Sekuestrohet apartamenti “i fshehur” i ish-ministrit Ilir Beqaj

Gjykata e Posaçme ka vendosur sekuestrimin e një apartamenti në Lungomare Vlorë, që dyshohet se është pasuri “e fshehur” e ish-ministrit Ilir Beqaj.

1281
Arrestohet Ilir Beqaj
Credit: LSA

Një apartament banimi në Lungomare, Vlorë, që dyshohet si pasuri e fshehur e ish-ministrit të Bujqësisë, Ilir Beqaj është vendosur nën sekuestro me vendim të Gjykatës së Posaçme. 

Apartamenti, sipërfaqja e së cilit është 90.8 metrash katror, me një vlerë 6,700,000 lekë është prenotuar nga ish-ministrit të Shëndetësisë në vitin 2016 dhe një vit më pas, Beqaj së bashku me bashkëshorten e tij, Adriana Beqaj, kanë nisur të investojnë dhe të mobilojnë apartamentin e tyre. 

Burime zyrtare thanë se pasuria dhe shpenzimet e kryera për mobilimin e këtij apartamenti nuk janë deklaruar, sipas legjislacionit në fuqi, nga ish-ministri Beqaj dhe personat e lidhur me të.

“Sipas aktit të ekspertimit vlerësues, vlera totale e investuar shkon deri në 5,064,700 (pesë milionë e gjashtëdhjetë e katër mijë e shtatëqind) lekë, – thotë SPAK, ndërkohë që procesi i investimit, mobilimit ka zgjatur përreth tre vite.

Prokuroria dyshon së për të humbur gjurmët e pronësisë, në muajin shkurt të vitit 2020, bashkëshortja e ish-ministrit Beqaj ka lidhur një lidhur kontratë qiraje për këtë apartament. 

Pavarësisht kontratës si qiramarrëse, hetimet kanë treguar se familja Beqaj kanë poseduar dhe janë sjellë si pronarë të kësaj pasuri të paluajtshme deri në fillim të vitit 2019. 

“Të gjitha këto fakte në tërësinë e tyre vërtetojnë ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm mbi fiktivitetin e veprimit juridik, me qëllim fshehjen e origjinës së pronës”,- thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme, që i ka dërguar më pas kërkesën për vendosje në sekuestrim të kësaj pasurie Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO).

GJKKO-ja ka pranuar këtë kërkesë të SPAK, duke caktuar masën e sigurisë pasurore “sekuestro Preventive”, e parashikuar në Kodin e Procedurës Penale.

“Shteg” pyeti rreth këtij vendimi avokatin e ish-ministrit Beqaj, Ermal Yzeiraj i cili për shkak të sekretit hetimor u shpreh se reagimi i tij “mund të acarojë më shumë SPAK-un”.

“Ky është një hetim normal dhe atij (Ilir Beqjas), do i skanohet e gjithë jeta, e gjithë pasuria. Çfarëdo që të gjejnë, ta çojnë në gjyq”, – tha avokati Yzeiraj.

Ish-ministri Beqaj u arrestua më 4 korrik me kërkesë të SPAK, pasi mbi të ranë akuzat për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera dhe mosdeklarim apo fshehje të pasurisë.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.