Shënime nga Kulla Veneciane

714
Skulptura 1
Skuptura 1
Skulptura 2

Ishte një dimër i butë gri me shumë shi. Tek-tuk ndonjë lule e verdhë nxirrte kokën në pyllin e bukur të Butrintit. Shiu që derdhej lumë mbi muret e vjetra të Kullës Veneciane kishte një ritëm të butë si defi i beduinëve të shkretëtirave. Vera kishte mbetur pas. Asgjë nuk lëvizte më në Butrintin e lashtë dhe të qullur nga shiu dimëror.

Gërmimet e Shkollës Britanike të Romës kishin qenë interesante edhe këtë verë. Në Butrint kishim disa zbulime të reja, por gjetja e disa monedhave romake më kishin intriguar shumë. Në një farë mënyre këto monedha kishin risjellë në vëmendjen tonë një ngjarje shumë të rëndësishme për Butrintin Antik: fatin e kolonisë romake që u vendos në qytet pas një beteje të furishme në Senatin Romak. Dimri gri, qetësia e pyllit apo fakti që qëndroja mbi rrënojat antike më bënë që të shfletoj më shumë mbi fatin e Kolonisë Romake e njohur si Kolonia Augusta.

Gjatë Luftës Civile midis Cezarit dhe Pompeit, në Butrint u vendos një legjion romak besnik i Cezarit. Pas triumfit në betejën e Farsales, ku Cezari mbeti i vetmi fitues në fushën e betejës, dhe hyrjes triumfale në Romë, ai ndër të tjera filloi reformën për ndarjen e tokave veteranëve të tij. Ndoshta duke e njohur Butrintin kur marshoi përgjatë Vjosës në ndjekje të Pompeut, Cezari vendosi të dërgojë legjionarët e tij në këtë qytet, dikur të themeluar nga trojanët e ikur. Por ky vendim iu kundërshtua me furi nga banorët vendas, të cilët u mblodhën rreth një figure të rëndësishme romake, Titius Pomponus Atticus.

Atticus, një bankier aristokrat romak, banonte të shumtën e kohës në vilën e tij në Butrint. E quajtur Amalthea, në kujtim të dhisë që kishte ushqyer me gji Zeusin e madh, vila ishte e rrethuar me libra, statuja dhe skllevër të edukuar. Atticus në këtë vilë priste miqtë e tij nga Roma. Ndër më të afërtit, mikun e ngushtë senatorin Ciceron, të cilit i kishte botuar fjalimet e tij në Senat. Atticus njihet edhe si “botuesi” i parë në historinë romake. Ciceroni, që kishte shpenzuar kohë të gjatë në vilën atikiane të Butrintit, përdori influencën e tij për të penguar ardhjen e legjionarëve në Butrint.

Janë diku rreth 40 letërkëmbime midis Ciceronit dhe Atticusit, ku Butrinti është në qendër të vëmendjes së këtyre figurave të rëndësishme të kohës. Me një lobim të fortë nga Ciceroni në Senatin Romak, u duk se rreziku kaloi.

Cezari premtoi se legjionarët e tij nuk do të vendoseshin në tokat e Butrintit megjithëse sipas Cicero ky vendim ishte ndihmuar edhe nga një dhuratë e Buthrotasve/ Atticus për Cezarin në prag të fushatës së tij elektorale. Premtimi i Diktatorit mbeti pezull në duart e senatit pas vrasjes së tij në Idet e Marsit. Konsujt e zgjedhur pas kësaj ngjarjeje historike ishin Mark Antoni dhe Publius Cornelius Dolabela, të cilët kishin çështje më të koklavitura për të zgjidhur sesa ankesa e Buthrotasve për tokat e tyre. Me gjithë përpjekjet e Atticus dhe Ciceronit, anijet e kolonëve mbritën në Butrint, nën udhëheqjen e Praetorit Munatius Plankus.

Por kolonistët u pritën mjaft ashpër nga popullata vendase dhe në një letër të Cicero mësojmë se “Konsulli Dolabela e kishte vendosur fatin e Butrintit në një pozicion të sigurtë” dmth kolonët nuk do të vendoseshin në Butrint. Por fati ndryshoi erërat e mbara të Butrintit që vinin nga Roma. Me një shpejtësi të frikshme ngjarjet rrodhën dhe gjatë përleshjeve civile të Mark Antonit dhe senatorëve Cicero u vra në mënyrë mizore në vilën e tij italike.

