Vitet 2013-2015 njihen si periudha e artë e bashkëqeverisjes Rama-Meta. Të majtët e ribashkuar, kishin ardhur në pushtet dhe nga marrëveshja e 1 Prillit kishin ndarë mirë dhe rolet dhe pushtetin. Rama Kryeministër, Meta Kryetar Kuvendi, ndërsa Kryemadhi Kryetare e Partisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ishte koha e nisjes së rrugëtimit të “Rilindjes” dhe njerëzit me të cilët “shteg.org” foli e përshkruajnë Monen si një “paqtore” në përplasjet e burrave qeverisës Rama-Meta. Por nuk janë vetëm dy njerëzit më të pushtetshëm të vendit me të cilët Monika duhet të ketë komunikuar asokohe.
Provat e siguruara nga Prokuroria e Posaçme tregojnë se Monika jo vetëm menaxhonte të ardhurat e familjes, por diktonte kontrata, ligje apo dhe kujdesej për ruajtjen e marrëdhënieve mes palëve të interesit. Telefoni i saj “iPhone”, i lënë për “ruajtje” në shtëpinë e nënës, u kthye për Prokurorinë e Posaçme “minierë provash” për të ngritur tre akuza ndaj ish-Presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit.
Hetimet e nisura në vitin 2019 u finalizuan nga Prokuroria e Posaçme me arrestimin e Metës dhe ngritjen e akuzave zyrtare për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive”.
Afera CEZ-DIA

Pasditen e 22 Qershorit 2009 në telefonin e biznesmenit Kastriot Ismaili mbërrin një mesazh nga miku i tij, Ministri i Ekonomisë Ilir Meta. “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Më duhen 200 mijë patjetër. Mos harro” – i shkruan kryeministri biznesmenit që kishte filluar të merrej me mbledhjen e borxheve për faturat e papaguara nga abonentët të energjisë elektrike.
Nuk dihet nëse biznesmeni e takoi kryeministrin, por në dosjen hetimore të Prokurorisë së Posaçme thuhet komunikimet mes Metës dhe Ismailajt kanë qënë të shpeshta dhe bisedat përkojnë në kohën kur Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike shiti 75% të aksioneve të CEZ-DIA, marrëveshje që do t’i kushtonte buxhetit të shtetit shqiptar 414 milionë euro dëm pas prishjes së njëanshme kur Partia Socialiste mori pushtetin.
DIA kompania me pronar Ismailajn përfitoi 1.48 milionë euro në 2010 nga “CEZ Shpërndarje” për një raport të pavlerë për identifikimin e borxhit të kompanisë. Kjo pagesë besohet se u përfitua nga DIA për të influencuar një vendim të ERE për uljen e çmimit me të cilin KESH ia shiste energjinë elektrike “CEZ Shpërndarje”.
Ndonëse SPAK nuk ka mundur që të sigurojë prova mbi transferta bankare nga kompania DIA e Kastriot Ismailajt, drejt Ilir Metës, në atë kohë ministër i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, të dhënat e tërthorta të shoqëruar me kryqëzim faktesh dhe dëshmitë e disa personave, i kanë krijuar bindjen Prokurorisë Speciale se Ilir Meta ka ndikuar drejtpërdrejt që të nënshkruhet marrëveshja “CEZ/DIA” në argumentimin e mbledhjes së detyrimeve të abonentëve debitorë.
Kjo marrëveshje dyshohet se ishte një skemë e paligjshme përfitimi, ku Ilir Meta sipas SPAK ka përfituar drejtpërdrejtë “shuma të konsiderueshme parash”. Shteti shqiptar ishte në minorancë në këtë shoqëri, ku zotëronte 24 % të aksioneve dhe pjesën tjetër kompani çeke CEZ, por për prokurorinë, ndikimi i Metës ka qenë vendimtar që Ismailaj të futej në këtë skemë e cila rezultoi abuzive.
Për herë Kastriot Ismailaj shfaqet zyrtarisht, në cilësinë e përfaqësuesit të DIA në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të OSHEE-së, dhe ajo ditë ishte vendimtare. Qëllimi i mbledhjes së 25 Nëntor të 2010 ishte miratimi i marrëveshjes së propozuar, për mbledhjen e borxheve nga DIA, për shkak se mungonin anekset përkatëse.
