Më 22 janar 2025, SPAK përfundoi hetimet në kuadër të një procedimi penal të nisur më 1 gusht 2024, që kishte si objekt evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, me bazë në Elbasan.
Vëllezërit Çopja drejtonin një organizatë kriminale të fuqishme, të përfshirë në aktivitete të rënda kriminale, përfshirë vrasje, trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave përmes skemave komplekse financiare. Hetimet zbuluan se organizata kriminale kishte shfrytëzuar teknologjinë moderne, duke përdorur kriptovaluta për të realizuar pagesa dhe transferime financiare të fshehta, me qëllim shmangien e hetimeve financiare.
Në kuadër të këtij operacioni, SPAK ka sekuestruar një sërë pasurish të organizatës kriminale, përfshirë 4 llogari bankare me afro 130 mijë euro, 4 vila me truall, 1 hotel në Tiranë, 14 troje, 4 garazhe, 5 njësi shërbimi (dyqane, bare), 3 apartamente, nga të cilat një është dubleks, si dhe 1 shoqëri tregtare me llogaritë bankare përkatëse. Gjithashtu, është konfiskuar një shumë prej 1 milion euro cash, e kapur më parë si pjesë e të njëjtit hetim penal.
Gjykata e Posaçme e miratoi sekuestrimin e pasurive të organizatës me vendimin nr. 683, datë 28 nëntor 2024, dhe urdhrin pasues të datës 6 dhjetor 2024. Hetuesit e BKH, në bashkëpunim me EUROPOL dhe policitë federale të Belgjikës, Hollandës dhe Spanjës, arritën të sekuestronin mbi 10 milionë dollarë kriptovaluta të ruajtura në kuleta digjitale.
“Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim edhe me EUROPOL, policinë Federale të Belgjikës, atë të Hollandës, Spanjës, në periudhën 25.11.2024 e deri më datë 15.01.2025, koordinuan veprimet për të mundësuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës dhe urdhërit të organit procedues mbi sekuestrim preventiv të aseteve/vlerave të kriptovalutave në kuleta kriptovalutash në vlerën e mbi 10 milionë $ (Dollarë Amerikan). Këto rezultate u arritën në bashkëpunim të ngushtë me një kompani globale të njohur në menaxhimin e kriptovalutës ‘stablecoin’ si dhe një exchange të njohur në rang botëror, i cili menaxhon asete të ndryshme kriptovalutash – thuhet në njoftimin zyrtar.
Sekuestrimi u mundësua falë bashkëpunimit me një kompani globale që menaxhon kriptovalutën ‘stablecoin’ si dhe me një platformë të njohur botërore të shkëmbimit të kriptomonedhave.
Hetimet
Në gusht të vitit 2024, SPAK në bashkëpunim me Europol dhe policitë partnere goditën organizatën kriminale të drejtuar nga vëllezërit Çopja, e shtrirë përtej kufijve të Shqipërisë dhe të akuzuar për 6 vrasje, disa atentate, trafik narkotikësh, korruptim të zyrtarëve të drejtësisë dhe grabitjen e bujshme me armë të parave në aeroportin e Rinasit.
Të paktën 4 atentate me 6 të vrarë, 3 vrasje të mbetura në tentativë, 14 të porositura, dhe grabitja e 4.6 miliona eurove në Rinas në prillin e vitit 2019 janë vetëm disa prej krimeve më të rënda të cilat SPAK ka zbardhur dhe thotë se kanë për autorë organizatën kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja Elbasani.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.