Rrjeti i emigracionit të paligjshëm përmes Shqipërisë

Trafikuan mbi 640 emigrantë kryesishtnga Bangladeshi dhe Kameruni, rekrutoheshin nga agjenci punësimi në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Kamerun, me premtimin për punësim të ligjshëm në Evropë.

382
Rrugëtimi i emigrantëve
Credits: shteg.org

Një skemë kriminale që përdorte Shqipërinë si urë tranziti për emigrantë nga Azia dhe Afrika drejt vendeve të Bashkimit Evropian u zbardh nga Prokuroria e Posaçme, e cila ka dërguar për gjykim 27 të pandehur të akuzuar për përfshirje në dy grupe të strukturuara kriminale. Më shumë se 650 shtetas të huaj janë ndihmuar të kalojnë ilegalisht kufijtë përmes falsifikimeve, mashtrimeve me leje pune dhe korrupsionit të organizuar ndërkombëtar.

Sipas dosjes hetimore të SPAK, emigrantët, kryesisht nga Bangladeshi dhe Kameruni, rekrutoheshin nga agjenci punësimi në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Kamerun, me premtimin për punësim të ligjshëm në Evropë. Por rruga që përshkonin kishte pak lidhje me legalitetin. Ata udhëtonin drejt Shqipërisë me dokumente të falsifikuara, përpara se të kontrabandoheshin përmes rrugës ballkanike drejt destinacioneve të BE-së.

Hetimet zbuluan se për të hyrë në territorin shqiptar, emigrantët aplikonin për viza “D” dhe leje qëndrimi përmes bashkëpunimit me kompani të regjistruara në Shqipëri, që shërbenin si fasadë. Dokumentet e paraqitura për këtë qëllim – si kontrata pune, certifikata profesionale apo kontrata qiraje – rezultuan të ishin të falsifikuara.

Pasi mbërrinin në Shqipëri, qëndrimi i tyre zgjaste vetëm pak ditë. Prej aty, nën drejtimin e rrjetit kriminal, ata përfshiheshin në itinerarin e zakonshëm të trafikut ilegal: Shqipëri – Kosovë/Mali i Zi – Serbi – Hungari – BE. Çdo kalim kishte një çmim të qartë: nga 6 mijë deri në 8 mijë euro për person, shumë që paguhej paraprakisht, kryesisht në Dubai, dhe më pas transferohej në Shqipëri përmes sistemit informal të pagesave “Hawala”.

Në total, sipas SPAK, mbi 650 emigrantë janë trafikuar përmes kësaj skeme. Ndërkohë, gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e të dyshuarve, janë sekuestruar mbi 1.1 milionë euro dhe dollarë cash, si dhe pajisje elektronike të përdorura për falsifikime dokumentesh dhe komunikim të koduar.

Gjykata e Posaçme ka caktuar masat e sigurimit për të gjithë të pandehurit: 21 janë lënë në arrest me burg, 3 në arrest shtëpie dhe 2 me detyrim paraqitjeje.

Sipas hetimeve, grupet kriminale rekrutonin shtetas të huaj të moshës 24-35 vjeç, kryesisht nga Bangladeshi dhe Kameruni, përmes agjencive të punësimit në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kamerun. 

Të huajt, u ndihmuan të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shqiptar kundrejt pagesave  6000-8000 euro. 

Këto shuma parash paguheshin prej tyre kryesisht në Dubai dhe më pas transferoheshin në Shqipëri tek drejtuesit e grupit nëpërmjet sistemit “Hawala”.

Hetimet zbuluan përfshirjen e punonjësve të Policisë së Shtetit, veçanërisht nga Drejtoria e Përgjithshme dhe ajo Vendore e Policisë Kufitare, të cilët ndihmonin në pajisjen e emigrantëve me viza në këmbim të përfitimeve financiare. Kjo përfshirje është cilësuar si vepër penale e “korrupsion aktiv dhe pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në një investigim pak muaj më parë, “shteg.org”, zbuloi se vetëm katër vitet e fundit të akuzuar për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit janë 2228 shtetas ndërsa 1239 të tjerë janë arrestuar. Mes të të ndaluarve edhe zyrtarë të lartë të policisë shqiptare.

Dokumentet, dosjet e prokurorisë por dhe intervistat e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se trafikantët përdorin edhe “rrugët zyrtare” për t’u mundësuar “viktimave” të tyre kalimin e sigurt nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.