Prokuroria kërkon dënimin me burg për kryebashkiakun socialist, Eduard Duro

SPAK kërkon 1 vit burg për kryebashkiakun e Devollit dhe heqjen e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

527
Eduard Duro, kryetari i Bashkisë Devollit
Credit: Facebook

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me një vit burg për Eduard Duro, kryebashkiakun e Partisë Socialiste të Devollit, nën akuzën për “shpërdorim detyre”. Po ashtu, SPAK kërkoi që Duro të mos ketë të drejtë të ushtrojë funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim Duron dhe disa zyrtarë të tjerë të Bashkisë Devoll, të akuzuar për shpërdorim detyre. Ndër ta, janë edhe Astrit Seferkolli, Gazmend Haxhija, Gazmend Malo dhe Vojsava Bregu.

Hetimet filluan në vitin 2020, pas denoncimeve nga një kompani, e cila pretendonte se kishte pësuar dëm ekonomik nga vendimet administrative të marrë nga kryebashkiaku dhe stafi i tij. SPAK gjeti shkelje ligjore në dhënien e lejeve dhe autorizimeve për shoqërinë “Genci Petrol” sh.p.k., e cila ka përfituar në mënyrë të padrejtë nga veprimet e administratës lokale.

Në vitin 2015, Vojsava Bregu, në rolin e Administratorit të Njësisë Qendër Bilisht, ka dhënë një leje në kundërshtim me ligjin për shoqërinë “Genci Petrol”, që lejonte tregtimin e karburanteve në Devoll. Po ashtu, Eduard Duro, në cilësinë e kryebashkiakut, në bashkëpunim me zyrtarët e tjerë të Bashkisë, ka dhënë autorizime për këtë aktivitet, pavarësisht se shoqëria nuk plotësonte kërkesat ligjore për këtë veprim.

Nga ana tjetër Eduard Duro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Devoll, në bashkëpunim me zyrtarët e Sektorit të të Ardhurave dhe Liçencimit në Bashkinë Devoll, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë Devoll, Astrit Seferkolli pajisën shoqërinë tregtare me autorizimin për tregtimin e karburanteve.  Autorizimi nga Duro është dhënë në kundërshtim me ligjin nr. 8450, dt 24.02.1999  dhe VKM nr. 970 dt. 2.12.2015 dhe në këtë kohë “Genci Petrol” sh.p.k. nuk ka qenë i pajisur me dokumentacionin ligjor të kërkuar.

Në këtë mënyrë, “Genci Petrol” ka operuar në mënyrë të paligjshme, duke përfituar ndihmën e zyrtarëve të Bashkisë për të shkelur ligjin, dhe si rezultat ka realizuar përfitime të padrejta.

Eduard Duro është kryebashkiaku i 22-të i Partisë Socialiste që vihet nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme për shkelje të ligjit.

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.