Pushteti i grupeve kriminale në Elbasan prek dhe sistemin e drejtësisë

Një ish gjyqtare dhe funksionarë të tjerë të forcave ligj zbatuese dyshohet se janë vendosur në “shërbim” të një prej grupeve kriminale që kanë vepruar në qytet që nga vitit 2006.

1118
Pushteti i grupeve kriminale në Elbasan prek dhe sistemin e drejtësisë
Credit: shteg.org

Prokuroria e Posaçme ka mundur të dokumentojë aktivitetin kriminal të grupit që drejtohej nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, të dyshuar si përgjegjës për 6 vrasje dhe 17 tentativa të tjera për ekzekutime të kundërshtarëve, ndodhur në Shqipëri në vitet 2018-2020. Ata dyshohet se janë të përfshirë edhe në grabitjen e miliona eurove të një dërgese parash në aeroportin e Rinasit, ngjarje e ndodhur më 9 prill 2019, çka ia ndryshon shumë rrjedhën asaj ngjarjeje, ku nën akuzë për grabitjen janë persona të tjerë dhe emri i tyre nuk është përmendur kurrë më parë. 

Përveç katër vrasjeve të dhe një mori atentatesh të dështuara, grupi sipas të dhënave hetimore ka arritur të rekrutojë jo vetëm punonjës policie, të cilët iu kanë shërbyer për vite me radhë, por edhe punonjës të gjykatës së Elbasanit.

SPAK nuk dha emra punonjësish policie apo zyrtarësh të përfshirë, po ashtu as emra të të kërkuarve, të cilëve iu është prerë urdhër arrest, por u mësua se në 33 urdhra të lëshuar, janë ekzekutuar vetëm 13.

As për ekzekutimin e urdhrave SPAK nuk tha se kush janë të arrestuarit, por në njoftimin e së enjtes, datë 1 gusht 2024, konfirmoi se Policia e Shtetit mundi të arrestonte vetëm 13 prej tyre, ndërsa 2 të tjerë u tha se ishin ndaluar jashtë Shqipërisë.

As Franci dhe as Hajdar Çopja nuk janë përballur me drejtësinë shqiptare. Ata dyshohet të jenë zhvendosur në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ish-gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit Pajtime Fetahu, zëvendësdrejtori i burgut të Elbasanit Martin Musaj dhe shefi i krimeve të policisë së Durrësit Agustin Çinari, rezultojnë ndër personat të cilët dyshohet se kanë favorizuar grupin kriminal, pasi SPAK tha se ka dokumentuar disa raste të përkrahjes së autorëve të krimeve, veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, moskallëzim krimi, zbulim sekretesh dhe korruptim të funksionarëve të drejtësisë.

Ish-gjyqtarja Fetahu, referuar dokumenteve që SHTEG disponon rezulton se është e përfshirë në një sërë vendimesh gjyqësore që kanë lidhje me hetimet e kryera nga prokuroria e Elbasanit mbi zbardhjen e vrasjeve të dyshuara se janë porositur nga vëllezërit Çopja. 

Sipas njoftimit të SPAK, ish-gjyqtarja dyshohet se u ka dhënë vëllezërve informacione sekrete. “Gjithashtu hetimet kanë zbuluar edhe faktin penal të “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, nga një punonjëse e administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kryer gjatë periudhës kohore shtator-tetor të vitit 2020, në Elbasan”, thuhet ne njoftimin e SPAK.

Fetahu akuzohet për korrupsion ndërsa Gjykata e Posaçme në vendimin e dhënë më 2 gusht ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest në shtëpi dhe pse përballë ish-kolegëve të saj ka deklaruar se nuk ka dijeni mbi akuzat që rëndojnë mbi të.

Kjo nuk është hera e parë që ish-gjyqtarja e Elbasanit përballët me akuzat e korrupsionit. Më herët, në vitin 2017 ajo u fiksua nga kamerat e një emisioni televiziv teksa kërkonte para për lirimin e një të burgosuri. Por çështja ndaj saj u pushua për mungesë provash.

Ajo u rikthye sërish në detyrë në vitin 2018, por pak vite më vonë përballë procesit të vetingut kërkoi daljen në pension të parakohshëm duke u larguar nga sistemi i drejtësisë pas rreth 20 vitesh si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Elbasan.

Ndërkohë dhe shefi i krimeve të policisë së Durrësit Agustin Çinari rezulton të ketë pasur precedent të dyshimtë në të shkuarën. Ai rezulton të jetë ndaluar në vitin 2013 nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pas dyshimeve se ushtronte ndikimit të paligjshëm kundrejt ryshfetit.

