Kontratat dhe shifrat e përcaktuara nuk gënjejnë: Protokolli Italo-Shqiptar për emigrantët është një barrë e madhe për buxhetin e shtetit. Shpenzimet, që shkojnë rreth 900 milionë lekësh në total, përfshijnë ndërtimin e strukturave, menaxhimin e qendrave, orët shtesë dhe furnizimin me ushqim dhe akomodimin e forcave të policisë italiane të vendosura në Shqipëri. Akomodimi është besuar dy strukturave të mëdha hoteliere.
Gazetarët e platformës “Domani”, kanë zbuluar se pronari i kompanisë që ka përfituar më shumë nga paratë publike të qeverisë së Giorgia Melonit ka lidhje të forta me figura të njohura të partisë së kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Por le të nisim nga dështimi i fundit i misionit Shqipëri, nga kthimi në Itali të shtatë emigrantëve të fundit të dërguar në Gjadër. Gjyqtarët vendosën sërish të mos lejonin qëndrimin e tyre. Anija “Libra” e Marinës Ushtarake dhe ato të gardës bregdetare vazhdojnë “ping pong”-un e tyre mes brigjeve shqiptare dhe atyre italiane, me shpenzime të tjera.
Shpenzimeve u shtohen edhe shumat që lidhen me ushqimin dhe akomodimin e agjentëve italianë. Pas 9 milionë eurove të parashikuara nga Viminale për të mbuluar shpenzimet e ushqimit dhe akomodimit të 295 agjentëve të policisë në resortin luksoz Rafaelo për një vit, “Domani” ka zbuluar se Ministria e Drejtësisë është gati të mbyllë një “procedurë marrëveshjeje” me vlerë mbi 993 mijë euro për furnizimin me vakte për agjentët e burgjeve nga dhjetori 2024 deri në dhjetor 2026. Me një opsion për 993 mijë euro të tjera për 24 muaj të tjerë.
Në total, bëhet fjalë për mbi 2,4 milionë euro “kuadër ekonomik” të miratuar. Në praktikë, kjo është një tjetër dhënie e drejtpërdrejtë kontrate pa tender. Sipas asaj që lexojmë në faqen e Ministrisë, më 4 nëntor u publikua një njoftim me qëllimin për të gjetur kompani për dy lote deri më 19 nëntor. I pari është për furnizimin me tre vakte ditore për oficerët e policisë penale (minimumi 12 dhe maksimumi 36); i dyti, ndërkohë, lidhet me ushqimin dhe akomodimin e “katër njësive të funksioneve qendrore”. Pra, ndërsa agjentët do të detyrohen të flenë në ndërtesa të përkohshme, drejtuesit do të akomodohen në resortin buzë detit.
Edhe kjo kontratë, si shumë të tjera të zbuluara nga kjo media, bazohet në urgjencë, pra nuk ka gara, duke u mbështetur në “kohëzgjatjet e ngushta që duhen respektuar për aktivizimin e shërbimeve bazike të akomodimit dhe furnizimit me vakte për stafin në shërbim në Institutin e Burgut të Gjadrit (Shqipëri)”, siç shkruhet në njoftim.
Ndonëse koha në dispozicion ishte e mjaftueshme, protokolli u firmos një vit më parë. Nuk përjashtohet fakti që të dy lotet i jepen sërish hotelit Inheritor në Shëngjin, i cili është i pajisur me pishinë, dhoma luksoze, me të cilin ministria ka nënshkruar një marrëveshje që ka filluar më 15 shtator dhe do të përfundojë më 14 dhjetor, me një kosto totale prej 152 mijë eurosh. Oferta e tij ishte më e ulët se ajo e prezantuar nga Rafaelo Resort, i cili gjithashtu mori pjesën e vet: tashmë ka siguruar ushqimin dhe akomodimin e gati 300 agjentë të policisë së shtetit.
Njeriu i Rafaelo Resort

“Ne nuk bëjmë biznes. Tashmë kemi dhe një eksperiencë pritjeje me refugjatët afganë,” thoshte Edi Rama në një intervistë për Repubblica pas nënshkrimit të protokollit me Giorgia Melonin. Nëse nuk është qeveria shqiptare ajo që përfiton, është sektori i privatit ai që mbyll punë.
