Qeveria miraton ligj të veçantë për turizmin në prag të fushatës zgjedhore

Projektligji “Paketa e Maleve” ka pësuar ndryshime thelbësore nga faza e konsultimit publik deri në prezantimin në Kuvend, duke ngjallur shqetësime për mungesën e transparencës dhe përdorimin nga ana e Qeverisë si mjet fushate në prag të zgjedhjeve të 11 majit.

604
Ligji turizmit
Credits: shteg.org

Projektligji i njohur si “Paketa e Maleve”, i prezantuar si mundësi për zhvillimin ekonomik të turizmit malor në Shqipëri, ka shkaktuar një varg shqetësimesh për ligjshmërinë dhe mundësinë e përdorimit të tij në funksion të interesave elektorale.

Ekspertët e ekonomisë thonë për “shteg.org” se problematikat e këtij projektligji nisën që në momentin kur emërtimi dhe përmbajtja e publikuar në faqen zyrtare të Konsultimeve Publike nuk përputheshin me atë çka u paraqit më pas në Kuvend, ndërkohë që ata argumentojnë se me anë të projektligji mund të krijohen favorizime të interesave private dhe se parashikimi i përjashtimit nga taksat për subjektet përfituese nuk është shoqëruar me një analizë të qartë për ndikimin që do të ketë në buxhet.

Projektligji ka hasur në kundërshtime nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS). KQZ e ka cilësuar projektligjin si një nismë që prek politika të rëndësishme fiskale dhe mund të krijojë perceptimin se po përdoren mjete ligjore për qëllime elektorale, një qëndrim që është kundërshtuar nga KAS.

Megjithatë, pas mungesës së ankimimeve, projektligji ka kaluar në Kuvend me miratimin e Komisioneve Parlamentare dhe u prezantua për miratim gjatë seancës plenare më 13 mars 2025.

Paketa që mori malet

Zef Preçi
Credits: facebook – Zef Preçi

Kryeministri Edi Rama lancoi më 9 janar 2025 projektligjin “Paketa e Maleve”, i cili synon zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në zonat malore të Shqipërisë. Ky ligj parashikon kalimin e pronësisë shtetërore tek subjektet private për një tarifë simbolike prej 1 euro, me kushtin që pronari të realizojë ndërtimin e projektit të planifikuar për të marrë certifikatën e pronësisë.

Ligji ofron lehtësira fiskale dhe tatimore për subjektet që realizojnë investime në këto pasuri për një periudhë 10-vjeçare, por ka një kufizim për numrin e subjekteve që mund të përfitojnë këto lehtësira, që është 500.

Projektligji ka kaluar disa faza, ku ekspertët e ekonomisë kanë ngritur dyshime për mungesën e transparencës dhe për përfitimet që mund të sjellin tek persona të caktuar.

Zef Preçi, drejtor ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, shprehet për “shteg.org” se “Paketa” ka ngritur shqetësime serioze lidhur me transparencën dhe mundësinë e favorizimit të interesave private. Sipas tij, një problem tjetër ka të bëjë me përjashtimin nga taksat për subjektet përfituese, pa një analizë të qartë të ndikimit në buxhetin e shtetit.

“Paketa e Maleve” u publikua fillimisht në platformën online për Konsultimet Publike në tetor të vitit 2024 me emërtimin “Për shitjen e pasurive të paluajtshme shtetërore posedueseve faktikë jo-pronarë në zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore”, megjithatë ajo çka u diskutua disa herë në Komisionet Parlamentare ndryshonte jo vetëm në emërtim, por edhe në përmbajtje me atë çka ishte prezantuar për publikun e gjerë duke nxitur reagimin e ekspertëve të ekonomisë për mungesë transparence.

Zef Preçi thekson se ky projektligj nuk ka pasur konsultime të mjaftueshme dhe se afati i caktuar për këtë proces është shkelur, duke penguar palët e interesuara të japin sugjerimet e tyre. Për më tepër, ai ka theksuar se nuk ka asnjë informacion lidhur me konsultimet me njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat do të preken drejtpërdrejt nga ky ligj.

“Nuk ka asnjë shënim lidhur me faktin nëse janë konsultuar njësitë e vetëqeverisjes vendore ndërsa projektligji përmban përgjegjësi të gjera dhe rëndësishme për bashkitë,” – thekson eksperti i ekonomisë.

