Prokuroria sekuestron Lamborghinin e modifikuar të Arbër Muçës

Automjetet dhe pasuritë e tjera të dyshuara për përfshirje në trafik narkotikësh dhe pastrim parash arrijnë një vlerë totale prej 2 milionë euro.

170
Arbër Muça
Credits: shteg.org - Arbër Muça

“Lamborghini Urus Mansory”, një automjet luksoz i modifikuar nga fabrika e njohur Mansory, është sekuestruar nga Prokuroria e Fierit, si pjesë e hetimeve për Arbër Muçën, i dyshuar për përfshirje në trafik narkotikësh dhe pastrim parash.

Automjeti ka ardhur në Shqipëri nga Dubai, përmes ndërmjetësve të dyshuar, dhe është modifikuar në mënyrë të veçantë për ta bërë më të shtrenjtë dhe të dallueshëm në treg.

Lamborghini Urus Mansory” i shtohet një listë të gjatë pasurish të sekuestruara më parë nga autoritetet.

Megjithatë, ky nuk është i vetmi automjet i sekuestruar. Prokuroria ka zbuluar një seri automjetesh të tjera luksoze dhe të shtrenjta, të cilat i përkasin ose janë në përdorim të personave të lidhur me Arbër Muçën. Ndër to, ndodhen makina të njohura për luksin e tyre, të cilat janë përdorur për të fshehur burimin e parave të fituara në mënyrë të paligjshme.

Një vit më parë, prokuroria kishte konfiskuar pasuri të tjera të lidhura me Arbër Muçën, duke përfshirë automjete, bizhuteri dhe paluajtshme, që arrijnë një vlerë totale prej rreth 2 milionë euro.

Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka marrë vendimin për sekuestrimin e këtij automjeti luksoz në vijim të procedimit penal që ka nisur që në vitin 2020, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas prokurorisë, vendimi për sekuestrimin e automjetit ka ardhur më 10 korrik 2025, pas hetimeve të detajuara që zbuluan se automjeti ishte sjellë në Shqipëri me anë të personave të tretë, për të maskuar origjinën e pasurive të paligjshme. Kjo është vetëm një pjesë e një hetimi më të gjerë, që përfshin aktivitetin kriminal të Muçës dhe përpjekjet e tij për të mbuluar pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme.

Prokuroria ka regjistruar procedimin pasuror nr.3 të vitit 2024, në kuadër të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Ky sekuestrim ka ardhur një vit pas konfiskimeve të mëparshme ndaj pasurive të tjera të Muçës, që përfshijnë 10 pasuri të paluajtshme me një sipërfaqe totale prej 7,918.54 m2, 13 automjete të ndryshme, dhe një llogari bankare me vlerë deri në 120,000 euro.

Në hetim, janë zbuluar edhe pasuri të tjera të tilla si një makinë “Ferrari” dhe një orë të shtrenjtë “Rolex”, duke çuar kështu vlerën totale të pasurive të sekuestruara në 1.8 milionë euro.

Desada Sadiku
+ posts

Gazetare me përvojë në raportimin e kronikës së zezë dhe çështjeve politike në Shqipëri.
Gjithashtu, ajo ka qenë pjesë e “Investigative Journalism Lab” pranë “Albanian Center for Quality Journalism” (ACQJ).
Në SHBA ka marrë leksione të gazetarisë investigative në Kolegjin e Bostonit.

Desada ka përfunduar studimet në “Media Leadership and Management” dhe “Political Journalism” dhe ka qenë e angazhuar në projekte dhe internship-e që fokusohen në gazetarinë cilësore dhe hetimore.