Kredia me 0% interes për punonjësit e administratës shtetërore është një masë e miratuar nga Këshilli i Ministrave më 9 janar 2025, e cila synon të ofrojë një mundësi financiare për një grup të caktuar punonjësish të administratës shtetërore.
Përfitues të kësaj kredie janë punonjësit e administratës shtetërore që kanë të paktën dy vite punë në institucionet shtetërore dhe që nuk zotërojnë pasuri të paluajtshme mbi gjysmën e vlerës së banesës që do të blejnë me kredi të lehtësuar. Po ashtu, ata nuk duhet të kenë përfituar më parë nga programet e tjera të strehimit social. Ky vendim i mundëson atyre të përfitojnë një kredi me 0% interes, që mund të përdoret për blerjen e një banese.
Megjithatë, ndryshe nga viti 2023 dhe ai 2024, kur vendimi u miratua në muajin korrik dhe në atë gusht, kësaj here ai u miratua në muajin janar dhe periudha e çeljes së aplikimeve nga ana e punonjësve shtetërorë u njoftua më datë 11 mars, ndërkohë që mbyllja është më 11 prill.
Thënë ndryshe, 1 muaj përpara mbajtjes së procesit zgjedhor, punonjësit e administratës do të mund të përfundojnë të gjitha proceset për të aplikuar për marrjen e një kredie me 0% interes.
Ndonëse një VKM e ngjashme po merret për të tretin vit rradhazi, ai është shoqëruar me disa ndryshime, në të cilat përfshihen numri i përfituesve dhe shpërndarja e kuotave.
Në krahasim me vitet e kaluara, ku numri i përfituesve ishte 300 persona për vit, këtë herë numri i përfituesve është rritur në 530 persona për vitin 2025. Kjo rritje e numrit të përfituesve ka bërë që, gjatë tre viteve të fundit, 1130 punonjës të administratës shtetërore të përfitojnë nga ky mekanizëm financiar.
Megjithatë, kjo masë ka ngjallur shqetësime të forta lidhur me qëllimet e saj. Ekspertë të ndryshëm e shohin këtë si një mundësi që Qeveria po përdor për të krijuar avantazhe elektorale në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Sipas Rigels Xhemollarit, Drejtor Ekzekutiv i “Qëndresës Qytetare”, kjo masë ka një qëllim të qartë elektoral, duke favorizuar një kategori të caktuar punonjësish të administratës shtetërore me fondet publike.
Ai e cilëson këtë si një metodë të blerjes së votave, duke përdorur paratë e shtetit për të siguruar mbështetje politike.
“Qeveria ka përdorur një mekanizëm përtej ligjor për të krijuar avantazh elektoral dhe për të mundësuar që me paratë e shtetit, me fondet e përbashkëta të favorizojë disa kategori të administratës publike duke ja dhënë kredinë e butë. Kjo kërkon një rregullim më strukturor në fushatat e ardhshme, pasi në këtë rast nuk kemi mjete ligjore për ta parandaluar por ne e kemi quajtur një koleteral në këmbim të votës,” – thotë Xhemollari.
Një tjetër problematikë është shpërndarja e pabarabartë e kuotave mes ministrive. Për vitin 2025, Ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit dhe e Sporteve kanë nga 90 kuota, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka 80 kuota, ndërkohë që ministritë e tjera dhe Kryeministria kanë nga 30 kuota.
Kjo shpërndarje e paqëndrueshme ka krijuar dyshime se mund të përdoret për të favorizuar disa ministri dhe grupe të caktuara të administratës në këmbim të mbështetjes elektorale.
Kredia me 0% interes ka gjithashtu një periudhë aplikimi të caktuar: aplikimet do të hapen më 11 mars dhe do të mbyllen më 11 prill 2025, vetëm një muaj përpara zgjedhjeve. Ky afat kohor ka shtuar dyshimet se kjo masë mund të shikohet si një taktikë për të siguruar mbështetje elektorale nga punonjësit e administratës shtetërore, duke u ofruar atyre përfitime financiare në këmbim të angazhimit politik.
Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit refuzoi komentonte dhe të ofronte informacione për bankën me të cilën është arritur marrëveshja dhe për mënyrën se si do të menaxhohen fondet për këtë kredi. Po ashtu, mbetet e paqartë se si do të trajtohen ata që marrin kredinë dhe më pas largohen nga administrata shtetërore.
Sipas Kodit Zgjedhor të Shqipërisë, 4 muaj përpara procesit zgjedhor institucionet shtetërore ndalohen të nxjerrin propozime apo akte ligjor që kanë të bëjnë me uljen/heqjen e taksave, por edhe projektligje që kanë të bëjnë me procesin e privatizimit dhe me dhënien e pasuri.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.