Sipas tij, një problem tjetër ka të bëjë me përjashtimin nga taksat për subjektet përfituese, pa një analizë të qartë të ndikimit në buxhetin e shtetit.

Paketa hap shtigje për korrupsion

Emilia Koliqi - Kryetare e nën-komisionit për Auditimin e Sektorit Publik
Credits: Kuvendi i Shqipërisë – Emilia Koliqi (Kryetare e nën-komisionit për Auditimin e Sektorit Publik)

Ekspertët thonë se Paketa e Maleve krijon shtigje ligjore për rritjen e korrupsionit në procese që kanë të bëjnë me ndarjen e pronës dhe procesin e shitjes së pasurisë shtetërore.

Emilia Koliqi, kryetare e Nën-komisionit për Auditimin e Sektorit Publik (strukturë Brenda Komisionit për Ekonominë dhe Financat) thotë se një ndër paqartësitë e projektligjit është edhe përcaktimi i saktë i zonave malore që targetohen në të.

“Ky projektligj ngre shqetësime serioze në mënyrën se si është ri-hartuar përsa i takon hapësirës që krijon për korrupsion. Ka një mungesë totale të transparencës dhe paqartësi në ndarjen e pronësisë në zonat malore dhe cënon autonominë vendore,” – thotë Koliqi, ndërkohë që në dokumentin e vlerësimit që “shteg.org” disponon theksohet se mbi 60% e territorit të vendit është sipërfaqe malore, por nuk specifikohen zonat që do të vendosen në funksion të përfituesve të këtij projektligji.

Gjithashtu, Koliqi thekson se në tryezën e diskutimit të mbajtur më 10 shkurt të këtij viti, 2025, rreth vlerësimit parandalues të korrupsionit është diskutuar se ligji krijon hapësira për kryerjen e akteve korruptive.

“Qëllimet e deklaruara të projektligjit nuk përputhen tërësisht me qëllimet reale, qëllime të cilat duket se tejkalojnë zonat e synuara. Përmbajtja e projektligjit krijon premisa për qëllime të fshehura ose të padeklaruara,” – thuhet në dokumentin e vlerësimit, që u hartua me mbështetjen e projektit të Fondacionit për Demokraci.

Çfarë parashikon “Paketa e Maleve”
Lexo më shumë …

Projektligji parashikon nënshkrimin e një kontrate shitjeje me kusht mes poseduesve jo pronarë dhe qeverisë, sipas së cilës, pronari do të marrë certifikatën e pronësisë vetëm pasi të realizojë ndërtimin e projektit të planifikuar.

Objektivi është që toka, si “pyll”, “kullotë” apo “livadh”, të përdoret për investime që nxisin zhvillimin e zonës.

Ligji përcakton gjithashtu lehtësitë fiskale dhe tatimore për subjektet që realizojnë projektet e planifikuara mbi këto pasuri për një periudhë 10-vjeçare, ndërkohë që numri i subjekteve që mund të përfitojnë nga këto lehtësira është i kufizuar në 500.

Qëllimi i ligjit: 

Sipas nenit të parë, qëllimi i ligjit është mbështetja e rimëkëmbjes ekonomike dhe sociale të zonave malore duke:

  • Tërhequr investime për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
  • Promovuar shfrytëzimin efikas të burimeve natyrore dhe mbrojtjen e ekosistemeve.
  • Përmirësuar kushtet e jetesës dhe krijuar vende pune.
  • Mbështetur kalimin e pronësisë së pasurive shtetërore të përdorura nga privatët pa titull pronësie.

Si do të funksionojë? 

Ligji përcakton procedura për shpalljen e zonave malore si “zona prioritare zhvillimi”. Pas shpalljes, individët ose subjektet që zotërojnë pasuri shtetërore në këto zona pa titull pronësie mund të aplikojnë për t’u njohur si “posedues jo-pronarë” dhe mund të blejnë pasurinë për 1 euro, me synimin për ta zhvilluar atë me investime.

Cilat zona shpallen prioritare për zhvillim? 