Bankieri dhe Mbrojtësi i Butrintit Tititus
Bankieri dhe Mbrojtësi i Butrintit Titius Pomponus Atticus

Agripa humbet nga skena, vdes në vilën e tij në Romë dhe nga hiri i përleshjeve civile dalin dy figura dominuese në skenën romane. Oktavian Augusti, djali i adoptuar i Cezarit, dhe miku e gjenerali i tij besnik Markus Vipsanus Agripa. Oktaviani dhe Agripa ishin takuar në shkollën e Oratorisë në Apoloninë Ilirike dhe prej këtej marshuan të dy bashkë drejt triumfit dhe historisë. Por Butrinti kishte edhe këtë herë një fat historik. Gjenerali i parë i Romës dhe fituesi i betejës së Nikopolis kundër Kleopatrës dhe Mark Antonit ishte dhëndër Butrotas. Ai kishte për grua vajzën e Atikus, Caecilia Attica, mbrojtësit më të madh të Butrintit. Së bashku ata kishin një vajzë (e cila u martua me Perandorin e ardhshëm Tiberius). Të mbështetur nga Agripa dhe pa asnjë kundërshti nga patronët e dikurshëm të Butrintit tashmë të dalë nga skena e historisë, u krye rikolonizimi i qytetit me shpejtësi. Agripa, numri i dy i asaj që do të njihej tashmë si Perandoria Romake, vendosi të themelojë Koloninë e Butrintit me VETERANËT legjionarët të Legjionit të tij besnik Legio V Macedonicus. Ishin këta veteranë të cilët së bashku me familjet e tyre mbritën në Butrint, ashtu si 1000 vjet më parë kur Trojanët pa atdhe themeluan këtë qytet si Trojën e Re. Por nga burimet e kohës mësojmë se Legio V Macedonicus u nda në dysh.

Gjysma e veteranëve nuk zbarkuan në Butrint por vazhduan udhëtimin e tyre për të themeluar një tjetër Koloni. Koloninë Byrutus apo Bejrutin e sotëm. Në një farë mënyre, Kolonia Augusta e Butrinti dhe Bejruti antik kishin themelues të njëjtin patron, Gjeneralin Agripa dhëndër dhe mbrojtës i Butrintit. Me këto rrëfime nga librat dhe burimet antike u enda për disa ditë nëpër Butrint. Në fushën e pamatë të Vrines shtrihej ujësjellësi madhështor i ngritur nga Kolonët e V Legio Macedonicus. Bustin e Agripës që ishte vjedhur në 1990 nga Muzeu kishim pasur fatin të risillnim përsëri në shtëpinë e tij në Butrint, ndërsa Teatri Antik ende ruante gjurmët e kolonëve që e kishin lartësuar me statuja të familjes imperiale. Po çfarë ndodhi me veteranët e tjerë të Legio V Macedonicus? Si u pritën ata në Bejrutin e lashtë? Ishte dimër dhe asgjë nuk lëvizte.

Butrinti
Butrinti

Nga Stambolli në Bejrut fluturimi ishte i qetë. Mbritëm vonë dhe udhëtarët e paktë i priste një polic që dukej që sapo ishte zgjuar. Pa pasaportën time me një indiferencë të theksuar dhe e vulosi duke më uruar qëndrim të këndshëm. Kisha mbritur në Bejrut. Ishte natë, frynte një erë e fortë dhe aeroporti ishte i boshatisur. Dola jashtë dhe gjeta një taksi që dukej se i kishte shpëtuar paq Luftës Civile. Aeroporti nuk ishte larg dhe shumë shpejt mbritëm para hyrjes së Hotel Fenikas.

Mëngjesi në Bejrut ishte gri. Deti përplasej me furi në molon prej betoni. Dola herët për të parë qytetin e Bejrutit dhe gjurmët e saj antike. Gjiri i Bejrutit i ngjante shumë Sarandës, por me një hapësirë më të gjerë. Perëndia e kishte krijuar të bukur, por njerëzit në shurdhësinë e tyre ndaj kësaj bukurie e kishin shqyer copë-copë me kthetra betoni. Ashtu si në Sarandë, edhe në Bejrut, grykësia dhe lakmia kishin zhdukur vilat e dikurshme mesdhetare duke i zëvendësuar me pallate të shëmtuara betoni të cilat tashmë, pas një lufte të gjatë civile, ishin plot vrima plumbash që të ngjanin me hojet e bletëve. Një qytet i gjithë i shpuar nga plumbat dhe nga predhat.