Hetimet kanë treguar se Këshilli i Mbikëqyrjes nuk e miratoi marrëveshjen por kjo nuk e pengoi kompaninë DIA të lëshonte dy fatura në vlerën e 1.485.000 Euro, para këto që u paguan nga kompania CEZ. Në muajin shkurt të një viti më vonë u firmos e njëjta marrëveshje e refuzuar më herët dhe në tetor të vitit 2011 marrëveshja u zgjidh.
Gjatë kësaj kohe rezulton se janë kryer dhjetëra transaksione bankare dhe kompania DIA ka përfituar rreth 649 miliardë lekë – apo rreth 6.4 milionë euro – me ndihmën e dy shtetasve çekë, që ishin pjesë e bordit mbikëqyrës të CEZ-it, duke i shkaktuar dëm shtetit, që zotëronte 24% të aksioneve.
Për aferën e njohur si CEZ-DIA ka pasur një kallëzim në vitin 2014, ndaj Kastriot Ismailajt, që u arrestua një vit më pas dhe në vitin 2018 u dënua me 11 vjet burg. Pasi kreu dënimin vitin e kaluar, ai u lirua.
Duke iu referuar hetimit të dosjes penale “CEZ-DIA” e cila lidhi marrëveshjen për “mbledhjen e detyrimeve” ndaj debitorëve të energjisë elektrike, prokuroria dyshon për përfshirjen e plotë të Metës në këtë aferë.
SPAK thotë se është provuar nga ana e tyre se Ilir Meta, në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka përdorur ndikimin e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje.
“Shoqëria ‘Debt International Advisory’, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë”, thotë SPAK.
Gjithashtu prokuroria ka krijuar bindjen, sipas saj e mbështetur në prova, që Ilir Meta ka pranuar shuma “të konsiderueshme parash” nëpërmjet skemës së mbledhjes së debive të energjisë elektrike nga abonentë familjarë, kompani private dhe institucione shtetërore.
“Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Meta ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga Kastriot Ismailaj, gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të korrupsionit” – thuhet në dosjen hetimore.
Prokurorët e mbështesin akuzën e tyre dhe në thirrjet zanore mes Imailajt dhe Metës. Edhe pse nuk është bërë i mundur dekriptimi i tyre prokuroria ka marrë disa persona në pyetje që kanë konfirmuar njohjen mes tyre. Në dosje ka dëshmi të personave që tregojnë se kanë dëgjuar për shuma të mëdha që Meta përfitoi nga afera “CEZ-DIA”.
Transaksionet nga kompania DIA drejt kompanive të zyrtarëve të lartë të LSI-së, janë të tjera prova që prokuroria mbështet akuzat e saj, sipas së cilës këto para kanë shërbyer në funksion të aktiviteteve politike të LSI-së, e cila në atë kohë drejtohej nga Meta.
Për gjetjen e provave ndaj Metës, SPAK deklaroi se kishte bashkëpunuar me autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos dhe Qipros. Përmes tyre, SPAK pretendon se ka provuar ndikimin e ushtruar nga Meta në cilësinë e ish-Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory”, DIA dhe kompanisë CEZ Shpërndarje, që kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.
Çështja CEZ-DIA
Në mars të vitit 2009, Shqipëria lidhi kontratë me Qeverinë e atëhershme Çeke, që 76% e aksioneve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë t’i kalonin kompanisë çeke, CEZ.
CEZ-i hasi në vështirësi për mbledhjen e detyrimeve si nga abonentët familjarë, ashtu edhe nga institucionet shtetërore.
Për këtë arsye u kërkua lidhja e një kontrate me një kompani që do ta ndihmonte CEZ-in t’i mblidhte borxhet. Kontrata u lidh në shtator të vitit 2010 me kompaninë DIA.
Për aferën e njohur si CEZ-DIA ka pasur një kallëzim në vitin 2014, ndaj Kastriot Ismailajt, që u arrestua një vit më pas dhe në vitin 2018 u dënua me 11 vjet burg. Pasi kreu dënimin vitin e kaluar, ai u lirua.