Grupi Çopjave cilësohet nga SPAK tejet i fuqishëm ekonomikisht dhe i sofistikuar në strukturën organizative të saj.

Sipas materialit të vënë në dispozicion për mediat theksohet se vëllezërit Çopja i dërgonin paratë me exchenge kur bëhej fjalë për të kryer vrasje, por nuk dihet se si i lëviznin paratë për ndërtimin e pallateve apo as kush janë personat që menaxhonin flukset e tyre të investimeve në sektorin e ndërtimit dhe të blerjes së shoqërive të ndryshme tregtare. Megjithatë SPAK deklaroi se ka sekuestruar 38 prona, 4 llogari bankare dhe mbi 1 milionë euro para kesh.

Makineri krimi dhe vrasjesh

Hajdar Çopja
Credit: shteg.org

Vëllezërit Çopja dyshohet të jenë përgjegjës për 6 vrasje dhe 17 tentativa të tjera për ekzekutime të kundërshtarëve, ndodhur në Shqipëri në vitet 2018-2020. Ata dyshohet se janë të përfshirë edhe në grabitjen e bujshme të milionave eurove të një dërgese parash në aeroportin e Rinasit, ngjarje e ndodhur më 9 prill 2019.

Por, hetimet e SPAK-ut në bashkëpunim me autoritetet holandeze, belge dhe franceze kanë zbardhur aktivitetin kriminal të tyre. 

Nga hetimet e kryera rezulton se fillesat e aktivitetit kriminal datojnë në vitin 2006 ku ata merreshin kryesisht në trafikun e kokainës në Itali, por që shumë shpejt u shtri dhe në vende të tjera të Evropës. Kjo u dha fuqi ekonomike për të krijuar dhe forcuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut ndërkombëtar të drogës.

SPAK dyshon se grupi i siguroi pozita dukshëm më dominonte në vitin 2018 pas eliminimit të kundërshtarëve që kishin gjithashtu rol të rëndësishëm në trafikun e drogës duke angazhuar ndaj tyre vrasës me pagesë.

Sipas SPAK-ut grupi i Çopjave rezulton përgjegjës për vrasjen e trefishtë të ndodhur më 29 dhjetor 2018 në Bradashesh të Elbasanit ku u vra Endrit Alibej – rival i grupit në aktivitetin e drogës, vëllai i Erion Alibejt, – së bashku me Arben Dylgjerin dhe shtetasin turk Erdal Durany.

Ata dyshohet se qëndrojnë pas vrasjes së Klevin Bahos, ndodhur pak pas mesnatës së 1 korrikut 2019 ku mbeti i plagosur dhe vëllai i tij Aldo Baho. Për këtë të fundit SPAK dyshon se grupi i Hajdar Çopajt, njohur dhe si Dari i Elbasanit, u angazhua të kryente vrasjen e tij sërish edhe një vit më vonë në gusht 2020.

Ngjashëm ata akuzohen edhe për vrasjen e Andi Zylyfit, ngjarje e ndodhur më 13 dhjetor 2019 në Peqin, ku mbeti i plagosur dhe Ardit Uruçi. Sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, për këtë ngjarje u përfshinë Talo Çela, Altin Ndoci, Abedin Mama njohur si Dine Çami dhe Fatos Gosa. Ai i ka thënë prokurorëve se grupi i Çelës përdori pa pëlqimin e tij një makinë të tijën gjë që prishi përfundimisht marrëdhëniet me ta duke nxitur konflikt mes dy prej krerëve të grupeve të vrasësve me pagesë.

SPAK ia faturon grupit të Darit edhe vrasjen e Klevis Kapllanit më 15 shtator 2020 në Rrogozhinë. Kapllani ishte mik i ngushtë me Dumanin, ky për këtë vrasje justifikoi si hakmarrje ekzekutimin dy ditë më vonë të vëllait të Talo Çelës, Bujarit. Sipas Dumanit, Kapllanin e dyshonin si personi që kishte lëvizur armën e përdorur për vrasjen e Emiljano Ramazanit duke implikuar disa të njohur me grupin në hetimet e policisë.

Për grabitjen e miliona eurove në pistën e aeroportit të Rinasit, SPAK nuk jep shumë detaje, por përmend grupin e Çopjave si përgjegjës. Për ngjarjen dyshohen të jenë përfshirë të paktën tetë persona, mes të cilëve Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë gjatë grabitjes. Shtatë të tjerët janë arrestuar dhe dënuar me 122 vite burg.

