Drejtori i një kompanie private e quajtur Acromax, i propozoi Prokurorisë së Posaçme ngritjen e një platforme monitorimi që sipas tij do të ndihmonte në luftën që organet ligj-zbatuese kanë ndërmarrë për veprat penale të krimeve zgjedhore.
Aldor Nini u paraqit në Prokurorinë e Posaçme të premten me 28 shkurt për të prezantuar projektin që synon të luftojë shpërndarjen e lajmeve të rreme dhe dezinformimeve që sipas tij mund të ndikojnë në proceset zgjedhore të vitit 2025.
Platforma e propozuar nga kompania private shihet nga ekspertët e komunikimit si një nismë e rrezikshme për lirinë e shprehjes dhe sipas tyre lë shteg për mundësinë e keqpërdorimit për qëllime politike.
Shqetësimi për censurë
“Kemi media anonime që përhapin lajme fallso në mënyre të paligjshme dhe platformat në këto raste nuk bëjnë asgjë. Kemi kandidatë që po kandidojnë për votat e popullit tonë që u mbyllen profilet e Instagrami-t, Facebook-ut dhe gjithë platformave të tjera me sulme që iniciohen nga kundërshtaret e tyre ose grupe interesash të ndryshëm” – u deklaroi nga dera e SPAK-ut gazetarëve Aldor Nini, drejtori i kompanisë “Acromax”.
Duke referuar disa gjetje të kompanisë së tij Nini u shpjegoi gazetarëve nismën që ai vetë kishte ndërmarrë për ngritjen e një qendre të posaçme për monitorimin e krimeve zgjedhore dhe dezinformacionit në rrjetet sociale.
Shfaqja e Ninit përpara kamerave detyroi zyrën e shtypit të Prokurorisë së Posaçme të reagonte duke i kujtuar drejtorit të “Acromax” procedurat e komunikimit me institucionin, që sipas njoftimit ishte nëpërmjet postës dhe se Prokuroria e Posaçme i ka ndërmarr hapat ligjorë për evidentimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore sa i përket zgjedhjeve parlamentare të 2025.
“Në këtë dokument është parashikuar edhe ngritja e një grupi të posaçëm pune, i cili do të monitorojë të dhënat e bëra publike në media dhe rrjetet sociale, të cilat do t’i përcillën Strukturës Qendrore dhe grupeve hetimore ne terren” – deklaroi zyra e shtypit sipas së cilës institucioni ka krijuar mekanizma të përqendrueshme për monitorimin dhe ndjekjen ligjore të çdo rasti që cënon procesin zgjedhor.
Propozimi i “Acromax”, për të marrë rolin e monitoruesit të lajmeve dhe përmbajtjeve në rrjetet sociale është parë më shqetësim nga ekspertët e medias në vend.
Kolorato Cukali, e ka konsideruar këtë propozim si një hap të rrezikshëm, duke argumentuar se është e papranueshme që një entitet privat të ketë tagrin për të përcaktuar se çfarë është lajmi i rremë.
“Pyetja që duhet të ngrihet është, kush ka tagrin të përcaktojë çfarë është lajm i rremë? Sigurisht, jo një kompani private. Nuk kam dëgjuar në asnjë vend të perëndimit që një kompanie private t’i jepet “licenca” për të “pastruar” rrjetet sociale nga lajmet e rreme. Arsyeja është e thjeshtë, rreziku që kjo “licencë” të keqpërdoret është shumë i madh. Askush nuk mund të garantojë që një kompani private nuk do kapet peng nga aktorë politikë për të censuruar për hesap të tyre” – thotë Cukali.
Sipas kryetarit të “Këshillit të Medias” ekziston rreziku i keqpërdorimit dhe se platforma mund të shfrytëzohet në favor të interesave të caktuara politike.
“Lajmet e rreme nuk luftohen me censurë por me transparencë të institucioneve e me gazetari të përgjegjshme. Mediat joserioze nuk luftohen me fshirje e bllokime, por duke fuqizuar e promovuar gazetarinë cilësore. Keqinformimi nuk luftohet duke mbyllur gojën, por duke mirë-informuar. – shpjegon Cukali sipas të cilit edhe puna e SPAK nuk është të bëjë policin e internetit.
Po ashtu, Blerjana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim thotë se një kompani private me interesa të dyshimta mund të dëmtojë rëndë lirinë e shprehjes në hapësirën digjitale.
