Në një operacion të përbashkët mes Prokurorisë së Posaçme dhe autoriteteve gjermane, është goditur një rrjet kriminal që vepronte nga Tirana përmes thirrjeve mashtruese në gjuhën gjermane. Përmes skemave të sofistikuara të mashtrimit dhe prezantimit si oficerë të rremë policie, anëtarët e këtij grupi kishin arritur të mashtronin 14 qytetarë gjermanë, duke shkaktuar një dëm prej mbi 363 mijë eurosh.
SPAK, në bashkëpunim me Zyrën Kriminale të Land-it Baden-Württemberg, ekzekutoi 6 nga 8 masat e sigurisë të dhëna nga GJKKO, ndërsa 2 persona rezultojnë ende në kërkim. Operacioni i koduar “Pandora” parandaloi gjithashtu një dëm të mundshëm prej rreth 10 milionë eurosh ndaj 6 mijë qytetarëve të tjerë gjermanë, falë ndëhyrjes në kohë të autoriteteve.
Hetimet e nisura në dhjetor të vitit 2023 zbuluan një call center të paligjshëm në Tiranë, ku të dyshuarit përdornin identitete të rreme të punonjësve të policisë, duke i bindur qytetarët gjermanë se do t’i ndihmonin në rikuperimin e humbjeve të tyre nga investime në kriptomonedha apo forex. Në fakt, bëhej fjalë për një mashtrim të mirëorganizuar ndërkombëtar.
Policë të rremë dhe kompani fantazmë

Në dhjetor të vitit 2023, disa qytetarë gjermanë nisën të marrin telefonata të çuditshme. Në anën tjetër të linjës, një zë u prezantua si oficer policie dhe iu tha se kishin humbur para në tregun e kriptomonedhave, por mos të shqetësoheshin se autoritetet po i ndihmonin t’i rikuperonin. Ajo që pasoi ishte një skemë mashtrimi e mirëorganizuar, me qendër në një godinë të zakonshme në Tiranë.
Në prill 2024, pas hetimeve të përbashkëta me Gjermaninë, Prokuroria e Posaçme shqiptare (SPAK) zbuloi dhe goditi një rrjet të sofistikuar mashtrimi që përdorte call center-a të paregjistruar, me qëllim mashtrimin e qytetarëve europianë, kryesisht gjermanë.
Janë identifikuar 8 të dyshuar, 6 prej të cilëve janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë ndodhen jashtë Shqipërisë.
Sipas autoriteteve, rrjeti kishte arritur të mashtronte 14 shtetas gjermanë me një dëm financiar prej 363,501 eurosh, ndërsa 6 mijë qytetarë të tjerë janë shpëtuar në kohë, duke parandaluar një humbje të mundshme prej 10 milionë eurosh.
“Nisi në dhjetor 2023. Filluan të përgjonim mbi 20 telefonata në ditë dhe krijuam gjithashtu edhe një qendër kundër thirrjesh me qëllim që këto telefonata mashtruese, duke u munduar të shmangim humbje financiare prej 10 milionë eurosh” – deklaroi Oliver Hoffman, drejtues i Zyrës Kriminale të Land-it Baden-Württemberg në Gjermani, i cili ishte edhe drejtuesi i palës gjermane në operacionin “Pandora”.
Grupi që operonte nga Shqipëria prezantohej si “policia gjermane”, duke pretenduar se po ndihmonte viktimat të rikuperonin humbjet e tyre financiare nga investime të dështuara në tregjet online, kriptomonedha apo FOREX.
Në fakt, këto ishin skema të rreme mashtrimi, të konceptuara për të nxjerrë para nga viktimat përmes premtimeve boshe për “mbledhje borxhesh”, “kompensime nga shteti” apo “hetime ndërkombëtare”.
Hetimet nisën në dhjetor 2023, pas sinjalizimeve nga autoritetet gjermane për një rrjet të organizuar mashtruesish që vepronin përmes “call center”-ave të paregjistruar në Shqipëri.
Në prill 2024, u ushtruan kontrolle në ambientet e një prej call center-ave, ku u sekuestruan prova të shumta dixhitale dhe dokumentare.
