Qeveria krijon akademi për pushtetin vendor pas valës së shkarkimeve masive

Këshilli i Ministrave vendosi krijimin e një akademie për punonjësit e administratës, e cila shihet nga ekspertët si një rrezik për centralizimin e pushtetit.

166
Kryeministri Edi Rama
Credits: LSA - Kryeministri Edi Rama

Pas ultimatumit të Kryeministrit gjatë javëve të para të korrikut për shkarkimin masiv të drejtorëve dhe kryetarëve të njësive administrative në të gjitha bashkitë e vendit, Këshilli i Ministrave mori vendimin për krijimin e një akademie në formën e Organizatave jofitimprurëse, për rritjen e kapacitetit të administratës në kuadër të përmbushjes së sfidave për integrimin në Bashkimin Evropian.

Një praktikë e tillë është zbatuar vetëm në Rumani dhe nuk ka rezultuar efikase, ndërkohë që për ekspertin e pushtetit vendor Agron Haxhimali, kjo nisme rrit rrezikun e centralizimit të pushtetit.

Pas shkarkimeve rradhën e kanë trajnimet

Një javë më parë, më 11 korrik, teksa qëndronte në krah ministrit për Pushtetin Vendor Arbër Mazniku, Kryeministri Rama mbajti një takim të hapur për mediat me kryetarët e 61 bashkive në vend, të cilëve u vendosi ultimatumin për të shkarkuar brenda 3 ditëve të gjithë kryetarët e njësive administrative.

“Kryetarët e njësive administrative të Republikës së Shqipërisë të gjithë duhet të shkarkohen. T’iu rijepet mundësia, por duke iu dhënë mundësi edhe të tjerëve që mund të jenë më të zotë se ata. Shpresoj që të hënën të gjithë të jenë të shkarkuar”, tha Rama, ndërkohë që më parë vizitat e tij me dyer të mbyllura, larg vëmendjes së kamerave sollën shkarkimin e drejtorëve të bashkisë Vlorë, Fier dhe Durrës.

Megjithatë, dhënia e ultimatumeve për vazhdimësinë e pushtetit vendor, ndonëse përbën një shkelje të ligjit për vetëqeverisjen e pushtetit vendor, tashmë është shoqëruar me një tjetër vendim të qeverisë, atë të krijimit të një akademie për pushtetin lokal, 50% e financimit të së cilës në tre vitet e para do të mbulohet nga buxheti i parashikuar për Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Sipas vendimit të publikuar të Këshillit të Ministrave, ministri Arbër Mazniku, do të jetë drejtues dhe përgjegjës për nënshkrimin e një marrëveshjeje me bashkitë e vendit për krijimin e një organizate joqeveritare që do të ketë si fokus zhvillimin dhe kualifikimin profesional të të zgjedhurve në bashki, të nënpunësve civilë dhe punonjësve të tjerë me qëllim rritjen e performancës profesionale në kuadër të përmbushjes së sfidave që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Por, kjo nismë nuk është parë si eficente nga ekspertit për pushtetin vendor, Agron Haxhimali, i cili gjatë një interviste për “shteg.org” thotë se kjo praktikë nuk është ndjekur nga asnjë vend i BE-së, përveç Rumanisë ku ka rezultuar një eksperiencë jofrytëdhënëse.

Gjithashtu, sipas tij, kjo nismë ndikon në krijimin e rrezikut për centralizim të pushtetit dhe kontroll politik.

“Një akademi në këtë format duket sikur do të përdorë metodologjinë qëndrore, do të ketë ndikime politike nuk do të ketë pavarësi institucionale”, – thotë Haxhimali, ndërkohë që shton se ekzistenca e institucioneve profesionale për administratën, si Shkolla për Administratën Publike, apo Departamenti i Administratës Publike rrit rrezikun se krijimi i kësaj akademie në formën e organizatave jofitimprurëse mund të kthehet në një mënyrë të shpërdorimit të buxhetit të Qeverisë dhe të bashkive, të cilat do të mbulojnë 50% të kostove të paktën për tre vitet e para të themelimit.

Problematikat në buxhetin e pushtetit vendor janë pasqyruar edhe në një raport për qeverisjen vendore, të publikuar vitin e kaluar, 2024 nga Instituti për Bashkitë Shqiptare.

“Mungesa e vizionit dhe strategjive për zhvillim ekonomik lokal të bazuara në një qasje të integruar që thekson politikën ndërsektoriale, qeverisjen me shumë nivele, me shumë aktorë dhe të udhëhequra nga komuniteti. Investimet publike në bashki mbahen kryesisht në masën më të madhe nga investimet qeveritare, ato të vetë bashkive mbeten të ulta”, – citohet në raport, ndërkohë që sipas ekspertit Haxhimali 61 bashkitë e vendit prej vitesh paguajnë një kuotë në shoqatat e tyre.

Një tjetër gjë që vërej është mungesa e financimeve buxhetore, edhe të bashkive që do të financojnë 50%, edhe të qeverisë. Barra të tilla nuk mendoj se bashkitë duhet ta e shohin me efikasitet pasi ato do të paguajnë kuotë edhe tek shoqatat e tyre, edhe për këtë akademi në formë ojf-je”, – thotë ai, ndërkohë që thekson se krijimi i kësaj akademie do të zhvendoste rolin e organizatave që kanë trajnuar deri më tani administratën e bashkive dhe që kanë pasur si fokus jo vetëm trajnimet, por edhe rritjen e kapaciteteve të punonjësve.

“Në këtë formë mendoj se bashkitë do të largohen shumë nga shoqatat, sepse do të ketë një burim tjetër administrata e tyre për t’u trajnuar dhe kjo nuk është gjë e shëndetshme për demokracinë lokale” – përfundon Haxhimali.

4 vite më parë, me iniciativën e ish-ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca u diskutua në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese çelja e një akademie për barinjtë.

“Barinjtë duan të bëjnë një profesion që është më i lehtë, sepse është e vështirë. Është një profesion që është i vështirë dhe duam ta ruajmë dhe do të nxisim të rinjtë, do shkojmë t’i gjejmë, do bëjmë një akademi për këtë dhe do t’i subvencionojmë vetëm për mbajtjen e tufës” – deklaroi ministrja më 6 nëntor të vitit 2021.

Ndonëse krijimi i kësaj akademie u prezantua nga Ministria e Bujqësisë si një program me disa cikle trajnimesh për blegtorë, peshkatarë, fermerë dhe bletarë, deri më sot nuk është ngritur asnjë akademi e tillë, që sipas propozimeve të atëhershme të Qeverisë do të mund të zhvillonte në Shqipëri praktikat e suksesshme si në Francë dhe në Spanjë.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.