Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është zyrtarisht i pandehur nga organet e drejtësisë. Mesditën e së mërkurës, më 11 shtator, ish kryeministrit të vendit iu komunikuan akuzat në ambientet e Prokurorinë e Posaçme ku ai ishte ftuar të paraqitej në orën 12.00.
Lideri i opozitës zgjodhi që fillimisht të takonte militantët që kishin dalë ta mbështesnin, por edhe për të komunikuar me gazetarët.
Pak pas orës 12:20, Berisha i shoqëruar nga avokati i tij Genc Gjokutaj i janë drejtuar detektorit të vendosur në hyrje në SPAK.
Prania e ish-kryeministrit Sali Berisha brenda dyerve të SPAK-ut ka zgjatur vetëm pak minuta, dhe pse ai është njohur me të gjitha akuzat që janë përmbledhur në një dokument me rreth 500 faqe.
Gjatë paraqitjes në Prokurorinë e Posaçme këtë të mërkurë, kreut të PD-së iu komunikua akuza për “Korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim”. Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, po hetohen nga SPAK lidhur me procedurat për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Hetimet e prokurorisë janë kontestuar nga lideri demokrat i cili i ka konsideruar gjetjet e prokurorëve si mashtrime.
“Asnjë gjë tjetër përveç 500 faqeve mashtrime. Një hakmarrje politike, zbatimi i një urdhri mafioz politik. Nuk ekziston asnjë dokument që të dëshmojë që në të gjithë këtë proces ka ndodhur shkelja më e vogël e ligjit. Nuk ka asnjë firmë të Berishës për kthimin dhe kompensimin e pronës. I gjithë qëllimi është kapja e kokës së Partisë Demokratike”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij për mediat, Berisha deklaroi se dosja e Klubit Partizani nuk ishte vepër penale dhe shteti shqiptar nuk ka humbur asnjë qindarkë nga fondet publike.
Prej dhjetorit 2023, Berisha ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi më parë shpërfilli masën e detyrimit të paraqitjes.
Gjatë hetimit të kësaj çështjeje Berisha refuzoi masën me detyrim paraqitje të Gjykatës së Posaçme, çka bëri që gjyqtarja Irena Gjoka, kryetare e kësaj gjykate, të zëvendësonte këtë masë në “arrest shtëpie nën mbikëqyrjen policore” më 30 dhjetor të vitit të kaluar.
Ndërkohë, për të njëjtën çështje, Jamarbër Malltezi akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “pastrim i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Dosja “Partizani”

Gjatë kohës kur ishte kryeministër, Sali Berisha ndërhyri për të ndryshuar dhe modeluar disa herë ligjin për kthimin dhe kompesimin e pronave, si dhe atë të sporteve, çka lehtësoi privatizimin e kompleksit “Partizani” nga dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Sipas SPAK, ish-kryeministri ka kryer “veprime të materializuara nëpërmjet miratimit të akteve ligjore apo nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet ish-pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi, i cili kishte firmosur kontratë me këto familje për t’i përfaqësuar e përfituar prej tyre.
Masat hapën rrugën për kompesimin e trashëgimtarëve të truallit të kompleksit “Partizani”, të cilët ishin dakordësuar me Malltezin, që t’i mundësonin atij përvetësimin e pronës, në të cilën do të ndëtoheshin më pas kulla me fitim deri në 5.4 milionë euro në vit.
Spak akuzon Malltezin se ka përdorur zhvillimin e kompleksit për të pastruar paratë e fituara nga shitja e artamenteve.
Sipas ligjit “Për Urbanistikën”, Këshilli i Rregullimit të Territorit (KRRT) në bashkitë e mëdha nuk mund të miratojnë ndërtime jashtë funksionit të territorit të përcaktuar në studimet e miratuara në pronë publike si “territore sportive”.
Megjithatë, në nëntor të 2006-s Sali Berisha, në postin e kryetarit të KRRT-së, miratoi ndryshimin e planit rregullues të kryeqytetit në lidhje me disa zona, ndër të cilat edhe zona me sipërfaqe 0.7 ha në Rrugën “Frosina Plaku”, e cila kaloi nga “zonë sportive” në “zonë banimi”.
Fillimisht, Qeveria Berisha propozoi dhe më pas arriti të miratojë që kthimi dhe kompesimi i pronave të kalonte në varësi të Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të pronave, e cila do të ishte nën varësinë e Këshillit të Ministrave, pra në varësinë direkte të Berishës.