Pasi bëra disa kilometra në këmbë midis pirgjeve prej betoni, gjeta gjurmë të Romës Imperiale. Hipodromi i rrethuar nga betoni apo një ujësjellës madhështor romak mbaheshin ende, por vilat e bukura romane tashmë ishin zhdukur përgjithmonë. Pyeta dhe mora drejtimin e Muzeumit arkeologjik. Një roje më hapi derën dhe disa gra të ulura në karrige plastike u ngritën menjëherë në këmbë. Isha vizitori i parë prej muajsh dhe dukshëm kishin kuriozitet të dinin se përse isha munduar deri në Muzeumin e tyre ku nuk shkelte më njeri. Pasi folëm pak me një anglishte të përzier me fraza frëngjisht, pyeta për Koloninë Romake të legjioneve të Augustit. Nuk dinin asgjë, por më treguan disa objekte interesante që dukej se kishin pasur fatin të mos ishin grabitur gjatë Luftës Civile.

Bejruti kishte pasur një fat të trishtë gjatë Luftës Civile. Një nga qytetet më të bukura të Mesdheut ishte kthyer në një grumbull hedhurinash betoni. Një lloj Shqipërie e pas ’90, ku njerëz të mjerë dhe të dëshpëruar ndërtonin me shpejtësi godina gri si për t’u ngulur diku anës detit, i cili shkumbëzonte nga fortunat dimërore. I ndarë në disa fraksione, autoriteti i qeverisë së brishtë nuk ndihej askund.

Të nesërmen shkova në Biblos, vendi ku për herë të parë, sipas historive lokale, mjeshtrit vendas kishin krijuar atë që ne sot e quajmë një “libër”. Një vend mjaft interesant, plot gjurmë antike, por edhe ai i mbushur me ndërtime pa fund prej betoni që të trishtonin pa masë kur mendoje trashëgiminë e pamatë që shtrihej nën betonin e çmendur.

Edhe pse kisha ardhur vetëm për të parë gjurmët e Kolonisë Augusta Byrotanese, kurreshtja më shtyu të shëtis në hapësirën ku një prej personazheve më të njohura të Luftës së Ftohtë, i lidhur shumë me fatet shqiptare, kishte kaluar një pjesë të jetës së tij. Kim Filbi. Për Filbin kisha njohuri të thella prej një personazhi po aq interesant sa edhe Filbi vetë. Shkrimtari i shquar britanik, Markezi John Julius Norwich, i cili për disa vite me radhë vinte në Butrint. Shëtisnim shpesh bashkë në rrugicat e gjelbëruara të Butrintit duke folur për tema nga më interesante. Donte të shkruante një libër për Aliun e Tepelenës, por ndihej i pafuqishëm për të ndjekur fatin e tij nëpër arkivat Otomane.

Lordi Norwich, një shkrimtar i shquar, e kishte njohur Filbin kur, si një diplomat i ri, ishte pjesë e shërbimit anglez në Bejrut. Më kishte treguar mjaftueshëm mbi një prej kapitujve më të panjohur të Filbit: jetën e tij në Bejrut si gazetar, por, siç doli më vonë, edhe si agjent i të paktën dy shërbimeve sekrete, britanikëve dhe KGB sovjetike.

Periudha në Bejrut është ndoshta pjesa më intriguese e Filbit, pasi deri më sot askush nuk e di saktësisht se çfarë roli kishte ai në Bejrut, për kë mblidhte informata mbi personalitetet e Lindjes së Mesme: për Londrën apo për Moskën? Apo vallë për ish-mikun e tij të dikurshëm, James Jesus Angelton, shefin mitik të kundërzbulimit amerikan, njeriun e besuar të Mosadit Izraelit?

John Julius Norwich kishte pirë shpesh me Filbin në kafenetë plot tym të Bejrutit, por për të, si për shumë të tjerë, Filbi ishte një mister. Një taksi më çoi në rrugën Kantari, rruga ku Filbi dhe familja e tij jetoi për më shumë se 4 vjet. Kodra Rais Beirut, nga ku duket Gjiri i Shën Gjergjit, ishte plot me godina dikur të bukura prej guri gëlqeror, por tanimë të abandonuara prej Luftës Civile, të mbushura plot me vrima plumbash.

