Skerdi Tase, bashkëpunëtor i drejtësisë në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”, ka dhënë dëshminë e tij të parë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke rrëfyer me detaje përfshirjen në disa nga atentatet më të bujshme të viteve të fundit në Shqipëri.
I arrestuar në maj të vitit 2022, Tase vendosi të flasë për të kaluarën e tij të errët, duke përshkruar në detaje episode të dështimeve dhe suksesit të atentateve, nga Elbasani në Fier e deri në Tiranë. SPAK i dha statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, pas vlerësimit të dëshmive të tij si “të detajuara dhe në përputhje me rrëfimet e Nuredin Dumanit”.
Një seancë që zgjati afro katër orë, i penduar i drejtësisë foli për zinxhirin e errët të vrasjeve me pagesë dhe rrjetit të personazheve që vepronin me mbështetje nga elementë brenda strukturave shtetërore dhe me dijeni të plotë për çdo lëvizje të viktimave të tyre.
Nga atentator në bashkëpunëtor
Në vitin 2012, Skerdi Tase ishte thjesht një banakier në një lokal në Fier. Por lidhjet e hershme me individë të përfshirë në krime e çuan drejt një rruge pa kthim. Nga shitja e arit të vjedhur dhe sigurimi i armëve për shokët e tij, Tase përfshihet gjithnjë e më thellë në një botë ku jeta e njeriut kishte një çmim.
“Unë punoja banakier tek piaca në Fier. Kisha njohur një person në Fier, që më kërkonte ti siguroja armë. Shokët e mi ishin kolegët ku punoja. Unë iu afrova ndihmë për të shitur florinjtë më shpejt, më pas kam siguruar një kallash për një gjë më të madhe, ia mora një shoku në Levan …” – nis rrëfimin para trupës gjyqësore i penduari i drejtësisë.
Në vitin 2017, ai njihet me Henrik Hoxhajn përmes një tjetër figure të errët, Viron Tavanxhiu person i përfshirë në trafik droge dhe nën hetim për një vrasje në Itali. Kjo lidhje e re do të shënonte hyrjen e Skerdit në botën e atentateve me porosi.
Tase deklaroi se në disa atentate ku kishte marrë pjesë personalisht si ekzekutor, armët kishin pasur defekte, duke i lënë ngjarjet në tentativë. Në bashkëpunim me Henrik Hoxhën, ai përmendi atentatet e dështuara ndaj shtetasve Agim Goriçi, Ajredin Behari dhe Lulzim Mashës.
Një nga vrasjet e para për të cilën Tase pretendon se ishte kontaktuar ishte ajo e Agim Goriçit, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2018.
“Henriku kishte siguruar makinën, armën dhe informacionin mbi lëvizjet e viktimës. Kur e qëllova, kallashnikovi më ngeci. Gjuajtëm nga makina me xhamat e mbyllur, por Goriçi dhe vëllai i tij u ngritën dhe ikën. Henriku më tha të vazhdoja, por arma nuk punonte,” tha Tase.
Më pas, ai tregoi se u përpoqën të digjnin makinën, por procesi dështoi pjesërisht.
“Pata djegie në fytyrë dhe dorë, sepse çakmaku kishte avulluar dhe kishim vetëm një shkrepëse me pak fije. Kur ndeza zjarrin, mu dogj mjekra dhe dora.”
E njëjta skemë u përsërit në përpjekjen për të vrarë shtetasin, A. B ngjarje këto të ndodhura në vitin 2017 dhe 2019, por në të dyja rastet ka dështuar.
“E kishim ruajtur ditë të tëra, por arma më ngeci. Behari shpëtoi dhe na denoncoi. Henriku e telefonoi porositësin Renato Kalia dhe i tha- shumë po e zgjasim”- tregoi i penduari ndërkohën që viktima arrin të largohet duke kërkuar ndihmë nga një patrullë policie pranë vendngjarjes.
Armët dhe makina digjen. Ky atentat ishte paguar me 80 mijë euro.
“Pas kësaj, debatova rëndë me Henrikun dhe ika në Itali për një kohë.” – tha Tase i cili vijoi rrëfimin për një tjetër atentat të dështuar pranë liqenit të Farkës, ku objektiv ishte Lulzim Masha. “Në fillim objektiv ishte djali i tij. Kur pamë makinën, u afrova dhe e qëllova me ‘Scorpion’, por arma më ngeci. Më pas e hodha në liqen,” dëshmoi ai duke shtuar se për këtë atentat, pagesa ishte caktuar 80 mijë euro, 40 për Tasen dhe 40 për Hoxhën.