Hetimet e Prokurorisë së posaçme kanë nxjerrë në pah perandorinë ekonomike të Darit të Elbasanit dhe format e përdorura prej grupit të tij për të pastruar paratë që vinin nga krimi i organizuar. Kështu SPAK dyshon se një pjesë e të ardhurave investohej në pasuri të paluajtshme si blerje trojesh, apartamentesh, vilash, bare e restorantesh në Tiranë, Elbasan e Durrës.

Ata duket se kishin shtrirë ndikim edhe në fushën e ndërtimit duke kaluar investime përmes personave të tretë duke injektuar shuma të konsiderueshme kesh për punime në godina ekzistuese apo komplekse banesash nga fillimi.

SPAK dyshon gjithashtu se grupi qarkullonte para përmes kompanish fiktive apo të zotëruara nga njerëz të lidhur me ta duke përdorur aktivitetin e tyre si kamuflim dhe fshehje dhe pastrim të parave. Skemë tjetër e dyshimtë rezulton përdorimi i zyrave të këmbimit valutor për të qarkulluar vlera të konsiderueshme kesh brenda dhe jashtë vendit. SPAK dyshon se pikërisht me këtë formë janë paguar për porositë e vrasjeve në interes të tyre vrasësit me pagesë.

Lufta mes bandave

Nuredin Dumani
Credit: shteg.org

Operacioni i ashtuquajtur “Plumbi i Artë” nisi zyrtarisht me arrestimin e Nuredin Dumanit më 29 mars 2022. Dumani, i përfshirë në disa vrasje dhe grabitje të dhunshme, u kap pas një atentati të dështuar ndaj tij, gjë që e shtyu të dëshmonte në SPAK të gjitha implikimet dhe bashkëpunimet me grupet kriminale.

Dëshmitë e Dumanit dhe të të penduarit tjetër Henrik Hoxhaj ndihmuan SPAK-un në kryqëzimin e të dhënave të përftuara nga përgjimet e platformës së komunikimit të enkriptuar SKY ECC e më pas nisjen e operacionit të parë me shtrirje në të gjithë vendin, që u mbajt më 18 maj 2022 me 32 urdhër-arreste të firmosura, prej të cilave u ekzekutuan 18 – gjysma e tyre ishin në paraburgim në pritje të gjyqeve për çështje të tjera.

Ajo që bie në sy në të gjitha rrëfimet dhe dosjet hetimore që SHTEG disponon, është brutaliteti me të cilën krimi ka vepruar ndër vite duke mos kursyer as gratë. 

Siç ishte vrasja brutale e Fatmira Dedës, një 60 vjeçare me profesion infermiere, e cila u gjet e vrarë me fyt të prerë më 14 Shtator 2013 në lagjen nr 3 në Durrës, në garazhin e banesës së saj, një vit pasi grupet kriminale i kishin vrarë edhe djalin.

Një ngjarje e cila mbeti për vite të tëra e pazbardhur, por që vetëm rrëfimi i Nuredin Dumanit, mundi të hedhë dritë se kush e kërkoi vrasjen e saj dhe pse porositësi ishte i interesuar të eliminonte, nënën e cila kërkonte vazhdimisht drejtësi për të birin e ekzekutuar në vitin 2012 në zonën e Golemit.

Kërkesa që si duket ishin kthyer në shqetësim për autorët. Sipas rrëfimit të Nuredin Dumanit, personi që kontaktoi për të kryer vrasjen e Fatmira Dedës, ishte Talo Çela.

Por duket se “krushqia” e prishur e punëve të pista midis Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës, do të merrte një rrjedhë edhe më tragjike pas eliminimit të vëllait të këtij të fundit, nga vetë Dumani.

Mëngjesin e 17 shkurtit 2020, Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës, kishte dalë si zakonisht herët në mëngjes për të nisur ditën me punën e tij si taksist. 

Ai u ekzekutua vetëm pak minuta pasi po konsumonte kafenë e mëngjesit. 

Ky dy persona të veshur me jelek antiplumb dhe me kapele në kokë, i afrohen dhe e qëllojnë ndërkohë që autorësinë do e merrte përsipër vetë Nuredin Dumani, i cili dyshonte se ai ishte vrasësi i mikut të tij Klevis Kapllani, ngjarje kjo e ndodhur më 15 shtator në Rrogozhinë. 

Nuredin Dumani tregon se pavarësisht se ai mori hakun e tij ndaj Talo Çelës, ai shfrytëzoi njëkohësisht edhe hakmarrjen që Erion Alibej kishte ndaj Talos për vrasjen e vëllait të tij Endrit Alibej, xhaxhait Arben Dylgjerit dhe mikut të tyre shtetasit turk Erdal Durunay. Ngjarje e ndodhur në Bradashesh më 28 dhjetor 2018. 

