Në 34 vjet qytetarëve u është thënë: Prisni pak se po ndërtojmë shtetin … çka u ndërtua ishin vetëm vilat, resortet dhe pasuritë e politikanëve, qytetarët u plakën duke pritur shtetin.
Paradokse 1:
Studentët marrin diplomë që u shërben për emigrim.
Avokatët më shumë lobojnë se sa të mbrojnë.
Partitë janë kthyer në grupe interesi me logo.
Qendrat shëndetësore inagurohen në fshatra ku s’ka më njerëz.
Të ndershmit jetojnë më keq, të diturit vlerësohen më pak, të nderuarit tallen më shumë.
E mira konceptohet si naivitet, e keqja si zgjuarsi.
Vota në shumicë, më shumë jepet për interes të xhajës në punë të mirë, a shpresës se daja do marrë një post të lartë.
Vendi nuk shihet më si shtëpi, por si stacion tranziti.
Nëse pyet çdo të ri çfarë zgjedh mes pasaportës gjermane a britanike dhe reformës së suksesshme në drejtësi, vështirë se shumica kanë ëndërr këtë të dytën.
Emigrimi ka arritur kulmin e shkaqeve: njerëzit nuk ikin nga varfëria fizike, por nga neveria morale.
Ikin sepse Shqipëria nuk është më vend ku ëndërron, por ku vetëm duron dhe ikja është revolta e pakthyer në protestë.
Nëse kujton: Ku është mjeku më i mirë i lagjes? Gjermani. Ku është infermieria që të vinte edhe në tre të natës për djalin? Itali. Ku është Besi që të rregullonte telefonin, televizorin, radion, kompiuterin? Në USA.
Edhe ata që kanë mbetur këtu, janë vetëm fizikisht sepse jetojnë në Tik-Tok të Italisë-Anglisë e Amerikës, në Youtube të Zvicrës e Austrisë e në ëndërrat gjermane e holandeze.
Emigrimi nuk është thjesht para e ardhur mbrapsht, është plagë që kullon kur nënat qajnë çdo mbrëmje në heshtje pse fëmijët s’kanë marrë dot leje, kur fëmijët rriten me zërin dhe fytyrën e Whatsapp-it, kur gjyshërit vdesin vetëm sepse të gjithë janë jashtë duke punuar.
Vendi është i bekuar, e thonë të gjithë, vetëm Zoti nuk ka bërë ende një status në FB e tij që nga 1990.
Heshtja është mënyrë jetese, “Ç’të duhet, ç’fiton, mos u përziej nuk ndryshon gjë”, vargjet e nënshtrimit.
Mund të shohësh padrejtësi përditë, por shkon tutje me një “ç’të bëjmë vlla”.
Feja, familja, shoqëria janë pjesë e së njëjtës simfoni heshtjeje.
Të gjithë rrinë në rradhë duke thërritur “Drejtësi”, e kur u vjen rradha … ”anonim të lutem”.
Dhe ja ku e kemi njeriun e ri shqiptar, i butë nga jashtë, i thyer nga brenda.
Për 34 vjet e keqja ka fituar status, nuk duket më e keqe kur i korruptuari përherë ngjitet në karrierë, hajduti gjithmonë shpallet vizionar, mashtruesit shpeshherë bëhen drejtuesa, servilët janë absolutisht “çunat e mirë”.
Paradokse 2:
Jemi mësuar të durojmë, jo të ndryshojmë.
Ndryshimi na duket tashmë rrezik, të mësuar me të keqen që tashmë e njohim, megjithëse është e keqe.
Nuk duam të ndryshojmë, sepse ka përgjegjësi, ndërsa siç jemi mjafton vetëm të ankohemi, të akuzojmë dhe t’i hedhim fajin tjetrit.
Të duash ndryshimin do të duhet të flasësh, të rrezikosh, të shfaqesh, të ballafaqohesh, të dështosh, të sulmohesh…është më lehtë të thuash “s’kemi ç’bëjmë”, se sa “mjaft më”.
Jemi filozofë të “më keq s’ka ku shkon”, dhe jo “duhet bërë shumë më mirë”, prandaj këshillojmë “mos u përziej”, “mos u ndje”, “ky qe fati” … kolektivizim i mesatares së mesme në të ulët.
Ende nuk e kemi kulturën e guximit: Nuk mendojmë a është e drejtë, por a do fitoj gjë, apo a më dëmton mua.
“Ai s’flet, por mua ç’më duhet”, kurajoja e zëvendësuar me llogari, ama nëse dëmtohesh personalisht revoltohesh sa e marrin vesh edhe eskimezët.
E keqja është bërë pjesë e jona, nuk na trondit më, nuk na skandalizon, nuk na bën të reagojmë, nuk na nxjerr nga topitja … thjesht rrudhim buzët, hajt se tre ditë zgjat, rrufisim kafenë-ndezim cigaren. Ec!
E quajmë normale që djali i ministrit ka kompani ndërtimi, që vajza e deputetit fiton tendera, që dhëndëri i drejtoreshës merr konçension, që nipi i filanit hap tre biznese pa ditur sa bëjnë 4X7… na ka hyrë në gjak sistemi familjar dhe nuk e kërkojmë sistemin institucional. Të rinj, mos u mërzisni, nuk jeni të paaftë, por tek ne suksesi nuk është meritë, është trashëgimi.
Nuk ka vetëm trashëgim pasurie, por edhe fijet dhe rrjetat e miqësive dhe pazareve; nuk ke nevojë për diplomë Oksordi, por për dajon në Bashki, s’të duhet përvojë, por krushka tek prokurimet, mos u lodh për ide, tako hallën në katin e tretë të ministrisë.