Për t’u shpallur një zonë si prioritare për zhvillim, duhet të ketë potencial ekonomik, industrial apo turistik. Për të qenë posedues jo-pronarë, subjektet duhet të plotësojnë disa kushte, përfshirë posedimin e vazhdueshëm mbi pasurinë shtetërore për të paktën 10 vjet.

Si përcaktohet zona e zhvillimit? 

Ministri i Pushtetit Vendor, me kërkesë të bashkisë kompetente, propozon shpalljen e një territori si zonë zhvillimi. Agjencia Shtetërore e Kadastrës nis regjistrimin e zonave kadastrale dhe përmirësimin e regjistrit të pasurive të paluajtshme nëse është e nevojshme.

Procedurat për të u bërë posedues jo-pronarë

Subjektet që dëshirojnë të bëhen posedues jo-pronarë mund të paraqesin kërkesën e tyre pranë bashkisë, duke e shoqëruar me dokumentacionin përkatës. Pas verifikimeve të gjendjes juridike dhe posedimit të pasurisë, bashkia afishon listat e subjekteve për 45 ditë dhe më pas miraton kërkesat.

Leja e zhvillimit 

Poseduesit jo-pronarë mund të aplikojnë për leje zhvillimi për projektet që synojnë të ndërtojnë mbi pasuritë që kanë. Leja e zhvillimit miratohet nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit, dhe ndihmon për të realizuar projektet e planifikuara.

Sa afat ka leja e ndërtimit?

2 vjeçare – Pronari (ose poseduesi që ka lidhur kontratë me kusht) dhe investitori që ka një marrëveshje me të kanë të drejtë të aplikojnë për leje ndërtimi. Aplikimi bëhet për sipërfaqen që përfshihet në kontratë.

Kontrata me kusht

Në kuadër të projektligjit është përfshirë dispozita për lidhjen e një kontrate shitjeje me kusht, ku subjekti mund të blejë tokën për 1 euro, por do të marrë çertifikatën e pronësisë vetëm pasi të realizojë ndërtimin e projektit të planifikuar.

Lehtësira fiskale dhe tatimore

Projektligji ofron lehtësira fiskale dhe tatimore për një periudhë 10-vjeçare për ata që përfitojnë pronësinë, përfshirë përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, taksa e pasurive të paluajtshme, TVSH dhe tatimi mbi të ardhurat.

Një tjetër problematikë që Koliqi ngre është dhe mospranimi në këto 30 vjet të ligjit për ndarjen e pronës, ligji1701, nga pronarët e sipërfaqeve të zonave malore, çka i hap rrugë tej-zgjatjeve të problematikave që miratimi i “Paketës së Maleve” mund të sjellë.

Ligji nuk parashikon mekanizma të fortë verifikimi për të siguruar që ato pasuri që do të kalojnë tek subjekte private të mos përdoren në mënyrë abuzive.

“Meqenëse në këto zona banorët nuk kanë pranuar ligjin 1701 që ndante tokën, ata në një dakordësi me njëri-tjetrin kanë bërë një ndarje të tokave, por nuk është regjistruar asnjëherë,” – thotë Emilia Koliqi, duke shtuar se pavarësisht hartimit të dokumentacioneve për regjistrimin e këtyre pronave me ligj në vitin 2020, asnjë prej tyre nuk u regjistruar, çka është shoqëruar edhe me penalizimin e zotëruesve të tyre në zhvillimin e pronës pasi nuk dispononin certifikatën e pronësisë.

Përveç problematikave të mbartura ndër vite rreth pronësisë së sipërfaqeve tokësore në reliev malor, miratimi i kësaj pakete, sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preçi, mund të ndikojë në shfaqen e një tjetër problematike madhore: cenimin e interesit publik për shitjen e pasurisë shtetërore tek subjektet private, ndaj të cilëve mungojnë dhe mekanizmat që do të parandalonin abuzimet.

“Ky projektligj prek në mënyrë të rëndësishme interesa publike ndërsa bëhet fjalë për shitje të pasurisë shtetërore, për vlera (çmime) të parëndësishme fare, tek subjekte private,” – thotë Preçi sipas të cilit “Paketës” i mungojnë mekanizmat e verifikimit dhe masat mbrojtëse për të parandaluar abuzimet me këtë proces.

