Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka vendosur ndëshkimin disiplinor të prokurorit të Sarandës, Kledian Llaho, me “ulje page në masën 20% për një periudhë tre mujore” dhe largimin e tij nga detyra e kryetarit të Prokurorisë së Sarandës.
Vendimi erdhi pas një hetimi të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë (ILD), i cili nisi pas gjashtë ankesave të bëra nga një prokurore e së njëjtës zyrë ku Llaho ushtronte funksionin e drejtuesit.
Sipas ILD-së, veprimet dhe mosveprimet e Llahos përbënin shkelje të rënda disiplinore, të kryera me dashje dhe me ndikim negativ në ambientin e punës. Hetimi evidentoi rrezikun për përsëritje të shkeljeve, si dhe dëmtimin e imazhit të institucionit.
Në përfundim të verifikimeve, u konstatua se Llaho kishte dështuar të përmbushte detyrimet ligjore të drejtuesit, veçanërisht në lidhje me menaxhimin e sistemit të çështjeve, dhe kishte shkelur në mënyrë të përsëritur rregullat e sjelljes në marrëdhëniet me kolegët magjistratë.
Nuk është hera e parë që magjistrati përballet me masa disiplinore.
Më 30 janar 2025, KLP i dha atij një “vërejtje publike” për zvarritje të pajustifikuar të akteve procedurale dhe moszbatim të detyrave të caktuara nga gjykata.
Megjithëse asokohe, nga ana e prokurorit Llaho, konstatimet dhe kërkimet e ILD-së u cilësuan të pabazuara, ndërkaq dhe proçesin disiplinor ndaj tij e konsideroi fyes.
ILD konkludoi se prokurori Llaho, përveç zvarritjeve të pajustifikuara të akteve procedurale, nuk ka zbatuar as vendimet e gjykatave që kanë rrëzuar kërkesën e tij për pushimin e çështjes duke i kërkuar kryerjen e veprimeve të reja hetimore konkrete.
Aktualisht, K.Ll. nuk ushtron më funksion publik, pasi ndaj tij është vendosur masa e sigurimit “pezullim nga detyra” nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ku ai është nën hetim si i dyshuar për Korrupsionit pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.
Llaho dyshohet se me veprimet dhe mosveprimet e tij ka favorizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë vjehrrin e tij.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.