Vrasja e trefishtë e Endrit Alibej dhe familjarëve të tij në Bradashesh, në sy edhe të gruas, nënës e motrës, vetëm sa do të shërbente për të hapur një cikël të dhunshëm vrasjesh të ndërsjelltë midis dy grupeve ku brenda një kohe të shkurtër u vranë 6 persona të tjerë. 

Hajdar Çopja
Credit: shteg.org

Ekzekutimet dhanë për grupin hetues edhe një panoramë më të qartë të asaj që po ndodhte në qytet, ku tashmë kishte një shpallje lufte të deklaruar midis dy grupeve rivale, dhe shkaku dyshohet se ishte prishja e pazareve të drogës. 

Sipas dosjeve hetimore dy vëllezërit Alibej drejtonin një grup të trafikut të drogës nga Holanda. Ndërsa dyshoheshin për trafikim dhe shpërndarje lënde narkotike në veri dhe në qendër të Italisë, aty ku Endrit Alibej njihej me nofkën ‘Tino’ dhe ‘Tarzani’. Por duket se përplasja mes dy grupeve nis që në Britaninë e Madhe. 

Aty, ku një sasi e madhe droge e zhdukur, do të sillte me kalimin e kohës viktima të shumta midis dy grupeve.

Erion Alibej, vëllai i Endrit Alibejt, të ekzekutuar në “Masakrën e Bradasheshit” u arrestua më 18 shtator 2020, në Elbasan, si porositës i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runaj.

Erioni dyshonte se Emiljano dhe Regersi ishin ekzekutorë apo ndihmës në vrasjen e vëllait të tij. Për të u ngritën dyshime edhe për porositjen e vrasjes së Bujar Çelës, vëllait të të shumëkërkuarit Talo Çela.

Ai u pyet nga hetuesit belgë, pasi një tjetër vrasje, këtë herë jashtë Shqipërisë, do të regjistronte viktimën e radhës në luftën midis dy bandave.

Në Bruksel më 28 nëntor 2020, në zonën e njohur të Molenbekut, u ekzekutua me 8 plumba, Ardit Spahiu. Vëllai i kunatit të Erion Alibej. 

Dyshimi për vrasjen e tij në Belgjikë, lidhej me larjen e hesapeve midis dy bandave që kishte nisur në Shqipëri dhe tani po përshkallëzohej në Evropë.

Erion Alibej, do të zbërthente në prezencë të hetuesve belgë të gjithë mekanizmin e vrasësve të Ardit Spahiut. Ai do të akuzonte për të gjitha të këqijat që po i ndodhnin familjes së tij, bandën e Çopjave. Sipas Erion Alibej, ekzekutimi i Ardit Spahiut, erdhi pasi ky i fundit kishte informacione se kush ishte familja që po investonte aq shumë në ezkekutimin e grupit të tij. 

Në dëshminë e tij, Erion Alibej flet për shuma të mëdha që paguheshin për t’i hequr qafe. 

“Mesa më ka thënë Arditi dhe në biseda vërdallë flitet për miliona euro për vrasjet me pagesë. Franc Çopja është më i vogli, nga tre vëllezërit, por më i rëndësishmi pasi ka lidhjet me bizneset e lëndëve narkotike” – dëshmonte Erion Alibej. 

Ajo çka përbën pjesën më interesante të dëshmisë që Erion Alibej dha për hetuesit belgë, duket se zbardh edhe të vërtetën përse dy familjet përfunduan duke i drejtuar armët njëra-tjetrës dhe është pikërisht zhdukja e një ngarkesë prej 50 kg kokainë në Britaninë e Madhe, e cila dyshohet se i përkiste bandës së Çopjave .

“Vrasja e trefishtë, ku u vra Endrit Alibej, më 29.12.2018, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan, provohet përtej dyshimit të arsyeshëm se është kryer nga kjo organizatë kriminale dhe se qëllimi i kësaj vrasje ka të bëjë me konkurrencën për zotërimin e tregut të kokainës. Vrasja e shtetasit Endrit Alibej (eksponent i njohur në trafikimin e kokainës) u pasua me urdhërimin dhe të vrasjeve të disa personave të afërm të shtetasit Endrit Alibej” thuhet në njoftimin e së 1 gushtit nga SPAK. 

Pavarësisht këtyre dëshmive, pohimeve dhe mohimeve, i vetmi që ndodhet sot pas hekurave për vrasjet e shumta të ndërsjellta midis dy bandave është Erion Alibej dhe bashkëpunëtori tashmë i drejtësisë Euglen Halili.

Erblin Vukaj
Gazetar |  + posts

Erblin Vukaj është gazetar i Rrjetit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri. Ai ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Vukaj ka punuar që nga viti 2012 në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ai ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.