“Nuk është e këshillueshme që një kompani me interesa private të lidhur dhe me historikun e shqetësimeve për censurë digjitale, të propozojë një qendër për monitorimin e dezinformacionit dhe reagimin e menjëhershëm para dhe gjatë zgjedhjeve sepse rrezikon të cënojë lirinë e shprehjes dhe kritikën në hapësirën digjitale” – thotë Bino duke shtuar se propozimi ngre dyshime për qëllimin e kësaj kompanie dhe aftësinë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në interesin publik.
Bino gjithashtu ka argumentuar se përgjegjësia për të monitoruar dezinformacionin duhet të mbetet në duar të institucioneve publike dhe të pavarura, të cilat kanë mandat ligjor dhe mekanizma të qartë për të siguruar llogaridhënie dhe transparencë.
“Strategjia nuk ka asnjë parashikim për t’ia kaluar këtë rol monitorues një kompanie private, por e vë theksin tek forcimi i kapaciteteve të brendshme dhe nuk i referohet “teknikave të heqjes së përmbajtjes apo mbylljes së llogarive në rrjete sociale”. Dhe kjo është një gjë e mirë sepse çdo organ monitorues i përmbajtjeve në mediat online dhe rrjetet sociale gjatë periudhave zgjedhore duhet të ketë autoritet të qartë ligjor, pavarësi, transparencë dhe mekanizma për të kundërshtuar vendimet, ose në të kundërt rrezikon të cënojë të drejtat themelore” – thotë Bino.
Dezinformimi
Për ekspertët e komunikimit lufta kundër dezinformimit nuk mund të realizohet përmes ndërhyrjes së kompanive private, por përmes forcimit të mekanizmave të vetë-rregullimit nga ana e mediave dhe institucioneve publike.
Kolorato Cukali ka shtuar se një ndërhyrje e tillë duhet të jetë në duar të autoriteteve të pavarura, që janë të mbështetur në ligj dhe që mund të ofrojnë një mekanizëm për të kundërshtuar vendimet, për të siguruar që çdo veprim të jetë transparent dhe të mbrojë të drejtat e individëve.
“Standardi ndërkombëtar është shumë i qartë: vetë-rregullim – që dotë thotë se asnjë institucion shtetëror, le më kompani private nuk mund të vendosë standardet e etikës mbi median. Ato i vendos komuniteti mediatik.” – thotë Cukali.
“Në rastet kur në rrjetet sociale ka raste të shpifjes apo keqinformimit, kjo nuk ndalohet me metoda preventive, por me vendime gjykate kur ato konstatohen, bazuar mbi ligjin e shpifjes”.
Ndërsa Blerjana Bino thekson se mediat duhet të përqendrohen në forcimin e standardeve të vetë-rregullimit dhe në rritjen e cilësisë dhe integritetit të informacionit që ato ofrojnë.
“Media duhet të përqendrohet në forcimin e standardeve të veta editoriale për të adresuar çështjen e dezinformacionit, duke rritur cilësinë dhe integritetin dhe në këtë mënyrë dhe të rifitojë besimin e publikut. Vetë-rregullimi, përforcimi i etikës dhe integritetit në media si audiovizive ashtu dhe në atë online është shumë i rëndësishëm dhe ka nevojë të përforcohet në Shqipëri. Këtu kanë rol mediat, por edhe aktorë të tjerë si akademia, shoqëria civile, vetë publiku dhe institucionet financuese vendase ose të huaja që duhet të mbështesin modelin e mediave me integritet dhe në interes të publikut”- shpjegon Bino sipas të cilës në Bashkimin Evropian, praktikat më të mira si Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA) dhe Kodi i Praktikës për Dezinformimin theksojnë bashkëpunimin me kontrollues të pavarur të fakteve dhe organizata mediatike, duke siguruar transparencë dhe llogaridhënie.
“Përgjegjësia për monitorimin e dezinformatave duhet t’i mbetet organeve publike të pavarura, duke siguruar që liria e shprehjes të mbrohet dhe çdo ndërhyrje të bëhet në mënyrë ligjore dhe të paanshme. Pa masa mbrojtëse rigoroze, transparencë dhe llogaridhënie, sisteme monitorimi të dezinformimit mund të bëhet një mjet për ndikim politik ose censurë. Megjithatë media nuk është një koncept abstrakt dhe ato janë të vendosura në një realitet specifik, në një sistem të strukturuar të lidhjeve të interesave ekonomikë, politik dhe shpesh dhe të krimit të organizuar, duke i përdorur mediat si instrument i pronarëve për të avancuar interesa të caktuar, por jo interesin e publikut apo të mirën e përbashkët. Prandaj dhe kërkesat që mediat të luftojnë vetë dezinformimin duhet të kuptohen në këtë kontekst dhe duhet të adresohen këto kushte strukturore dhe kontekstuale.” – thotë Bino.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.