Seanca gjyqësore e së martës, 4 Mars 2025, në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për çështjen “Plumbi i Artë” u zhvillua mes tensioneve dhe deklaratave tronditëse.
Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë, dha një dëshmi të zgjeruar mbi ekzekutimin e Fatmira Dedës në vitin 2013, nënës së Ervis Dedës, për të cilin ai akuzoi Festim, Petrit dhe kushëririn e tyre Agron Qoli si organizatorët kryesorë.
Përballë togave të zeza Dumani tregoi se si thuri planin me Talo Çelën për vrasjen e Fatmira Dedës, e cila kërkonte drejtësi për djalin e saj të vrarë.
Planifikimi i vrasjes
Fatmira Deda Habibi, u gjet e masakruar mesditën e 14 shatorit 2013 pranë automjetit të saj brenda në garazhin elektronik, në lagjen nr.3 në Durrës. 60-vjeçarja ishte nëna e Ervis Dedajt i vrarë dhe ai 15 muaj më parë.
Në sallën e gjyqit Dumani dëshmoi se organizatorë të vrasjes së gruas ishin Agron Qoli dhe dy vëllezërit Festim dhe Petrit Qoli. Festimi kishte vendosur ta eliminonte Fatmira Dedën, pasi ajo i akuzonte vëllezërit Qoli për vrasjen e djalit të saj, Ervis Dedës.
“Ne e njihnim Fatmirën, ajo vinte shpesh te varrezat, për të qajtur djalin dhe i shante Qolët,” deklaroi Dumani.
Sipas Dumanit, vrasja e Fatmira Dedës ishte një krim i porositur për 40 mijë euro nga Festim Qoli.
Ai deklaroi se ky i fundit kishte vendosur ta eliminonte Dedën dhe kishte kontaktuar Talo Çelën për të ekzekutuar planin. Dumani rrëfeu se ai vetë kishte qenë pjesë e grupit që u përfshi në këtë skemë kriminale, duke dhënë detaje të qarta mbi planifikimin dhe ekzekutimin e krimit.
Fillimisht, sipas Dumanit, ishte parashikuar që vrasja të ndodhte pranë varrezave, por për shkak të rrethanave të papritura, plani ndryshoi.
“Fatmira shkonte në orën 7 tek varrezat. Ne i mësuam të gjitha lëvizjet e saj. Ishte planifikuar që vrasja do bëhej tek varrezat. E morëm vesh itinerarin e gjithë ditës së viktimës. E vëzhgonim me segmente kohore. Dinim kohën kur shkonte tek karburanti, kur shkonte tek varrezat dhe kur shkonte tek një spital tek Currilat. Shumë herë e kam ndjekur edhe unë vetë. Unë nuk e mora përsipër ta bëja atje, sepse do të duhej të ecnim shumë në këmbë” – rrëfeu Dumani.
Në vend të kësaj, ekzekutimi u inskenua si një grabitje e zakonshme në garazhin e viktimës. Ky ndryshim, sipas dëshmitarit, u bë për të shmangur dyshimet dhe për ta bërë vrasjen të dukej si një incident kriminal pa ndonjë motiv të drejtpërdrejtë.
“Festimi tha që më mirë ta vrisnim tek garazhi dhe ta bënim të dukej si grabitje. Ai tha që do të kishim garanci që policia nuk do të na kapte.”
Masakrimi gruas 60-vjeçare
Ditën e vrasjes, Dumani dhe bashkëpunëtori i tij, Talo Çela, ndoqën viktimën deri në banesën e saj. “Fatmira kishte parkuar makinën pranë garazhit kur ne e sulmuam,” – rrëfeu Dumani.
“Talo e goditi dhe ajo u përpoq të hynte brenda garazhit, por qepeni i ra në sup. Talo e tërhoqi dhe vazhdoi ta godiste.” Ai shtoi se gjithçka kishte ndodhur brenda pak sekondash.
Pasi u krye vrasja, Festim Qoli e shprehu pakënaqësinë e tij për vonesën e ekzekutimit.