Por shumë herë, paratë nuk ishin asnjëherë të plota. Tase flet për tentativa që nuk paguheshin, porosira të prishura, dhe tensione të brendshme mes vrasësve me pagesë dhe “punëdhënësve”.
Një realitet kriminal që funksiononte më shumë si një treg informal ku çmimi për jetën negociohej në darka të fshehta në fshatra të Peqinit dhe urdhri jepte me zë të ulët nëpërmjet platformave të enkriptuara si Sky ECC.
Vrasje me porosi
Sipas Tases, gjithçka nisi në Fier, me Henrik Hoxhën dhe Viron Tavanxhiun. Ai filloi si furnizues armësh dhe shpejt kaloi në rreshtin e parë të atentateve.
Nga tentativa e dështuar për vrasje, i penduari i drejtësisë tregoi se ai përfshihet në atentate më të sofistikuara me bashkëpunim të Nuredin Dumanit, një nga figurat më të rënda të botës së krimit në Shqipëri.
Në Elbasan, sipas Tases, një nga atentatet e realizuara ishte ai ndaj Emiljano Ramazanit në Elbasan, i cili u qëllua për vdekje, më 20 korrik 2020, vetëm pak sekonda pasi ishte ndalur me makinën e tij në sheshpushimin e pallatit ku banonte në vendin e njohur si ‘Rrethrrotullimi i Luleve’ në Elbasan.
“Ai po parkonte makinën. Zbrita dhe e qëllova. U larguam me Henrikun, dogjëm makinën ” deklaroi Tase sipas të cilit, armët e përdorura u fshehën dhe më pas u fotografuan për t’i treguar vendin Nuredinit.
Për këtë vrasje, Tase pohoi se kishte marrë 25 mijë euro. Paratë, sipas tij, ia dorëzoi një grua e quajtur “Klara”.
Në një tjetër “punë” për të cilën do të paguheshin 15 mijë euro, ishte vendosja e një sasie tritoli në shtëpinë e Talo Çelës.
“E vendosa tek kolonat, por shpërtheu vetëm njëra. Qëllimi ishte shembja e shtëpisë. Më pas mora 3 mijë euro,” rrëfen Tase.
Më pas Tase përshkruan si planifikuan të vrisnin Bujar Çelën, vëllain e Talos. Gjatë një takimi me Nuredin Dumanin, u vendos dhe një “kapar” prej 5 mijë eurosh.
“Henriku më propozoi që kishte një punë në dorë për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujarin.
Ai më tha do takojmë “Kushon”, referuar Nuredin Dumanit për të marrë paradhënie. Shkuam për drekë te një lokal në një fshat të Peqinit. Kishim rënë dakord që të prezantohesha si “Nipçja” e Henrikut. Ramë dakord për kushtet e vrasjes së Bujar Çelës. Biseduan rreth vrasjeve të Durrësit.
Nuredini na dha diku te 5 mijë euro kapar. Pasi e kishim parë Bujar Çelën, nuk donte Henriku që ta vrisnim, nuk e di pse por e anashkalonte. Kur shkuam të dorëzonim makinën tek Nuredini ai na tha ja ku e keni pse se vrisni, por aty e pa që ne s’donim ta bënim.” – pranon Tase.
Sipas Tases, roli i Henrik Hoxhajt ishte thelbësor në strukturën e atentateve. Ai merrte porositë dhe organizonte logjistikën.
Për çdo dështim, tensionet mes Henrikut dhe Tases shtoheshin. Armatimi i dobët, mungesa e provave dhe frika nga ndjekja i kthenin në dështim shumicën e “punëve”. Në shumë raste, Henriku u zhdukej nga vendi i ngjarjes dhe fajësonte Tasen.
“Henriku nuk pranonte kurrë fajësinë për atentatet e dështuara,” kujtoi Tase.
Provat e paraqitura nga SPAK e cilësojnë dëshminë e Skerdi Tases si themelore për zbërthimin e rrjetit kriminal që operonte prej vitesh në Elbasan. Fjalët e tij përputhen me ato të një tjetër të penduari, Nuredin Dumani, duke formuar një mozaik të frikshëm vrasjesh të urdhëruara nga krerët e bandave rivale.
Tase përmendi në sallën e gjyqit planin për vrasjen e dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Sokol Sanxhaktarit.
“E kam dëgjuar nga Nuredini në vitin 2020. U diskutua së Çapjat ishin gati të jepnin 200 mijë euro për dhëndrin e Qazim Sejdinit, Sokol Sanxhaktarin. U la si pas dore në fillim, pastaj ky person u arrestua’ – përfundoi dëshminë i penduari Skerdi Tase.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.