CEZ-it, pas tre vjetësh qëndrimi në Shqipëri, iu hoq licenca dhe kompania çeke e çoi çështjen në Arbitrazh, ku kërkoi 135 milion euro dëmshpërblim.
Pas ardhjes në pushtet të socialistëve në Shqipëri, çështja u zgjodh me negociata. CEZ u tërhoq dhe u ra dakord që shteti shqiptar t’i paguante palës çeke një vlerë prej 87.1 milionë eurosh.
Ligji me porosi

Më 6 Tetor të 2014 Monika Kryemadhit me urgjencë të madhe i kërkohet një takim me biznesmenin Samir Mane. Aso kohe ajo ishte deputete ndërsa bashkëshorti i saj, Ilir Meta Kryetar i Kuvendit. Takimi u la në restorant luksoz të kryeqytetit, por zor se Monika mund të ketë kuptuar direkt urgjencën për takim të biznesmenit. Por Mane duket se kishte hallet e veta.
Mane pak kohë më parë kishte blerë kompaninë Albchrome, koncesionarin e minierës më të madhe të kromit në Bulqizë, dhe tema e bisedës ishte projektligji “Për sektorin Minerar në Republikën e Shqipërisë”.
Nga shqyrtimi i bisedave midis Monika Kryemadhit, Samir Manes dhe ish-deputetit të LSI-së Përparim Spahiu, SPAK ka konkluduar se ata kanë diskutuar amendimin e ligjit në favor të Albchrome.
“Kompania kishte kërkuar ndryshimin e ligjit për servitutin e galerive dhe puseve vertikale, për të shmangur përgjegjësitë teknike nga kalimet e subjekteve të tjera në galeritë e Albchrome” – ka rrëfyer për prokurorët ish-drejtori i Albchrome, Saimir Boka.
Mane ka mohuar përfshirjen e tij në marrëdhënie biznesi dhe favori me çiftin Meta-Kryemadhi, ndërsa komunikimet telefonike i ka justifikuar rolit të tij si anëtar i shoqatës së minierave.
Por SPAK pretendon se ligji u amendua për shkak të këtyre ndërhyrjeve, ku kanë votuar bashkërisht vetëm deputetët e Partisë Socialiste dhe ato të Lëvizjes për Integrim.
Madje ndryshimet ligjore kanë marrë dhe bekimin e Kryeministrit Edi Rama, i cili pavarësisht se ka refuzuar të votojë, ka vlerësuar ligjin, duke falënderuar edhe ministrin e linjës, Damian Gjiknuri për këtë nismë.
“Dua të falënderoj përpara Kuvendit në radhë të parë Ministrin e Industrisë dhe Energjisë (i drejtohet Damian Gjiknurit), që kanë çuar para një proces jashtëzakonisht të vështirë, duke futur duart në një zgavër gjarpërinjsh dhe mjafton fakti i revokimit të lejeve minerare të 160 subjekteve që nuk përmbushnin detyrimet kontraktuale ndaj shtetit, si një provë e vendosmërisë por edhe vështirësisë së këtij procesi. Falë këmbënguljes dhe vendosmërisë të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë ka sjellë hapjen e një procesi që do të aktivizojë 1.5 milionë ton rezerva kromi” – do të deklaronte Rama ditën që u miratua Ligji, për të cilën SPAK ka pretendimin se ishte një ligj “i porositur” për interesat e biznesmenit Mane.
Kryeministri Rama refuzoi të komentojë deklaratat e tij dhe gjetjet e prokurorisë mbi ndryshimet e ligjit të Minierave. Po kështu as biznesmeni Samir Mane dhe Monika Kryemadhi nuk iu përgjigjën pyetjeve që “shteg.org” dërgoi për koment, deri në ditën e publikimit të këtij shkrimi.
“Në 2014 është një ligj që e ka kërkuar Vali Bizhga, kryeshefe e Kabinetit të Ramës, që është nga Qeveria Shqiptare për unifikimin e funksionimit të kompanive që merreshin me galeritë e minierave”, shpjegoi publikisht Kryemadhi.

Por në dosjen e prokurorisë dyshohet se Meta-Kryemadhi u shpërblyen për ndikimin e tyre.