“Pse s’e keni bërë më herët?” – kishte pyetur ai, sipas dëshmisë së Dumanit.
Dumani deklaroi se ishte paguar 40 mijë euro për vrasjen:
“30 mijë euro mi dha Petrit Qoli disa ditë pas ngjarjes, ndërsa 10 mijë euro i mora si paradhënie nga Festimi.” Ai gjithashtu pretendoi se, si pjesë e shpërblimit, do të futej në trafikun e kokainës.
Pas vrasjes, Fatmira Dedës, karburanti që ajo administronte u nda mes vëllezërve Petrit dhe Festim Qolit.
“Sa ishte Fatmira gjallë, askush nuk afrohej aty, por pas vdekjes së saj, gjithçka ndryshoi,” – tha Dumani.
Dëshmia e Dumanit u prit me kundërshtime të forta nga të pandehurit, të cilët mohuan çdo përfshirje në këtë krim. Debati mes palëve u shoqërua me tensione të larta, ndërsa vëllezërit Qoli akuzuan Dumanin për manipulim të fakteve dhe gënjeshtra. Sipas tyre, ai po përpiqej të shpëtonte veten duke implikuar persona të pafajshëm.
Gjatë seancës, situata u tensionua mes të pandehurve. Agron Qoli e sfidoi dëshminë e Dumanit, duke e akuzuar atë për deklarata kontradiktore:
“Keni bërë tre deklarime të ndryshme deri tani, cila është e vërteta?”. Dumani u përgjigj se ka thënë të vërtetën.
“Mes meje dhe Nuredin Dumanit ka një dallim të madh, ndërkohë që ky i lutej zotit që të vriste ndonjë dhe të merrte ndonjë lekë unë i lutesha zotit që të gjeja punë, të fitoja para për veten familjen dhe lutesha të mos më lëndohej ndonjë punonjës në punë” – deklaroi para gjykatës Agron Qoli duke pretenduar se ditën e ekzekutimit të gruas 60-të vjeçare ka qenë në Fushë-Krujë.
Dumani vijoi akuzat duke rrëfyer dhe krime të tjera që ai ishte në dijeni që kishin ndodhur.
“Ky ka ndërtuar xhami, por me hyp maj minares është rrezik se bie poshtë. Ky ka ndimu njerëz, po ka ndihmu edhe një turk në 2014 të shkonte në fund të detit por nuk ia di emrin atij turkut. Fatmira Deda që ditën e parë kur u vra Ervis Deda ose Losha, ajo bënte përgjegjës të dy vëllezrit Petrit dhe Festim Qoli, për vrasjen e djalit të saj” – tha Dumani.
“Plumbi i Artë”, kështu është titulluar mega operacioni i SPAK që ka goditur 8 grupe kriminale në Elbasan, Durrës dhe në Tiranë. Operacioni në fjalë ka ardhur menjëherë pas arrestimit të shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i cili u kap gjatë operacionit policor të koduar “Arratia” në Fier.
Dumani të është njeriu “kyç” për SPAK që ka çuar në hedhjen dritë në shumë ngjarje kriminale të ndodhura në vendin tonë.
Mbi Nuredin Dumanin rëndojnë akuza të shumta, ku një prej tyre është edhe ajo e vrasësit me pagesë. Dyshohet se Dumani kontaktohej nga grupe kriminale dhe kundrejt shumave të mëdha parash kryente eliminimet fizike të kundërshtarëve. Pikërisht një atentat të tillë ai do e kryente më 29 mars në Elbasan. Por diçka nuk shkoi sipas planit dhe ai ra në pritë duke mbetur edhe vetë i plagosur.
Në këtë ngjarje u përfol se Dumani ra në pritën e ish mikut të tij të ngushtë Talo Çela megjithatë kjo nuk u konfirmua kurrë zyrtarisht. Pas kësaj ngjarje, Dumani arriti të shkonte deri në Fier, por më pas iu vunë prangat bashkë me Henrik Hoxhajn, emër ky po ashtu i përfshirë në disa ngjarje kriminale. Të dy këta personazhe të botës së krimit duket se janë “asi nën mëngë” i SPAK.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.