Rue Hamra, në darkë, ishte plot me bare dhe muzikë, por Rue Kantari, ku ishte luajtur një prej kapitujve më interesantë të Luftës së Ftohtë, ishte e shkretë. Këtu, në janar të 1963, Filbi la apartamentin e tij dhe, nëpër rrugicat e ngushta, u zhduk për t’u rishfaqur 6 muaj më vonë në Moskë. Më në fund, autoritetet sovjetike pranuan rolin e tij si një prej agjentëve sekretë më të famshëm të KGB-së.

Prej nga ku zbrita nga taksia, po kërkoja me sy apartamentin e Filbit.

“Ne u vendosëm në një apartament të katit të pestë në rrugën Kantari, tipari kryesor i të cilit ishte një tarracë e madhe gjysmërrethore që komandonte një pamje të mrekullueshme të malit dhe detit. Në katër vitet që jetuam atje, ky apartament u mbush gradualisht me plaçkën e udhëtimeve tona në Lindjen e Mesme, me qilima orientale, fotografi, thesare arkeologjike, si dhe me skulpturat e mija,” shkruante ai plot nostalgji në autobiografinë e tij botuar në Moskë.

John Julius më kishte treguar se nga ballkoni i apartamentit, dhelpra e zbutur e Filbit, Jackie, ra duke u vrarë në vend. (Biografët e Filbit mendojnë se ajo u hodh nga ballkoni prej shërbyeses e cila nuk duronte dot erën e rëndë të kafshës së egër). Për një person që kishte çuar drejt vdekjes me dhjetëra njerëz, përfshirë shumë shqiptarë, Filbi ishte dëshpëruar shumë për vdekjen e Jackiet. Ai, për disa ditë, e mbyti dëshpërimin me uiski, si dhe shkroi një artikull për Jackin me titull “Dhelpra që erdhi për të qëndruar.”

Nga Kodra, ku Filbi dilte çdo ditë nga apartamenti i tij, edhe unë u vara tatëpjetë për të ndjekur rrugicat që ai duhej t’i kishte shkelur drejt bulevardit, ku ndodhej restoranti i tij i preferuar “Lucullus.”

John Julius më kishte thënë se ai kishte drekuar me Filbin shpesh në këtë restorant Francez. Pyeta një vajzë të re po ajo nuk e dinte se ku ndodhej ky restorant. Një dyqanxhi i vjetër me mustaqe më tregoi se Lucullus nuk ishte më. Ishte prishur për të ndërtuar Hiltoni i cili tashmë gjendej i abandonuar dhe plot hoje plumbash nga Lufta Civile.

Hotel Feniks
Hoteli Fenikas në të majtë. Në të djathtë Bar/Hotel St. George. Hapësira në mes vendi ku i vranë kryeministrin Hariri.

Përballë Hotelit tim Phoenice, qëndronte ende në këmbë St. George Hotel/Bar. Një tjetër hapësirë ku Filbi kishte shpenzuar mjaft kohë për të kultivuar kontaktet e tij gazetareske dhe të spiunazhit. Bari ishte i braktisur por ende dominues në peizazhin e Gjirit. U futa nëpërmjet një dritareje pa xhama për të parë vendin ku dikur mblidheshin bashkë një koleksion i çmuar gazetarësh dhe spiunësh të disa shërbimeve të famshme. 

Sipas Filbit (por edhe nga kujtimet e Norwich nëpër rrugicat e Butrintit) imagjinoja që në hapësirën ku tashmë rritej një bar i butë dimri dikur ishin ulur Bill Eveland, një oficer i CIA-s që mbulonte Lindjen. Pranë tij do të qëndronte çdo ditë Sam Brewer, veteran i Luftërave të Spanjës me pamjen e një basketbollisti i cili çdo mëngjes lexonte gazetat e ndryshme, pastaj John Mecklin i The Time, i ndjekur nga Kim Filbi gazetar i Economist dhe Ralph Izzard i Daily Mail. Ishte këtu në këtë bar ku Filbi takoi gruan e tij të ardhshme amerikane, Eleonore Filby (po kjo një histori më vete) e cila e ndoqi deri në Moskë. 

Këtu gazetarët, politikanët, agjentët dhe spekulantët takoheshin dhe shkëmbenin bashkë me uiskin edhe informacionet me vlerë apo thashethemet e Lindjes.