Më datë 17 korrik u miratua propozimi i Qeverisë Berisha për të shtyrë afatin e kompesimit të pronave për pronarët deri më 1 tetor 2007. Ky ndryshim bëri të mundur që trashëgimtarët e territoreve të kompleksit “Partizani” t’i drejtoheshin Agjencisë së Kthimit të Pronave.
“Ky ndryshim i dha mundësi pesë familjeve pronare Begeja, Alimehmeti, Saliaga, Vaqari dhe Llagami t’i drejtoheshin Agjensisë së Kthimit të Pronave, me kërkesa për kthimin e pronës të ndodhur në territoret e Klubit Sportiv Partizani”, – thuhej në dosjen e SPAK një vit më parë.
Po më 17 korrik u miratua ligji që u garantonte pronarëve të shpronësuar rikthimin e të gjitha pronave, të cilat deri më atëherë përdoreshin apo ishin në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, por jashtë strukturës së Forcave të Armatosura.
Njëra prej këtyre pronave ishte edhe kompleksi “Partizani”. Për pronësinë e këtij kompleksi u zhvillua një “luftë” midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm.
Një drejtori e Ministrisë së Mbrojtjes kundërshtoi në hipotekë kërkesën e ushtrisë për regjistrimin në pronësi të kësaj sipërfaqeje, megjithatë nga hipoteka nuk u morr asnjëherë një dokument pronësie prej ushtrisë, pasi deklarohej se kishte mbivendosje dhe pronat e klubit të futbollit “Partizani” ndodheshin në proces gjyqësor. Gjatë muajit mars të vitit 2007 Komanda Mbështetëse kërkoi që këto prona t’i hiqeshin nga administrimi.
Në dosjen e SPAK thuhet se Kryeministri Sali Berisha, përgjegjës për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, e emëroi Justina Boriçin si drejtoreshë të agjencisë. Më vonë, pas një rekomandimi nga nivelet më të larta, Boriçi caktoi Dhurata Hoxhën (Çela) si drejtoreshë të Zyrës Rajonale të AKKP-së, Altin Cenin si specialist të Sektorit Juridik, dhe Tetis Lubonjën si përgjegjëse për këtë sektor.
Proçedura për kthimin e pronave filloi më 17 janar 2007, dhe Tetis Lubonja dëshmoi në SPAK se dosjet e pronave për pesë familje u trajtuan me prioritet, duke u shqyrtuar për një periudhë prej rreth dy muajsh nga fillimi i procedurës.
Berisha ndërhyri edhe në ligjin e sportit

Qeveria Berisha gjatë vitit 2007 ndërhyri edhe në ligjin e sportit. Në ligjin e 2005-s parashikoheshin kufizime mbi destinacionin e objekteve sportive dhe privatizimin e tyre. Megjithatë, pasi u privatizua Klubi i Futbollit Partizani, Këshilli i Ministrave ndryshoi nenin 31 të ligjit duke mundësuar dhënien me koncesion të objekteve sportive.
Megjithatë, kjo nuk pengoi zhvillimin e procedurave të privatizimit të kompleksit. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë, Genc Ruli, krijoi një Komision për vlerësimin e privatizimit të klubit.
Më 26 dhjetor 2007, familjet pronare, – të cilat tashmë kishin emëruar Malltezin si përfaqësues të tyre, – i paraqitën një kërkesë për privatizim Ministrit të Turizmit, Ylli Pango.
Kërkesa u miratua më 4 janar 2008, nga Ministri i Turizmit dhe Sporteve, Ylli Pango, i cili më pas ia dërgoi Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë.
“Në këtë periudhë që kanë ndodhur qoftë miratimi i privatizimit të Klubit Partizani, ashtu edhe procedurat në lidhje me këtë privatizim, si vlerësimi, shqyrtimi i dosjes etj, sipas nenit 31 të ligjit “Për Sportin objektet sportive nuk mund të privatizoheshin, por mund të jepeshin vetëm me koncesion” – thuhej në hetimet e SPAK-ut.
Kjo nuk është hera e parë që Berisha është nën akuzë për përfshirjen e tij në afera korruptive.
Në vitin 2021 ai u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara nën dyshimet për korrupsion dhe abuzim me pushtetin ekzekutiv.
Një vit më vonë, kreu i Partisë Demokratike, u shpall non-grata nga Mbretëria e Bashkuar për lidhjet e tij të dyshuara me krimin e organizuar dhe korrupsionin, akuza këto të të cilat ai i mohon.
Për këto akuza, lideri demokrat hapi një proces gjyqësor në Londër, ku apeloi vendimin, duke argumentuar se iu ndalua hyrja në Mbretërinë e Bashkuar në bazë të pohimeve të rreme dhe të paprovuara.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.