë të drejtësisë. SPAK kërkoi që dënimi të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në kuadër të gjykimit të shkurtuar.

Për biznesmenin Pëllumb Gjoka, i cili përballet me akuza të ngjashme me ato të Brajoviqit, u kërkua 14 vite burg. Ai akuzohet për mbajtje të armëve pa leje dhe përfshirje në skema korrupsioni me zyrtarë të sistemit të drejtësisë.

Edmond Preka, i pranishëm në sallën e gjyqit, u përball me kërkesën për 11 vite burg, i akuzuar për pjesëmarrje në grup kriminal, sigurim të kushteve për kryerjen e vrasjeve dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë, për Astmer Bilalin u kërkua 10 vite burg për përfshirje në planifikimin e vrasjes së disa personave dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.

Ardit Hasanbegaj, ish-zyrtari i policisë, u përball me kërkesën për 9 vite burg, për sigurim të kushteve për vrasje dhe anëtarësi në një grup kriminal.

Për ish-kolegun e tyre, Xhevahir Lita, i akuzuar për zbulim aktesh sekrete dhe korrupsion pasiv prokuroria kërkoi dënimin me me 6 vite burg. Sipas hetimeve, ai ka favorizuar Behar Brajoviqin dhe të tjerë gjatë hetimeve. Për të njëjtat akuza u kërkua dënim me 9 vjet heqje lirie edhe për Oltian Bistrin, ish-polic.

Dosja e njohur si  “Metamorfoza” nisi në janarin e vitit 2023 pas një kallëzimi të bërë nga Lulë Zefi dhe djali i saj Donald Zefi, të cilët pretendonin se si trashëgimtarë nga Drande Hotaj të një pasurie prej rreth 39 hektarësh truall në Velipojë kishin konstatuar tjetërsime të paligjshme nga trashëgimtarë të tjerë pas të cilëve përfitonte sipërmarrësi Pëllumb Gjoka.

Prokuroria e Posaçme nisi hetimet për grup të strukturuar kriminal, falsifikim dokumentesh dhe pastrim parashë.

Por në korrik 2023 këtë çështje SPAK-u e bashkoi me një procedim të tjetër në të cilin përfshihej biznesmeni Gjoka. Ky po hetohej paralelisht që në muajin mars nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), e cila në bashkëpunim me Eurojust, Europol dhe autoritetet gjyqësore franceze, e përfshinin mes të dyshuarve në të tjera aktivitete kriminale ku dallonin korrupsioni, armëmbajtja pa leje, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe sigurimi i kushteve për të kryer vrasjen e Gjin Ndojit (2020), dhe atentatet ndaj Kleant Musabelliut, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit (2020-2021).

Më 23 korrik 2023 Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Gjokës dhe 14 të dyshuarve të tjerë: Behar Bajri, Denis Bajri, Ervis Martinaj, Edmond Preka, Klaodor Hakaj, Prekë Kodra, Astmer Bilali, Aleks Ndreka, Bardhyl Mavraj, Eljon Hato, Arsad Bashli, Ardrit Hasanbegaj, ish-shef i Krimeve në Policinë Shkodër, Oltian Bistri, ish-drejtor Forcës Operacionale dhe Xhevahir Lita, ish-prokuror i Shkodrës.

Policia mundi të arrestonte vetëm gjashtë prej të kërkuarve, mes të cilëve tre ish-zyrtarët e forcave të zbatimit të ligjit, sipërmarrësin Gjoka, shoferin e tij Preka dhe ish-sportistin Bilali.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.