“Rekomandohet vendosja e kritereve më të rrepta për verifikimin e posedimit dhe qëllimit të përdorimit të pronës, duke përfshirë një proces transparent dhe të dokumentuar për vlerësimin e kërkesave të pretendentëve si posedues jo-pronarë dhe investimeve të propozuara,” – shton ai, ndërkohë që në vlerësimin për parandalimin e akteve korruptive mbi këtë projektligj thuhet se “Paketa e Maleve” nuk parashikon se çfarë masash do të merren nëse subjektet që do të lidhin kontratat e shitjes nuk do të zbatojnë projektin zhvillimor në bazë të së cilit kanë përfituar.

“Ekziston rreziku që subjektet përfituese të mos realizojnë investimet e parashikuara, duke devijuar nga objektivi i zhvillimit ekonomik të zonave malore,” – thuhet në vlerësim.

Projektligji mjaftohet me argumentimin se përmes kalimit të pronës të poseduesit faktikë me vlerën prej “1 euro” do të nxisë investimet dhe do të lehtësojë procedurat e zhvillimit të sipërfaqeve, megjithatë kjo qasje e tij nuk mbështetet në një analizë paraprake se si mund të ndikojë në ekonominë e vendit.

“Kjo qasje nuk mbështetet nga një analizë të thelluar mbi ndikimin ekonomik dhe social të kësaj mase, si dhe nuk parashikon një mekanizëm të qartë për të vërtetuar se përfituesit e pronës do të realizojnë investime të qëndrueshme,” – thuhet në vlerësim.

“Malet 1 Euro” në periudhë fushate

Alpet turistike
Credits: shteg.org – Alpet turistike

Sipas Kodit Zgjedhor të Shqipërisë, 4 muaj përpara procesit zgjedhor institucionet shtetërore ndalohen të nxjerrin propozime apo akte ligjor që kanë të bëjnë me uljen/heqjen e taksave, por edhe projektligje që kanë të bëjnë me procesin e privatizimit dhe me dhënien e pasuri.

Megjithatë, pavarësisht kufizimeve ligjore “Paketa e Maleve” mundi të konsiderohej “i rregullt” nga Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve (KAS) më 19 shkurt të këtij viti.

“Në këtë rast ne kemi dy kushte që thyhen: edhe për lehtësi fiskale, të cilat fillojnë që: përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, përjashtimin nga taksa e pasurive të paluajtshme, përjashtim nga TVSH-ja, përjashtim nga tatimi mbi të ardhurat, por edhe çështja e pronave. Në këtë rast kjo është një pronë shtetërore,” – shpjegon Emilia Koliqi.

Ndonëse Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirian Celibashi, konstatoi se kjo nismë prek politikat e rëndësishme fiskale që mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale, më 13 Shkurt 2025 Kuvendi iu drejtua KAS duke ngritur pretendimin se ky projektligj nuk përfaqëson një akt që krijon përfitime të drejtpërdrejta financiare për qytetarët, por një reformë administrative që synon të adresojë problematika të mbartura prej kohësh në zonat malore.

Pas kalimit të (KAS), ky projekt-ligj mund të ankimohet në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës Administrative të Apelit brenda 45 ditëve. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur asnjë ankesë të regjistruar në Kolegjin Zgjedhor.

“Pas verifikimeve të kryera, rezulton se deri më 07.03.2025, në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk ka pasur dorëzim padie për ankimimin e Vendimit Nr. 7 datë 19.02.2025,” – thuhet në përgjigjen që “shteg.org” mori nga Kolegji Zgjedhor.

Deputetja Jorida Tabaku ka komentuar se miratimi i këtij ligji në prag të zgjedhjeve të 11 majit 2025 është pjesë e strategjisë elektorale të qeverisë.

“Me këtë projektligj, qeveria krijon një mekanizëm të ri për shpërndarjen e pronave publike ndaj individëve të caktuar, të cilët më pas detyrohen të tregojnë ‘mirënjohjen’ e tyre nëpërmjet mbështetjes politike dhe votës,” – tha Tabaku për “shteg.org”.

Po ashtu, tre ditë më parë, pavarësisht kundërshtimeve në Komisionin për Çështjet Evropiane, projektligji u miratua vetëm me votat e mazhorancës.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.