Korrupsioni është gjenealogjik.
Kush ka qenë “i madh” në komunizëm është sërish, apo janë trashëgimtarët dhe degët e tyre. Janë po ata, veçse me logo të ndryshme, veshje të shtrenjta, fjalor të lëmuar demokratik.
Në Shqipëri trashëgohet aksesi tek e keqja, ndërsa pasuria është forma e vetme e “dashurisë prindërore”.
Të suksesshmit janë ata që ulin kokën, jo që ngrenë zërin, sistemi ka fuqinë të të vejë kundër vetes duke të bindur se je ti fajtori.
Shqipëria është mbushur me të dorëzuar: Me gotën para dhe cigaren që nuk e fikin, me buzëqeshje cinike, me humor e revoltë … në rrjete sociale, me shprehjen masakruese “nuk ia vlen, nuk bëhet ky vend”, nuk flet më, nuk proteston më, nuk padit më, nuk kërkon të drejta, thjesht pranon të keqen si të pashmangshme.
Ata trashëgojnë fijet dhe pasuritë, të tjerët trashëgojnë tek fëmijët largimin; kur u thonë “mos fol ç’të duhet”, “mos kundërshto”, “mos pyet”, “mos ëndërro Shqipëri tjetër”, “mëso shumë, të ikësh në Gjermani”.
Ata i pregatisin fëmijët të marrin pasuritë, shumica i përgatit të ikin nga vendi, të mos përballen.
Ata i përgatisin fëmijët të marrin çdo gjë në dorë, shumica i përgatit të heqin dorë.
Të rritesh me dinjitet, të punosh me përkushtim, të flasësh me kurajo, është vetshkatërrim i ngadalshëm, jo pse je i rrethuar me armiq, por sepse ke ngado të dorëzuar. E kur të dorëzuarit bëhen shumicë, e keqja ecën dhe jeton mes nesh si normale.
Shpresa
Një brez i ri, ndoshta i rritur larg Shqipërisë, por me dashurinë e pashuar për vendin mbajtur gjallë nga prindërit, që nuk ulet në zyra duke pritur rradhën për ndonjë miqësi, që shkon në konkursin, apo intervistën e punës pa telefonatën e mikut, që nuk bën selfie me pushtetin edhe pse i ka mundësitë, që nuk reciton e këndon bashkë me të keqen duke e trajtuar si të mirë.
Ai brez që të keqen nuk e sheh si urë për të përfituar vetë me familjen, por si mur që duhet rrëzuar e thyer bashkë me moshatarët e vet.
Ai brez që nuk e kërkon pushtetin të nesërmen, por me kohë, sepse e di që e keqja ka rrënjë të thella, por nuk lodhet, nuk dorëzohet, nuk hesht. Ai brez mëson, studion ligjet, njeh sistemin, kupton njerëzit, nuk zhgënjehet menjëherë, e njeh përbindëshin që duhet të mundë dhe nuk kapitullon.
Ai brez i rritur pastër, edukuar mirë e shkolluar bindshëm, që flet kur sheh padrejtësi, që nuk e injoron, apo përqafon korrupsionin, që kur sheh zullumqarë e injorantë të ngritur nuk i duartroket, por u ulëret, që nuk bën teatër me veten si paraardhësit, që nuk lejon të shitet e gjitha e ai të përfitojë për vete një majë gjilpëre, që nuk e sheh ndershmërinë si barrë e budallallëk, e as fjalën si luks.
Ai brez do mësojë fëmijët të qëndrojnë, jo të ikin, të kërkojnë drejtësinë edhe për të panjohurin më shumë se pak përfitim për vete, të mos i ngjitet pushtetit si miza mjaltit.
Ai brez do t’i kalojë e tejkalojë të gjithë brezat e mëparshëm, sepse do të tejkalojë mendësinë e kokës ulur, heshtjes dhe shpresës duke mbajtur rradhën.
Ai brez i bekuar do e shohë Shqipërinë si projekt, e jo si trashëgimi, e atë projekt do e bëjnë të dashur e të banueshëm, jo aq fizikisht, por shumë më tepër moralisht.
Është ai brez që do e shohë veten si qytetar e jo si “shef pushtetar”, që nuk do të krenohet me pasuritë e vëna nga karrigia që i dha populli, ai brez do të kuptojë se vendi nuk ka nevojë për shumë liderë, por për më pak mashtrues. Ai brez nuk do e shohë votën si biletë llotarie për hallin e vet personal, por si pasqyrë të ndërgjegjes, si përfaqësim vlerash.
Sigurisht që do i tallin, do i përqeshin, do i nënvleftësojnë, do u thonë “fëmijë idealistë e utopistë, që nuk kuptojnë nga jeta”, por pastaj do i kenë frikë, sepse ai brez nuk fshihet, nuk blihet, nuk mbledh supet e rrudh buzët, nuk reciton nën buzëqeshjen e udhëheqësit.
E ndoshta atëherë, edhe mijëra të rinj të aftë, por pa miq, mijëra të tjerë të kërrusur që herët me idetë e pasurimit, grabitjes e karrierrizmit pa meritë, do të mblidhen me njëri tjetrin e do të vendosin: Ky vend nuk është për të ikur, është për t’u bërë. Hajde ta pastrojmë dhe ta bëjmë. Ka ndodhur në vende të tjera, patjetër do të ndodhë edhe në Shqipëri.
Arizaj është gazetar me një eksperiencë të gjatë në median shqiptare.
Ai ka drejtuar një sërë gazetash të përditshme dhe së fundi i fokusuar në zhanrin e analizave.
Edmond Arizaj është diplomuar pranë Universitetit të Tiranës në degën Gazetari.