Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar (GJKKO) ka marrë vendimin për sekuestrimin e mbi 90 pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi të individëve të shpallur në kërkim, të cilët dyshohet të jenë pjesë e një grupi kriminal.
Vendimi i datës 6 mars 2025 ka përfshirë pasuri të cilat iu përkasin Kristo Qiricit (i njohur dhe me dy emra të tjerë si Jetmir Hoxhaj apo Jetimir Qirici), Eldjon Alushajt (alias Kosta Alushaj), dhe Shkelzen Krajës.
Dy të parët dyshohen si udhëheqës të grupeve kriminale që kanë kultivuar kanabis në Sarandë dhe zonat përreth gjatë periudhës 2019-2021, dhe që e kanë trafikuar drogën drejt Greqisë.
Asetet e sekuestruara përfshijnë pasuri të paluajtshme, biznese dhe llogari bankare, shumicën e të cilave janë në Sarandë dhe disa edhe në Tiranë.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka bërë të ditur se janë sekuestruar gjithsej 39 llogari bankare të regjistruara në emër të Jetmir Qiricit, Eldjon Alushajt, Shkëlzen Krajës dhe personave të tjerë të lidhur me ta.
Në pronësi të Kristo Qiricit janë gjetur 15 pasuri, shumica e të cilave ndodhen në Sarandë dhe përfshijnë 1 hotel, 1 bar-restorant, 9 pasuri të tjera të paluajtshme, dhe 3 llogari bankare.
Eldjon Alushaj ka 2 pasuri në Sarandë dhe disa pasuri të tjera në emër të personave të lidhur me të.
Shkëlzen Kraja kryeson me numrin më të madh të pasurive, përfshirë 2 vila në Dhërmi, 17 llogari bankare, biznese, troje apartamente, sipërfaqe toke dhe kullota.
Pasuritë e tjera vendosur në sekuestro preventive janë në emër të personave të lidhur me 3 të kërkuarit, përfshirë: hotel në Sarandë, apartamente, biznese dhe 19 llogari të tjera bankare.
Ky veprim i sekuestrimit erdhi 3 ditë pas goditjes së grupit kriminal, pjesë e së cilit ishin edhe shefat e arrestuar të Policisë, Ervis Alisinanaj, shef krimesh ne Lushnje dhe Shkëlzen Ruska, shef krimesh në Himarë dhe shpallja në kërkim e shefit i kufirit në Sarandë Elvis Dervishi. Sipas SPAK, ata ishin të përfshirë gjatë viteve 2019-2021 në veprimtarinë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike (cannabis sattiva) në zonën e Sarandës dhe rrethinat e saj, si dhe trafikimit të narkotikëve nga Shqipëria për në Greqi, të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.