Rama merr kompetencat e gjykatës dhe sulmon prokurorinë

Mazhoranca kthehet në “gjykatë paralele” për të mbrojtur zyrtarët e akuzuar nga SPAK ndërsa ekspertët paralajmërojnë shkelje të Kushtetutës nga ndërhyrja e Kryeministrit.

561
Kryeministri Edi Rama
Credits: LSA

Vendimi i Prokurorisë së Posaçme për të lëshuar 24 masa sigurie ndaj zyrtarëve të Universitetit Bujqësor të Tiranës ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm nga Kryeministri Edi Rama, i cili, në një lëvizje të pazakontë, ka vendosur që të marrë në pyetje vetë rektorin e institucionit, Fatbardh Sallaku. Në vend që çështja të shqyrtohet nga institucionet e drejtësisë, Rama ka vendosur që ai dhe grupi i tij parlamentar të “dëgjojnë” rektorin, duke minuar hapur pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Në një deklaratë publike, Kryeministri u shpreh se rektori ka kërkuar të dëgjohet nga shumica qeverisëse për të sqaruar atë që ai e quan “një keqkuptim shumë të madh”. Me këtë veprim, Rama jo vetëm që po ndërhyn drejtpërdrejt në një çështje të drejtësisë, por po përpiqet të krijojë një perceptim publik që minimizon veprimet e SPAK dhe akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të universitetit.

Studiuesi e politologu Afrim Krasniqi e ka quajtur absurd dhe shkelje kushtetuese raportimin e rektorit të Universitetit Bujqësor Fatbardh Sallaku, para grupit parlamentar të PS, pas masave të lëshuara nga SPAK për procedura tenderimi në vlerën 300 mln lekë të vjetra.

Sipas Krasniqit, “akte të tilla populiste, na kthejnë në kohën e Koçi Xoxes”, duke nënkuptuar kohën e regjimit komunist.

“Absurde dhe shkelje kushtetuese/ligjore si nismë, si deklarim, si praktikë dhe si akt politik e parlamentar. Akt minues ndaj drejtësisë dhe rolit kushtetues të Kuvendit dhe parimit të ndarjes dhe balancës së pushteteve. Edhe pse shpesh na thuhet se për këtë në botë bëhen edhe filma, ky është një prej rasteve tipike ku asnjë skenarist dhe regjisor nuk do guxonte ta bënte. Natyrisht edhe asnjë politikan i përgjegjshëm, shtetar apo jurist. Në aspektin ligjor ky është akt kundër dhënies së drejtësisë, pengim i drejtësisë dhe presion politik e në konflikt interesi” – shkruan krasniqi në rrjetin e tij social.

Ndërkohë, SPAK ka lëshuar masa sigurie për një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të Universitetit Bujqësor, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe korrupsion në tendera. Pesë prej tyre janë arrestuar me burg, ndërsa të tjerë janë vendosur në “arrest shtëpie” ose nën masën e “detyrimit për paraqitje”. Megjithatë, në vend që të mbështesë drejtësinë në punën e saj, Kryeministri ka vendosur të ndërhyjë politikisht, duke lënë të kuptohet se procesi ndaj këtyre zyrtarëve është i padrejtë.

Sipas Krasniqit, ky  është një rast i pastër ku politika kërkon të marrë rolin e gjyqësorit, duke bërë presion të hapur ndaj drejtësisë dhe hetimeve të SPAK për 24 zyrtarë të Universitetit Bujqësor, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Kjo është një ndërhyrje e paprecedentë që nuk gjen asnjë analogji në vendet demokratike të BE-së apo më gjerë.

“Nuk mundet që një parti të marrë rolin e Gjykatës së Apelit dhe as të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Nuk mundet që një rektor i një institucioni të pavarur të japë sqarime e llogari jo në universitet, jo në Konferencën e Rektorëve, jo para organeve të drejtësisë, por në mbledhjen e një partie politike. Nuk ka praktikë të ngjashme në asnjë vend të BE dhe në asnjë vend demokratik në botë kur partia mbledh deputetët për të kryer hetime dhe gjykuar një vendim në proces të organeve të drejtësisë. Zoti Rama dhe PS nuk mund të përcaktojnë prokurorin dhe gjyqtarin, aktet e tyre dhe vendimet e GJKKO, provat dhe masat penale, – duke ofruar një model negativ dhe minues për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe sloganin e tyre për Shqipërinë në BE më 2030” – shkruan Krasniqi.

iPhone 152x152 1
[email protected] | Website |  + posts

RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.