Qeveria vendosi mbylljen e Tik-Tok

Shqipëria u kthye në vendin e parë të Evropës që vendosi mbylljen e platformës të Tik-Tok. Ky vendim u bë i ditur nga Kryeministri Rama, ndërkohë që kompania e Tik-Tok është shprehur për median ndërkombëtare se po kërkon sqarime urgjente nga Qeveria shqiptare për marrjen e këtij vendimi.

868
TikTok
Credit: shteg.org

Në vitin 2025 përdoruesit e rrjetit social Tik-Tok, në Shqipëri nuk do të kenë akses të përdorin llogaritë e tyre. Vendimi i Qeverisë shqiptare u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme, më 22 Dhjetor.

Gjatë deklaratës së tij Rama tha se nga hulumtimet teknologjike të bëra, nga muaji janar, Qeverisë do i duhen nga 6 deri në 8 javë për të mbyllur platformën, e cila do të jetë e paaksesueshme për 1 vit. Sipas tij, ky vendim erdhi si rezultat i 1300 takimeve të organizuara në territorin e vendit nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve.

“Me vendimin e nxjerrë nga 1300 takime të organizuara në të gjithë territorin e vendit nga Ministria e Arsimit, ku morën pjesë 65.000 prindër, si edhe nga anketimi i bërë ku mbi 90% e prindërve kërkuan mbylljen e aksesit në platformën Tik Tok në Shqipëri ”, – shkruajti ditën e dielë Kryeministri Rama në rrjetin e tij social, pa treguar asnjë eviencë për këtë.

Marrja e këtij vendimi nga ana e Qverisë e ka shndërruar Shqipërinë në të parin vend të Evropës që e ndalon përdorimin e këtij rrjeti social, ndërkohë që shtetet e tjera të cilat e kanë ndaluar përdorimin e Tik-Tok për shtetasit e tyre janë India, Somalia, Nepali, Irani dhe Afganistani.

Mbyllja e këtij rrjeti social nuk është përqafuar nga ekspertët e sociologjisë dhe të shkencave të komunikimit, të cilët e shohin platformën si një mënyrë komunikimi që bashkon njerëzit me kultura të ndryshme.

Më herët “shteg.org” publikoi artikullin “Mbyllja e Tik-Tok (mos)zgjidhja e nxitjes së dhunës” ku eksperti dhe pedagogu i sociologjisë, Zyhdi Dervishi u shpreh gjatë intervistës se për të mos nxitur dhunën në rrjetet sociale është e nevojshme filtrimi i platformave kompjuterike duke mos lejuar publikimin apo qëndrimin e komenteve që përmbajnë gjuhë vulgare.

“Në këtë mënyrë hiqet pjesa helmuese e rrjeteve sociale dhe mbetet ajo pjesa e mirë e komunikimit për çështje pune, mesazh, opinionesh etj”, – u shpreh Dervishi, ndërkohë që pedagogu i gazetarisë, Ervin Goci nëpërmjet një reagimi të tij tregon se mbyllja e Tik-Tok cënon lirinë e shprehjes.

“Platforma nuk është një shërbim personal, por kolektiv e komunitar, në këtë rast po cënohen të gjithë pa u identifikuar një shkelës, duke e mbyllur këputën dhe lidhjet sociale që janë krijuar” – u shpreh Goci ndërkohë që ndër të tjera shton se “Shumë njerëz e përdorin platformën si të vetmin burim ekonomik, atyre u mohohet e drejta për të shprehur talentin e tyre fitimprurës. Mos të harrojmë se shumë prej llogarive nuk janë as individë por janë biznese, prezenca abstrakte që promovojnë aktivitetin e tyre. Këtë në fakt e bën dhe Shqipëria me duke promovuar imazhin e saj.

Ndërkohë, eksperti i IT Said Duleviç tha për “shteg.org” se mbyllja e kësaj platformeje vetëm për vendin tonë mund të funksionojë si ajo e faqeve të ndryshme pirate, megjithatë me anë të VPN-së mund të aksesohen lehtësisht si aplikacione.

“Mbyllja bëhet nëpërmjet ISP-ve që mund të jenë për shembull: Digicom, Vodafone apo dhe ONE. Bllokohet siç bllokojnë faqet piraterike të filmave, por me VPN mund të aksesohet lehtë si app”, – tha Duleviç. Ky vendim i Qeverisë erdhi pas plagosjes me vdekje të 14-vjeçarit Martin Cani, i sulmuar nga një bashkëmoshatar pas një debate të nisur në rrjetet sociale. Kjo ngjarje në Shqipëri nuk është cilësuar si një arsye që kërkon mbylljen e Tik-Tok në vend nga kompania, e cila është shprehur për Associated Press se kërkon sqarime urgjente nga qeveria shqiptare.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.