Ndonëse ligji në favor të Manes u amendua nga ish-deputetja socialiste, biznesmeni Mane dhe bashkëshortja e tij nisin komunikimet e shpeshta me Monika Kryemadhin.
Më 3 qershor 2014, Monika shkruan: “Jo tek pallati. Ka shumë njerëz dhe do ta bezdisin Ilirin”, duke shtuar se po shikonte diçka tjetër në Rolling Hills. Ndërsa Ilir Meta i përgjigjet: “Ok. Duhet dhe hamam e sauna.”.
Hetimet e Prokurorisë thonë se bëhet fjalë për një vilë në kompleksin “Rolling Hills” të ndërtuar nga biznesmeni Samir Mane.
Gjithçka ishte drejt përfundimit dhe Kryemadhi kujdeset personalisht për kryerjen e punimeve të brendshme të vilës, duke thirrur edhe arkitekt italian, por në momentet e fundit diçka çedoi dhe planet ndryshuan.
Shkak është bërë “përhapja e fjalëve” dhe një komunikim i ish-ambasadorit grek që i shprehet Metës se “do të bëhemi komshinj”.
“Ndaloni çdo punim tek Eva, ta them unë pse,” i shkruan Kryemadhi mikeshës së saj Ema Çoku, e cila po merrej me punimet, duke shtuar: “Jam me Ilirin. I kishte thënë ambasadori grek që do jemi komshi, prandaj ndaloni komplet, më tha asgjë mos bëni.”
Sipas SPAK, Meta dhe Kryemadhi kanë kryer në bashkëpunim elementët e veprës penale të korrupsionit dhe pse çifti nuk posedoi vilën e tyre.
“Fakti që ata hoqën dorë nga përfitimi sepse marrëveshja u bë publike, nuk mund të konsiderohet si heqje dorë nga kryerja e veprës penale, pasi vepra e korrupsionit konsumohet që në fazën e premtimit apo pranimit të premtimit,” argumenton SPAK.
Po ashtu përgjatë kësaj periudhe janë shumë komunikime mes Monika Kryemadhit dhe bashkëshortes së biznesmenit Mane. Madje SPAK ka renditur disa udhëtime bashkë, pagesa biletash udhëtimi, akomodim në disa hotele jashtë vendit dhe gjithashtu “oferta” për apartamente banimi dhe vilë.
Këto episode të dokumentuara nga SPAK i përkasin vitit 2014, por njohja Mane-Meta është më e hershme, madje janë futur edhe shitblerje pronash.
Në vitin 2002, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi ndërtojnë një vilë në bregdetin Adriatik, ku deklarojnë se ky objekt ka kushtuar 60 mijë dollarë. Gjithsesi, pesë vite më pas, vila e Metës blihet nga Samir Mane me një shumë të deklaruar prej 300 mijë euro. Shuma i ka kaluar Metës cash, duke shmangur sistemin bankar.
Edhe këto gjetje të prokurorëve, deri në publikimin e këtij shkrimi “shteg.org” nuk mori asnjë koment nga biznesmeni Mane dhe Kryemadhi.
Në daljet e saj publike Kryemadhi ka përgënjeshtruar gjetjet, se ka kërkuar një vilë në një zonë të pasur të Tiranës, në këmbim të ligjit, duke thënë se vilën në realitet ajo ka pasur ndërmend ta blejë, duke i këmbyer me disa prona të tjera në zotërim të saj.
Shkëmbime dhe transaksione këto për të cilat Kryemadhi deklaroi se ish-bashkëshorti i saj, Ilir Meta nuk kishte asnjë dijeni.
“Për çdo gjë që flitet aty Meta nuk ka paguar asgjë vetë, as një shishe ujë, çdo gjë e kam paguar unë, ai është marrë me politikë”, ka deklaruar Kryemadhi.
Sebi Alla është gazetar me një ekperiencë të gjatë në median e shqiptare.
Alla ka punuar që nga viti 2000 në median e shkruar, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi si dhe ka kryer një sërë hulumtimesh.
Gjithashtu ai ka punuar si redaktor dhe kryeredaktor në disa media të shkruara në Shqipëri.
Alla ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës.