Raporti i BE-së, Korrupsioni fenomen në Shqipëri

Shqipëria renditet e 80-ta në rend global përsa i përket përhapjes së korrupsionit, ndërkohë që lufta kundër korrupsionit përballët me sfida të shumta në sistemin e Drejtësisë.

167
Anëtarsimi i Shqipërisë në BE
Credits: shteg.org - Anëtarsimi i Shqipërisë në BE

Korrupsioni mbetet një nga problematikat më të mëdha të Shqipërisë, duke u kthyer në një fenonomen të përhapur në fusha të ndryshme të vendit, ndërkohë që institucionet e Drejtësisë nuk kanë efikasitet për ta luftuar.

Ky përfundim është nxjerrë nga raporti për Sundimin e Ligjit në Shqipëri, i bërë publik nga Komisioni Evropian gjatë ditës së djeshme, 8 korrik 2025.

Sipas tij, specializimi në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit në fushën e prokurorimeve mbetet i dobët, ndërkohë që transparenca për procedurat e prokurorimit publik mbetet e kufizuar, sidomos në rastin e partneritetit publik-privat.

“Rreziqet nga korrupsioni vazhdojnë të jenë të theksuara veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, arsimit dhe në polici, si dhe në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, të cilat konsiderohen fusha me rrezik të lartë”, – thuhet në raport, ku Policia e Shtetit cilësohet si një prej institucioneve më të ndjeshme ndaj korrupsionit.

Gjatë vitit të kaluar, 2024, janë adresuar pranë Agjencisë së Mbikqyrjes Policore 1704 ankesa për sjelljen e punonjësve të Policisë së Shtetit. Pas inspektimeve të kryera nga agjenci u referuan për ndjekje penale 463 punonjës të rendit, kryesisht për konsumimin e veprave penale të shpërdorimit të detyrës dhe të korrupsionit pasiv.

Problematikat në Drejtësi

Cilësia e Drejtësisë lidhet ngushtë me mungesën e burimeve financiare dhe njerëzore, me të cilat sistemi po përballet prej vitesh. Kryesisht mungesat janë evidentuar në shkallën e Apelit.

“Në Gjykatën e Apelit janë emëruar dy gjyqtarë të rinj, duke e çuar numrin total të gjyqtarëve në detyrë në 28 nga 78 të parashikuar” – thuhet në raport, ndërkohë që theksohet se në total, ndonëse numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve është shtuar, sërish numri i atyre që janë aktivë mbetet i ulët për të përmbushur nevojat.

“Në dhjetor 2024, nga 341 prokurorë të parashikuar, vetëm 221 (65%) ishin realisht në detyrë; dhe nga 408 gjyqtarë, vetëm 272 (67%) ishin aktivë”.

Këto mungesa kanë çuar edhe në tejzgjatjen e kohës mesatare të zgjidhjeve të çështjeve vit pas viti, ku kryesisht evidentohen problematika në çështjet penale në shkallën e dytë.

“Norma e zgjidhjes së çështjeve mbeti dukshëm nën 100% gjatë vitit 2023 dhe ishte veçanërisht e ulët në shkallën e dytë, ku varionte nga 43% në 63%, në varësi të llojit të çështjeve (krahasuar me një normë nga 87% në 94% në shkallën e parë)” – saktësohet në raport.

Përveç problematikës së vakancave në sistemin e Drejtësisë që është përmendur edhe në fazën kur ky raport ishte i papërfunduar, mospërmirësimi i bashkëpunimit midis institucioneve të Drejtësisë evidentohet si një nga problematikat e sistemit të Drejtësisë.

“Nevojitet një mekanizëm drejtues më efektiv dhe koordinim i të gjitha institucioneve të Drejtësisë gjatë zbatimit të strategjisë së reformës në Drejtësi”, – raporton Komisioni Evropian, duke theksuar nevojën për ndjekje sistematike të takimeve të përbashkëta të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KPL) për çështje që lidhen me konkluzionet operaciopnale, apo me kooordinimin e masave dhe standartet e cilësisë së Drejtësisë.

Kjo lidhet me nevojën për intensifikim të shkëmbimeve, ndjekje sistematike të takimeve të përbashkëta të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë përmes konkluzioneve operacionale, konsultimeve me palët e interesuara, apo koordinimit të masave dhe standardeve në lidhje me cilësinë e Drejtësisë.

Përveç bashkëpunimit, të gjitha institucionet, qoftë gjyqësori ose të tjerë, përballen me çështje të mbartura nga njëri vit në tjetrin. Në Raport është evidentuar si rast i ndikimit negativ në eficiencën e punës së Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë çështjet e mbartura ndër vite.

“Edhe pse ngarkesa e trashëguar e punës u pastrua në vitin 2023, 1363 çështje nga ai vit u bartën në vitin 2024. Gjatë vitit 2024, Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) regjistroi 1491 çështje të reja dhe përpunoi 1374 çështje. 1480 çështje u bartën për vitin 2025”, – shkruhet në raport, ku saktësohet se nga 20 inspektorë vetëm 9 prej tyre janë në detyrë.

“Procesi i përzgjedhjes së katër inspektorëve jo-magjistratë është ende në zhvillim. Vazhdojnë të ekzistojnë sfida për ta bërë pozicionin e inspektorit tërheqës për magjistratët, dhe kërkohen ndryshime ligjore për ta shtuar këtë atraktivitet. Procedura e rekrutimit për komandimin e gjashtë magjistratëve në ILD ka dështuar” – thuhet në raport.

(Anti) Korrupsioni në Shqipëri

Pavarësisht se strategjia kundër korrupsionit të miratuar nga Qeveria Shqiptare në dhjetor të vitit të kaluar 2024, është e fokusuar në fushat me rrezik të lartë për korrupsion, si prokurorimet publike, shëndetësia, prona etj, ende statistikat ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë ndër vendet me nivel korrupsioni më të larë në sektorin publik.

“Perceptimi mes ekspertëve, qytetarëve dhe drejtuesve të bizneseve është se niveli i korrupsionit në sektorin publik mbetet i lartë”, – thuhet në raport, ndërkohë që sipas Indeksit për Përceptimin e Korrupsionit të publikuar nga Transparency International për vitin e kaluar, 2024, Shqipëria renditet e 80-ta në rang global, duke arritur nivelin më të mirë në 5 vitet e fundit.

“Eurobarometri Special për Korrupsionin për vitin 2025 tregon se 86% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni është i përhapur në vendin e tyre (mesatarja e BE-së: 69%) dhe 45% e tyre ndihen personalisht të prekur nga korrupsioni në jetën e përditshme (mesatarja e BE-së: 30%)” – thuhet në raport, ndërkohë që përsa u përket bizneseve 85% e tyre mendojnë se korrupsioni është fenomen i përhapur, kurse 63%  besojnë se korrupsioni është problem gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre.

“Për më tepër, 56% e të anketuarve besojnë se ka ndjekje penale të mjaftueshme për të penguar praktikat korruptive (mesatarja e BE-së: 30%), ndërsa 51% e kompanive mendojnë se individët dhe bizneset që kapen duke korruptuar zyrtarë të lartë ndëshkohen siç duhet (mesatarja e BE-së: 33%).” – thuhet në raport, ku theksohet se progres i prekshëm në luftën kundërkorrupsionit është mundësuar nga veprimtaria e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dha 24 vendime përfundimtare, me 106 persona të dënuar me vendim të formës së prerë për vepra penale të korrupsionit, përfshirë 13 dënime në raste të nivelit të lartë”.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.