Regjisori i vërtetë në këtë moment është Mark Gjinaj, pronar i Rafaelo Resort.
Nga viti 2018 deri në vitin 2022, të ardhurat e hotelit janë katërfishuar. Një shifër që është rritur ndjeshëm edhe për faktin se nga tetori i vitit 2021, ai ka akomoduar (me buxhet nga Shtetet e Bashkuara) qindra afganë (ata që Rama përmendte në intervistë), të cilët ishin larguar nga Kabuli pas tërheqjes së ushtrisë Perëndimore.
Të dhënat e fundit tregojnë se, në vitin 2022, të ardhurat e Rafaelo Resort arrinin në gati 14 milionë dollarë. Buxheti i ardhshëm do të jetë edhe më i pasur me milionat e fituara falë qeverisë italiane.
Pra, është e sigurt që Gjinaj vazhdon të bëjë biznes me emigrantët dhe falë marrëveshjeve të bëra nga Rama. Gjatë viteve, biznesmeni ka qenë i aftë të ndërtojë një rrjet të gjerë biznesi në fusha të ndryshme: nga turizmi, ndërtimi, deri te sektori energjetik. Po ashtu, ka qenë po aq i aftë të krijojë lidhje të ngushta politike me figura të larta të Partisë Socialiste shqiptare të kryeministrit Edi Rama dhe ministra të tjerë.
Rrjeti politik (lidhjet politike)

Gjinaj ka lidhje të rëndësishme me klasën politike shqiptare. Në disa raste, ai shfaqet në foto të publikuara në Facebook së bashku me sekretarin e Partisë Socialiste Shqiptare, Blendi Klosi (ish-ministër i Turizmit në qeverinë e Edi Ramës nga viti 2017 deri në 2021), dhe me Ruzhdi Kurtishaj (kryetar i Shoqatës së Turizmit të Kosovës).
Klosi është një figurë e njohur brenda partisë, një nga më besnikët ndaj Ramës.
Sekretari dhe biznesmeni shfaqen të buzëqeshur në një foto të shkrepur gjatë një ngjarjeje institucionale në Prishtinë (Kosovë) në mars të vitit 2022. Një vit më vonë, në qershor të vitit 2023, ata janë të ulur së bashku në një darkë informale. Këtë herë mes tyre është edhe Admir Kadeli, djali i ish-deputetit socialist Gjovalin Kadeli, të dy gjithmonë të afërt me partinë e Ramës.
Kadeli, përveçse është një lidhje mes elitës politike dhe botës së biznesit, është edhe vetë biznesmen: ai është president i kompanisë “Iridiani & Kadeli” Sh.p.k. dhe ortak në biznes me vetë Gjinajn në kompaninë “Eco Motors Trade”. Kadeli gjithashtu ka lidhje me Pjerin Ndreun, kryetarin e bashkisë së Lezhës, një qytet shumë afër Shëngjinit. Këtë e dëshmojnë fotot e shumta ku ata shfaqen së bashku dhe postimet e Facebook-ut të faqes së Ndreut, të cilat Kadeli i shpërndan pothuajse çdo ditë në profilin e tij.
Gazeta “Domani” i kërkoi një sqarim/koment resortit Rafaelo në lidhje me procedurat e ndjekura për të fituar kontratën nga qeveria italiane dhe për lidhjet mes Gjinajt dhe sekretarit të Partisë Socialiste, Blendi Klosi.
“Ministria e Brendshme italiane ka ndjekur marrëveshjet dhe procedurat përkatëse,” u përgjigj resorti, duke shtuar: “Nuk jemi të përfshirë në anën procedurale, politike apo vendimmarrëse të këtyre marrëveshjeve.”
Ndërkohë, Ministria e Brendshme italiane nuk dha asnjë përgjigje për procedurat e ndjekura në procesin e përzgjedhjes.
Shënim: Ky artikull është botuar tek platforma italiane “Domani”
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.