Eca edhe pak në hollin e braktisur të Bar St. George duke imagjinuar të gjithë këta personazhe interesante të kohës së Filbit. Po binte mbrëmja dhe nxitova të hyja në Hotelin ku qëndroja. I bëra në këmbë ato metra që më ndanin nga St. George, ekzaktësisht vendin ku vetëm 3 vite më vonë do të vritej në atentat kryeministri Hariri.

Filbi për shumë shqiptarë njihet si njeriu që tradhtoi operacionet klandestine anglo-amerikane kundër Enver Hoxhës. Si oficeri kyç në këto operacione, Filbi sigurisht që kishte tradhtuar për interesat sovjetike planin strategjik, por në planin operacional ai duhet të ketë qenë totalisht jashtë. Një mik i çmuar i Angelton, Shefi i Kundërzbulimit amerikan, Filbi mendohej se do të ishte Shefi i ardhshëm i Shërbimit Sekret Britanik MI6. Ashtu si edhe unë, John Julius Norwich mendonte se Filbi ishte shumë i çmuar për sovjetikët që ta ekspozonin atë për operacionet shqiptare. Për këtë arsye sovjetikët duhet të kenë pasur njerëz të tjerë që sabotuan “Operacionet shqiptare” duke e mbajtur Filbin në prapavijë. Edhe pse Filbi krenohej në librin e tij për Operacionet shqiptare, ai duhet të ketë qenë një “scape goat” si për sovjetikët për të mbrojtur rrjetin e tyre brenda perëndimorëve ashtu edhe për britanikët për të justifikuar dështimin e rëndë kundër Enver Hoxhës.

I përhumbur nga historia e Kim Filbit kisha harruar një takim me rëndësi për të mësuar mbi fatin e Kolonisë Romake të Legjionit Maqedonas.

Të nesërmen nxora nga xhepi një numër që një mikeshë ime e ngushtë gazetare britanike më kishte dhënë për çdo rast në Bejrut. “Është një mik i mirë,” më kishte thënë kur e kisha telefonuar nga aeroporti i Stambollit. E mora numrin dhe nga ana tjetër më përgjigj një zë në frëngjisht. Pasi u shpjegova se kë kërkoja, u bë një heshtje paksa e gjatë. Pastaj një zë i thellë kumbues më foli me një anglishte londineze. “Po,” më tha, “ju pres nesër” dhe pasi pyeti nëse e dija adresën e shtëpisë, më falënderoi për telefonatën.

Të nesërmen fola me një taksi për të më çuar në adresën që kisha me vete. Taksisti pasi më pa me kujdes pranoi. Shtëpia ishte diku rreth 40 km nga Bejruti dhe me këtë rast po kundroja nga dritaret peizazhin që hapej përpara meje. Një peizazh paksa i ngjashëm me Shqipërinë e Jugut, por pa aromën e saj. Pasi bëmë një copë rrugë, shoferi po më vështronte nga pasqyra. Pastaj me një anglishte të çalë më pyeti nëse isha i sigurt ku po shkoja. “Po,” i thashë, “kjo është adresa.” “Është territor i rrezikshëm,” më tha, por unë ngrita supet. Vazhduam në heshtje. Kur mbërritëm, përballë më shfaq një Pallat me një arkitekturë të mrekullueshme otomane.

Nuk e prisja që bashkëbiseduesi im i mbrëmshëm të banonte në këtë godinë kaq historike. Mikja ime më kishte shpjeguar se ai ishte një historian i edukuar në Oksford. Por nuk kisha ide se po takoja një prej liderëve të një prej fraksioneve më luftarake të Luftës Civile Libaneze. Pasi hyra brenda, më doli mikpritësi im, një burrë pak i shkurtër me flokë të rëna në ballë, por të gjata pas. Një figurë që nëse nuk do të ishte në këtë sallë otomane i rrethuar me roje dhe dy qen të bardhë që i vinin pas, do të ishte i denjë për auditoret e Oksfordit. Pasi më uli në një minder otoman filluam të flisnim për mikeshën e përbashkët. I tregova pse isha në Bejrut. Si profesor i historisë më dukej sikur u çlirua dhe ndryshoi pamjen prej politikani. “Mendova se je gazetar,” më tha me një kënaqësi të dukshme që nuk isha i tillë. Biseda për Bejrutin Romak dhe fatin e legjionit të V Maqedonikus e intrigoi shumë.

