Sera e Canabis-it, SPAK “fal” 93 gratë punëtore

Prokuroria kërkon dënimin e 17 të pandehurve me akuzën e prodhimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike ndërsa shpall "moskompetencë" për hetimin e 95 grave dhe vajzave të rekrutuara.

715
Sera kanabis
Credit: ExitNews

Pas një hetimi dyvjeçar, SPAK ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme kërkesën për gjykim të 17 të pandehurve, të akuzuar për kryerjen e disa veprave penale, nga kultivimi dhe prodhimi i lëndëve narkotike deri te prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve.

Hetimi ka përfshirë gjithsej 113 persona, nga të cilët 95 janë gra dhe vajza. Megjithatë, sipas SPAK në këto aktivitete janë përfshirë edhe persona të tjerë “josaktësisht të identifikuar” për të cilat ky institucion shprehet se do të vazhdojnë hetimet e mëtejshme.

Vetëm dy prej 95 grave janë akuzuar nga SPAK, veçanërisht si “rekrutuese të krahut të punës”, ndërsa për 93 të tjera, që punonin në serat e kthyera në vendprodhim të lëndëve narkotike, janë dërguar aktet për veprat penale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Opranizuar (SPAK), organizimi dhe financimi i veprimtarisë kriminale të prodhimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike realizohej nga Blerim Xheka dhe Sadetin Hasaj. E gjithë veprimtaria zhvillohej në zonën e Rërës, Drenovicë (Berat) në një hapësirë tokësore nga 10 deri në 20-27 dynym.

Në këtë hapësirë gjatë hetimeve janë gjetur 4 sera të mbyllura me plastmasë, në të cilat ishin instaluar linja elektrike dhe furnizimi me ujë përmes një pompe për thithje që ushqehej nga një kanal vaditës pranë serave.

“Nga aktiviteti rezulton të jetë përftuar në total një sasi prej 1.7-1.8 ton kanabis sativa”, – thuhet në deklaratën e SPAK ndërkohë që sqarohet se: “Organizimi, drejtimi dhe financimi i “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”, organizimi, drejtimi dhe financimi i “Kultivimit të bimëve narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, e kryer më shumë se një herë, bëhej nga të pandehurit Blerim Xheka e Sadetin Hasaj”.

Sipas ligjit shqiptar, organizimi, drejtimi dhe financimi i organizatave kriminale me qëllim kultivimin, prodhimin, fabrikimin ose trafikun e paligjshëm të narkotikëve dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet, ndërkohë që organizimi, drejtimi dhe financimi i kultivimit të lëndëve narkotike dënohet me burgim nga 7 deri në 15 vjet.

Sipas SPAK, prodhimi, kultivimi dhe shitja e lëndëve narkotike ushtrohej dhe mbikëqyrej njëherazi nga të pandehurit; Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj e Mirvaldo Disha.

“Të pandehurit: Blerim Xheka, Sadetin Hasaj, Sidrit Bisha, Jurgen Ujkaj, Hamdi Dyli dhe Samoel Lushaj mbanin dhe armë pa leje në mbrojtje të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm.

Aktiviteti i “Kultivimit të bimëve narkotikëve” në kuadër të “Grupit të Strukturuar Kriminal” ushtrohej kryesisht nga të pandehurit; Hamdi Dyli, Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Për të ushtruar veprimtarinë e prodhimit dhe kultivimit të lëndëve narkotike ishte bërë e mundur marrja me qira në mënyrë ligjore të tokave në pronësinë e Hamdi Dylit, Arben Vrapit dhe familjarëve të tyre në Drenovicë të Beratit, ndërkohë që për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit ditor, të akuzuarit kishin marrë shtëpi me qira në qytetin e Beratit.

“Të pandehurit janë angazhuar aktivisht në kujdesin ndaj bimëve narkotike, mbarëvajtjes së aktivitetit kultivues, prerjes, tharjes e pastrimit të boçeve të kanabisit, shitjes së mëtejshme, shpenzimeve për mjete të domosdoshme pune, ushqime e medikamente për bimët, medikamente mjekësore si dhe pagesat e punëtoreve në sera”, – thotë SPAK duke saktësuar se të gjithë pandehurit dhe veçanërisht dy të akuzuarat femra, janë marrë me “rekrutimin’ e krahut të punës/fuqisë punëtore nga qytete e rrethina të Shqipërisë, kundrejt joshjeve për pagesa të mira ditore për të punuar në sera, transport falas dhe sigurimit të fjetjes në ambientet sera, ku ishin krijuar edhe fjetore.

SPAK njoftoi për mediat se në këtë veprimtari të kundraligjshme në Grup të Strukturuar Kriminal janë përfshirë edhe persona të tjerë josaktësisht të indetifikuar, ndaj të cilëve po vijohet kryerja e mëtejshme e hetimeve.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.