Një trupë gjykuese, me relator Sokol Binaj dhe anëtarë Albana Boksi e Sandër Simonin, vendosi rrëzimin e vendimit për dënimin me burgim të përjetshëm të Festim Bexhdili, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e shtetasit Jang Prenga. Ngjarja dyshohet se ka lidhje me grabitjen e një sasie të madhe kokaine në Portin e Portsmuthit, ku të përfshira janë grupe të marko-trafikut shqiptar.
Më 25 Qershor trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë vendosi gjithashtu ta rikthej çështjen për rigjykim në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, por me një tjetër trupë gjykuese.
Kopshtari i kompleksit luksoz është i vetmi që po përballet me drejtësinë për ngjarjen e ndodhur në Janar të 2020 pasi, asnjë prej 6 autorëve të identifikuar si rrëmbyesit e Prengës nuk u arrestuan nga policia.
Prokuroria e Posaçme pretendon se disponon prova që implikojnë Festim Bexhdilin në krim. Sipas prokurorisë, kopshtari i resortit në Pjezës të Shijakut shfaqet në pamjet e kamerave duke pastruar vendimin e krimit apo duke siguruar vegla pune dhe rroba për autorët.
Sipas SPAK, ndonëse trupi i pajetë i Jan Prengës nuk është gjetur, për shkak të provave të siguruara në vendngjarje arrihet në konkluzionin se ai ka humbur jetën.
Prokuroria akuzon Festim Bexhdili ka dijeni për vendin ku është fshehur trupi por refuzon ta tregojë.
Peng për zhdukjen e kokainës

Jan Prenga doli mëngjesin e 17 janarit 2020, për të pirë një kafe bashkë me të shoqen, Marie. Nëna e 3 fëmijëve u kthye në shtëpi, ndërsa Jani u nis për në drejtim të qendrës së Kamzës. Një makinë Range Rover i afrohet teksa ecte rrugëve të qytezës. Jan Prenga u përlesh me rrëmbyesit, por ata arritën ta rrëmbenin dhe të largoheshin.
Policia gjeti gjurmë të mjetit në Shijak, në hotelin e Altin Hajrit dhe ku ajo ndërhyri rrëmbyesit ishin zhdukur.
“Duam të theksojmë se Policia e Shtetit disponon prova të pakundërshtueshme se shtetasi J. P. ka ndërruar jetë më datë 17 janar, pra ditën e rrëmbimit, dhe se në resort është dërguar pa shenja jete”- deklaroi në një njoftim per shtyp policia.
Pamjet filmike të sekuestruara në ambientet e hotelit kanë ndihmuar grupin hetimor të identifikojnë autorët. Policia shpalli në kërkim si të dyshuar për ngjarjen, Korado Kështenja, Artan Docaj, Aldo Majnishta, Martin Bleta dhe Geraldo Martini. Asnjëri prej tyre nuk u arrestua. Po ashtu prangave iu shpëtoi edhe Altin Hajri.
Policia arrestoi Festim Bexhdili dhe Olsi Turjan. Bashkë me to u ndaluan babai dhe vëllai i Altin Hajrit, por u liruan më pas, pasi rezultoi se nuk kishin lidhje me ngjarjen.
Hetimi zbuloi se rrëmbimi i Jan Prengës ishte urdhëruar për shkak se vëllai i tij, Astriti, kishte grabitur një sasi te madhe kokaine në Portin e Portsmuthit në Britaninë e Madhe.
Anton Prenga i tha policisë shqiptare se, Ndreka, vëllai tjetër i tyre, i cili atë kohë ndodhej në burg në Britaninë e Madhe, ishte kontaktuar nga Dritan Rexhepi, një shtetas shqiptar ky me rekorde të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Rexhepi, ndodhej në burg në Ekuador por sipas dëshmisë së dhënë nga Prenda pretendonte se droga ishte e tij.
