Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të zgjasë edhe me tre muaj të tjera afatin hetimor ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar më 21 tetor 2024. Hetimet, që përfundonin më 10 qershor, do të vijojnë deri në muajin shtator, sipas vendimit të ri të SPAK.
Meta dyshohet për disa vepra penale që lidhen me korrupsionin, pastrimin e parave dhe fshehjen e pasurisë.
Akuzat iu komunikuan zyrtarisht më 27 maj 2025 dhe u konfirmuan sërish sot, më 9 qershor, nga avokati i tij, Kujtim Cakrani sipas të cilit vendimi për zgjatjen e hetimeve është i paligjshëm dhe paralajmëroi apelimin e vendimit.
“Do ta ankimojmë këtë vendim. Është i pajustifikuar dhe përbën shkelje të të drejtave të klientit tim, i cili vijon të mbahet në paraburgim prej mbi 7 muajsh, pa prova konkrete.” – deklaroi Cakrani.
Sipas tij, SPAK nuk ka përfunduar ende mbledhjen e provave dhe po pret një akt ekspertimi që lidhet me ish-vjehrrën e Metës, një fakt që, sipas Cakranit, është i parëndësishëm për çështjen dhe tregon natyrën politike të hetimeve.
“Nuk ka asnjë fakt pse mbahet ende në paraburgim. Presidenti është rrëmbyer dhe po përndiqet politikisht. Kjo është një prokurori politike,” tha ai, duke e krahasuar arrestimin e Metës me raste të tjera politike në rajon, përfshirë edhe kryetarin e Bashkisë së Stambollit.
Sipas nenit 323 të Kodit të Procedurës Penale, afati paraprak i hetimit është tre muaj nga regjistrimi i çështjes, por në raste të ndërlikuara, si ato për korrupsion dhe krim të organizuar, prokuroria ka të drejtë të kërkojë zgjatje të afatit me vendim gjykate, deri në dy vjet ose më shumë, nëse justifikohet.
Megjithatë, sipas avokatit Cakrani, SPAK ka tejkaluar afatet ligjore dhe nuk ka dhënë një bazë të qartë ligjore për zgjatjen e fundit.
Cakrani e cilësoi vendimin si një veprim që synon përndjekjen politike të numrit dy të opozitës: “Nuk e di me çfarë detyrimesh e ligjesh punon SPAK për këtë inkuizicion. As Aranit Çela nuk ka arritur në këtë situatë. Ai është numri dy i opozitës, pas zotit Berisha. Pas 6 vitesh hetimesh, tani kërkojnë përsëri zgjatjen e hetimit. Kjo çështje do shkojë deri në Gjykatën Evropiane. Ne jetojmë në një vend autokrat, në autokraci. Këto janë mjetet ligjore.” – tha ai.
Ilir Meta është zyrtarisht i pandehur për tri çështje të bashkuara në një dosje nga SPAK: afera CEZ–DIA, lobimi në SHBA dhe hetimi pasuror. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, ndërsa pritet komunikimi i akuzave edhe për persona të tjerë të përfshirë, përfshirë Ema Çokun dhe Piro Xhixhon.
Mbrojtja ka paraqitur gjithashtu rekurs në Gjykatën e Lartë për masën e sigurisë, ndërkohë që përgatitet dokumentacioni për një ankim edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe më tej në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.