U sekuestruan prova të shumta dixhitale, dokumente dhe të dhëna që provonin ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal. Në koordinim të ngushtë me Zyrën Kriminale të Land-it Baden-Württemberg, hetuesit konfirmuan se ky grup kishte vepruar për të paktën 18 muaj, në bashkëpunim me rrjete të tjera në pesë vende: Kosovë, Shqipëri, Bosnje, Serbi dhe Liban.
Ky operacion çoi në goditjen e 12 qendrave thirrjesh ndërkombëtare dhe në arrestime të shumta, janë dhënë dënime të shumta ndër to dhe organizatori i infrastrukturës së tyre në Gjermani,” përfundoi Hoffman.
Në vijim të hetimeve, autoritetet gjermane analizuan provat dhe në bashkëpunim me palën shqiptare konfirmuan ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal. Duke inskenuar skema të sofistikuara mashtrimi, prezantimi si oficerë policie duke premtuar përfitime financiare dhe mbledhje borxhesh nëpërmjet mashtrimeve me karta dhe banka online në investime të rreme dhe skema për “rikuperim” dëmesh.
Prokurori Eneid Nakuçi, theksoi se janë arrestuar 5 persona, ndërsa 3 të tjerë janë lënë në arrest shtëpie.
“Gjykata ka vendosur masat e sigurisë ‘arrest me burg’ për 5 shtetas dhe ‘arrest në shtëpi’ për 3 të tjerë. Kjo është një goditje e rëndësishme ndaj mashtrimeve ndërkombëtare që kryhen përmes teknologjisë dhe që cënojnë sigurinë dhe besimin e qytetarëve europianë”,- theksoi Nakuçi.
Gjykata e Posaçme caktoi masat e sigurimit personal për tetë persona të dyshuar si pjesë e këtij rrjeti, mirëpo janë ekzekutuar masat e sigurimit vetëm për gjashtë nga të dyshuarit që ndodheshin në territorin shqiptar.
“Grupi vepronte si oficerë policie të rremë që përpiqeshin të rikuperonin dëmet e qytetarëve gjermanë në tregun e kriptomonedhave dhe FOREX. Skema përfshinte mashtrime bankare, me investime, karta pagese, deri te premtime të rreme për mbledhje borxhesh.” – deklaroi prokurori Nakuçi.
Sipas të dhënave zyrtare, dëmi i dokumentuar deri tani për 14 viktima në Gjermani arrin vlerën e 363,501 euro.
Autoritetet theksojnë se kjo shumë e “relativisht ulët” është rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe parandalimit të qindra tentativave të tjera mashtrimi. Viktimat janë informuar në kohë nga policia gjermane për skemat e mashtrimit dhe janë ndihmuar të mos kryejnë pagesat.
“Krijuam edhe një qendër kundër thirrjeve për të ndalur humbje financiare. Ky bashkëpunim çoi në parandalimin e një dëmi prej 10 milionë eurosh.” – deklaroi Hoffman.
Sipas tij, nga 7.500 raste të identifikuara, 6.000 u shpëtuan në kohë, falë ndërhyrjes së shpejtë të autoriteteve.
Ndërkohë që hetimet penale për mashtrim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal po vazhdojnë, SPAK ka nisur edhe hetimin pasuror ndaj të dyshuarve, për të zbuluar nëse paratë e përfituara nga mashtrimet janë investuar në pasuri ose biznese të tjera.
Sipas të dhënave zyrtare, që nga viti 2021 janë zhvilluar mbi dhjetëra operacione policore kundër mashtrimeve të tilla, ku janë proceduar më shumë se 170 persona, përfshirë administratorë, operatorë dhe teknikë informatikë.
Rasti rreth 1 muaj më parë konsistoi në dënimin e 2 të rinjve të akuzuar për përfshirje në një skemë kriminale që mashtronte qytetarë të huaj përmes “call center”-ave fiktivë dhe investimesh të rreme në kriptovaluta.
Jusel Mici dhe Mendim Domi, të konsideruar si “pronarë fasadë” të kompanive të krijuara nga shtetas italianë, u dënuan nga GJKKO për mashtrim kompjuterik, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.