Rexhepi kërkoi kthimin e drogës së vjedhur nga Astriti dhe në këmbim të saj premtoi se Jan Prenga do të lirohej.
Sipas dosjes hetimore, Astriti ktheu një sasi të drogës dhe një shumë të madhe parash, por vëllai i tij nuk u kthye më në familje.
Dritan Rexhepi pretendoi se “I kishin dalë fjale” ndaj vendosi të tregonte emrat e pjesëtarëve të grupit që kreu rrëmbimin e Jang Prengës.
Familja nga ana tjetër ndërmjetësoi me familjen e shkodranit Gentian Doci Funiqi kthimin e pengut, por kjo nuk u arrit. Trupi i tij pavarësisht kërkimeve të policisë në zonë nuk është gjendur sot e kësaj dite.

Proceset gjyqësore
Festim Bexhdili dhe Olsi Turja ishin të vetmit që u përballen me gjykatat në vend si të dyshuar në rrëmbimin dhe zhdukjen e shtetasit Jang Prenga.
Dy procese të tjera vijojnë në Gjykatën e Posacme por asnjë-prej të akuzuarve nuk është përballë togave të zeza.
“Procesi ndaj të pandehurve Korado Kështenja, Martin Bleta, Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Gentjan Funiqi, Dritan Rexhepi dhe Geraldo Martini është në themel, në fazën e pyetjes së dëshmitarëve të kërkuar nga ana e prokurorit”, tha për SHTEG një zëdhënës i Gjykatës së Posaçme.
I njëjti burim konfirmoi se “dosja penale në ngarkim të Altin Hajrit është në seancë paraprake”.
Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat e e rrëmbimit apo mbajtjes peng të personit, kur është shkaktuar vdekja, mbajtje pa leje e armëve luftarake, fshehja apo asgjësimi i kufomës dhe përfshirja në grup të strukturuar kriminal.
Në nëntor të 2022, autoritetet spanjolle njoftuan policinë shqiptare se kishin arrestuan Gentian Docin Funiqin. Dy vjet pas ndalimit ende nuk është kryer ekstradimi i tij ndërsa autoritetit nuk pranojnë të komentojnë procedurat.
Në dhjetor 2023, mori fund arratia edhe për Dritan Rexhepi. Ai u arrestua në Stamboll, ndërsa kërkohet të ekstradohet njëherazi nga disa shtete. I arratisur disa herë nga burgjet, vlonjati që vuante një dënim për çështje droge në Ekuador, mundi të bindte drejtësinë atje për ta liruar me kusht. Ai u zhduk pa gjurmë, derisa u arrestua në shtetin turk.
Krahas Shqipërisë, që e kërkon si urdhëruesin e rrëmbimit të Jan Prengës, Italia kërkon ekstradimin e tij, pasi e ka dënuar me 20 vite burgim për trafik ndërkombëtarë kokaine, në çështjen e njohur si Kompania Bello. Edhe Ekuadori e kërkon ekstradimin e Rexhepit, për shkak ai u arratis nga vendi i qëndrimit, ku kishte siguruar lirinë me kusht.
E ndërsa institucionet ligj zbatuese shqiptare janë përfshirë në procedurat ligjore për të vendosur drejtësi për zhdukjen e Jan Prengës, familjarët e tij nuk e ndoqën asnjë seancë gjyqësore.
Shteg mësoi se gruaja bashkë me fëmijët i kanë mbyllur dyert e shtëpisë dykatëshe në Kamëz dhe janë larguar drejt një vendit të Bashkimit Evropian dhe presin një vendim për kërkesën e tyre për azil.
Ajo është gazetare në televizionin News 24 si dhe autore e emisionit “Në shënjestër”.
Prej më shumë se një dekade ajo raporton mbi aktualitetin dhe ka kryer një sërë investigimesh që implikojnë zyrtare të lartë të shtetit shqiptar me botën e krimit.
Për meritat e saj të veçanta dhe kurajon e treguar Klodiana Lala është nderuar edhe me çmime.