Qeveria në telashe, politikat e saj po humbasin terren

816
Rama Meloni
Credit: LSA

Vepra penale e favorizimit të emigracionit të parregullt është nën vëzhgimin e gjyqtarëve, të cilët kanë ngritur çështjen e interpretimit (kushtetutshmërisë) në Gjykatën Evropiane.

Kështu, dekreti Cutro rrezikon të shembet. Nëse gjyqtarët këmbëngulin të verifikojnë pajtueshmërinë e normave me të drejtën (ligjin) e Bashkimit Evropian, kjo nuk do të thotë se ata kanë në shënjestër politikat e qeverisë Meloni mbi emigracionin.

Për shembull, çështja e ngritur nga gjykata e Bolonjës për krimin e favorizimit të emigracionit të parregullt, është paraqitur përpara Gjykatës së Drejtësisë të BE-së. Dyshimet e gjykatës lidhen kryesisht me legjislacionin evropian, dhe vetëm pas kësaj me ligjin kombëtar që e zbaton atë.

Në vitin 2019, një grua me origjinë nga Kongo, në pikën kufitare të aeroportit të Bolonjës, paraqiti dokumente të falsifikuara për veten dhe dy të mitur (vajzën dhe mbesën e saj) dhe u arrestua nën akuzën për favorizim të emigracionit të parregullt, të rënduar nga përdorimi i një shërbimi transporti ndërkombëtar (aeroplanit) dhe dokumenteve të falsifikuara.

Gjykata e Bolonjës ngriti çështjen e kushtetutshmërisë në lidhje me rrethanat rënduese të krimit, për shkak të kundërshtimit me parimet e barazisë, arsyesh-mërisë dhe proporcionali-tetit të dënimit. Në mars 2022, Gjykata Kushtetuese shpalli të paligjshme normën mbi rrethanat rënduese. Në korrik 2023, gjykata e referoi çështjen te Gjykata e Drejtësisë së BE-së për të vlerësuar nëse legjislacioni evropian mbi favorizimin e emigracionit të parregullt, i njohur si “Paketa e Lehtësuesve”, dhe ligji italian që e zbaton atë, janë në përputhje me Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian.

Rregullorja në BE dhe Itali

Rama Meloni
Credit: LSA – Protesta e aktivistëve në hyrje të portit të Shëngjinit

“Pakoja e lehtësuesve”, e përbërë nga një direktivë e BE-së (2002/90) dhe një vendim kuadër i Këshillit Evropian i vitit 2002, i kërkon shteteve anëtare të BE-së të dënojnë «çdo person që qëllimisht ndihmon një person që nuk është shtetas (…) të hyjë ose të kalojë në territorin e një shteti anëtar në shkelje të ligjeve të atij shteti».

Sidoqoftë, “çdo shtet anëtar mund të vendosë të mos marrë masa ndëshkuese” për ata që ndihmojnë hyrjen e të huajve vetëm për qëllime humanitare, pra pa përfitime financiare.

Më konkretisht, shtetet anëtare të BE-së janë të detyruara të përfshijnë krimin e favorizimit të emigracionit të parregullt, por vetëm opsionalisht mund të parashikojnë një përjashtim “humanitar”.

Në Itali, legjislacioni i BE-së është zbatuar përmes nenit 12 të Ligjit të Unifikuar mbi Emigracionin, i cili dënon krimin (me burgim nga 2-6 vite dhe gjobë prej 15,000 euro) pa asnjë përjashtim humanitar. Ky nen gjithashtu parashikonte rrethana rënduese, të cilat – siç u tregua më lart– u shfuqizuan me vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata e Bolonjës i kërkoi Gjykatës së Drejtësisë të vlerësonte nëse legjislacioni evropian, duke parashikuar kriminalizimin e favorizimit të emigracionit të parregullt pa asnjë përjashtim për ata që veprojnë për qëllime humanitare ose për detyrime familjare, shkel Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së: veçanërisht, parimin e proporcionali-tetit (neni 52, paragrafi 1), së bashku me të drejtat e parashikuara nga Karta si liria personale (neni 6), e drejta për jetën (neni 2), integriteti fizik (neni 3), azili (neni 18) dhe jeta familjare (neni 7).

Gjykata gjithashtu kërkoi të vlerësohej nëse neni 12 i ligjit italian, duke mos përjashtuar përgjegjësinë për ata që veprojnë pa synim përfitimi, shkel këto dispozita.

Avokati i përgjithshëm i Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, në konkluzionet e tij më 7 nëntor, deklaroi – ndër të tjera – se u takon shteteve anëtare të miratojnë një legjislacion proporcional, që lejon gjyqtarët të “dallojnë ndjekjen penale të një personi që ka vepruar për qëllime humanitare” nga ajo e atyre që janë të motivuar ekskluzivisht nga “qëllimi i përfitimit”.

Vendimi i Gjykatës, i parashikuar të merret në fund të vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025, mund të konfirmojë vlefshmërinë e “paketës së lehtësuesve (fasilitues) ” ose të konsiderojë disa dispozita të saj të papajtueshme me Kartën e të Drejtave Themelore të BE-së, veçanërisht atë që parashikon vetëm mundësinë, dhe jo detyrimin, për të përjashtuar nga përgjegjësia ata që kanë vepruar për motive humanitare.

Në këtë rast të dytë, Komisioni Evropian do të duhej të ndërhynte për të ndryshuar legjislacionin evropian. Por edhe qeveria italiane do të duhej të riformulonte rregulloren për krimin e favorizimit të emigracionit të parregullt. Kjo do të ndikonte gjithashtu edhe në “krimin universal”, të sanksionuar nga dekreti Cutro, me të cilin Meloni pretendonte të ndiqte penalisht favorizimin në “tërë globin tokësor”. Ankesat e pashmangshme mbi një konspiracion të gjyqtarëve do të ishin edhe më të pabaza se në raste të tjera.


Shënim: Ky shkrim u botua në platformën italiane “Domani

Autor: Vitalba Azzollini, juriste

Vitalba Azzollini
Juriste |  + posts