Skica e Pallatit në Preudhën e Guvernatorit Vaso Pasha Shkodranit
Skica e Pallatit në Preudhën e Guvernatorit Vaso Pasha Shkodranit
Sarkofag në mjediset e pallatit
Sarkofag në mjediset e pallatit

Biseda jonë u zhyt thellë në hapësirën e Perandorisë Romake dhe përhumbjen sikur e davariti shërbyesi që solli çaj, kafe dhe plot ëmbëlsira. I thashë se mikja jonë e përbashkët më kishte folur për koleksionin e tij të mozaikëve romakë. “Po,” më tha, “gjatë Luftës Civile nga bombardimet gjeta një seri mozaikësh Romakë.” Në fakt, mikpritësi im si historian klasik me një sy të hollë prej artisti kishte mundur që në mes të bombardimeve dhe përleshjeve nëpër rrugicat e rrethinave të Bejrutit të mund të shpëtonte dhe transportonte mozaikë me një vlerë të madhe historike në pallatin e tij.

Prej asaj kohe i ruante në një dhomë të veçantë në bodrumin e Pallatit Otoman. Mozaikët ende të pa studiuar por që mund të ishin të periudhës romake të shekullit të V-të pas Krishtit. Periudhë kjo e apogjeut të lulëzimit të Kolonisë së dikurshme Romake të Bejrutit. “Nga cili Universitet amerikan vjen ti?” më pyeti kur i kërkova që të shikoj Mozaikët Romakë. Me buzëqeshje i thashë që jam nga Shqipëria. “Jetoj pak a shumë në Butrint dhe prandaj interesohem për fatin e Legjionit të V Maqedon, i cili në Butrint u nda në dysh, njëri duke qëndruar dhe themeluar Koloninë Augusta dhe pjesa tjetër u vendos në Kolonia Berytus.” Dr. W.J pasi mbylli pak sytë më tha: “Arnaut, ti je Arnaut?” “Po,” i thashë. Më pëlqeu që e njihte këtë emër që dikur kishte dridheruar plot njerëz në Lindje. Duke qeshur me të madhe më tha: “Aha, Arnaut, ju arnautët jeni kokëkrisur si ne malësorët e Libanit. Stërgjyshi im ishte mik me Guvernatorin Arnaut të Libanit, për të cilin ende në familjen tonë tregohen histori. Ai u martua me një franceze, miq tanë. Prej tij ende sot në Liban kur duam të trembim dikë, i themi: ‘Ik më mirë se do të vij të të marrë Arnauti.’ Tani e kuptova pse erdhe deri këtu majë malit pa u trembur fare.” Në fakt nuk e dija pse duhej të trembesha, por gjithsesi ai e njihte vendin e tij shumë mirë për të ma thënë këtë gjë. Pasi bëra një tur të shkurtër përqark Pallatit të mrekullueshëm dhe pashë mozaikët e pabotuar ende nga asnjë historian, u largova për në Hotel.

E përshëndeta përzemërsisht mikpritësin tim. Rrugës, tek po përjetoja takimin me këtë personazh kaq interesant, për një moment buzëqesha me vete. Pa e ditur, kisha shkelur në gjurmët e Guvernatorit otoman të Libanit, Vaso Pasha Shkodranit, i cili në shoqërinë e gruas së tij franceze dhe vajzës kishte kaluar ditë të qeta në shoqërinë e miqve të tij malësorë libanezë.

Butrint, Dimër 2002

Auron Tare
+ posts

Auron Tare është historian, gazetar dhe menaxher i trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në maj 2018, ai u zgjodh kryetar i Komitetit Shkencor dhe Teknik të UNESCO-s për Trashëgiminë Botërore Nënujore.
Tare ka punuar për shumë vite duke mobilizuar mbështetje për ruajtjen e sfondit të pasur historik të Shqipërisë. Ai është i njohur për përpjekjet e tij për të mbrojtur qytetin antik të Butrintit në mesin e viteve 1990, kur Shqipëria po kalonte tranzicione të vështira ekonomike dhe politike. Ai ishte një nga themeluesit e Parkut Kombëtar të Butrintit dhe drejtori i parë i tij nga viti 1999 deri në 2005. Tare ishte për disa vite përfaqësuesi shqiptar i Fondacionit dhe bamirësisë së Butrintit të themeluar nga Lord Rothschild dhe Lord Sainsbury i Preston Candover.